Agim Shehu Udha drejt Atdheut nis nga shtëpia jote Z.Agim, librin tuaj të ri «YLBERI I FËMINISË» (nga kujtime të largëta), pata fatin ta lexoja para botimit. Mënyra e të shkruarit më bëri përshtypje të thellë dhe më imponoi të kërkoja edhe midis rreshtave, mbase të pathënat e tua. Si kurveleshas « rrëmbeva » një pjesë të mallit, meqë jep aq bukur trevat tona lidhur me fëmininë tuaj. Mbi të gjitha, kujtime dhënë me ndjenjë të hollë lirizmi e shpesh me gjykime filozofie për krahinën, ngjarjet e njerëzit. Si ju erdhi në mënd ta shkruanit !?-Agim Shehu :-Vështirë ta shprehësh saktë në kornizën e një spjegimi. Jam ulur pa vetëdijë mbi letër si duke skicuar kot dashurinë time për vëndlindjen, aq më tepër mallin për të nga mërgimi i detyruar dhjetëvjeçar. Sa më tepër ta largojnë vëndin tënd, aq më tepër ai të afrohet vetë e të rri pranë kudo që të jesh, veçanërisht më rri në ëndër, aty ku nuk ma ndalon njeri. Këtë e kuptojnë veçanërisht të mërguarit nga Atdheu ku malli për të ka dhe dramën brënda, sidomos nga fundi i jetës.U ndodha brënda kësaj nebuloze të ndritëshme të fëminisë e cila dhe më ngjallte mallin dhe më rëndonte shpirtin. Duhej shkarkuar. Dal shëtitje me gruan afër një pylli shumë të bukur të Gjenevës. Shikoj gjethet e pemëve, barin e ëmbël, zogjtë dhe retë secili në fluturimin e vet mbi krye, e më ngjajnë se janë të fëminisë sime, thua dhe ato kanë mall të më shohin tani të thinjur me bastunin e moshës e të plagës në dorë...Me gruan vëndlindjen e qarkullojmë vazhdimisht në bisedë si një frymëmarrje të dytë që s’na lë t’i afrohemi pleqërisë së thyer. Kujtimet i përsërisim nga larg e ato rindizen më shumë. M’u desh t’i shkarkoja në letër që, dhe unë dhe fëminia të qetësonim njeri tjetrin. Fëminia është skica fillestare e jetës tënde. Ngjarjet e mëpasme janë ngjyra që e mbushin atë. Në do të njohësh një shkrimtar, vizitoi vëndlindjen – thotë një autor. -Dhe nga e filluat ? – -Së pari bëra një hyrje si derdhje fryme ku spjegova veten duke ftuar dhe të tjerët të më gjykonin, meqë tërë fëminitë kanë diçka të përbashkët, çiltërinë fillestare të shpitit njerëzor, të paprekur ende nga vrazhësia e jetës. Pastaj nisa kujtimet që mban mënd fëmia. Nisa nga shtëpia ime në Progonat (udha drejt Atdheut nis nga shtëpia jote)…Në Kujtime shpreh imazhet e para të largëta të fëminisë nga oborri, shtegu, kopështi e sheshet e fshatit ku loznim…Ringjall njerëzit e shquar e të dëgjuar të fshatit, të familjeve me bëmat e paharruara të tyre siç i mbaj mënd, zakonet e vëndit mpleksur me lodrat tona, dasmat e vajet. Në kreun e katërt jap një jetëshkrim historik mesa di për Progonatin shtrirë në Kurvelesh e më gjerë në Labëri, si rrathë bashkëqëndrorë në harmoni gjeografike e historike, dokumente lashtësie që ushqejnë dashuri e krenari për vëndin…-Në një farë mënyre libri është dhe histori e vëndlindjes.-Nuk e pohoj plotësisht këtë. Unë shpreh ato që mban mënd një fëmi kureshtar e ato natyrshëm përbëjnë një pjesë historie të vëndlindjes. Të plotën e përbëjnë të tërë bashkë dhe e shprehin historianët. Në libër janë dhe kujtimet e paharruara që pak para e pas Luftës kalova në Fier te Xhaxhai i paharruar i cili pati një fund aq tragjik siç e shpreh në fund, një botë e butë Myzeqeje vënë krah Labërisë sime, me shokët e Fierit që nuk i harroj-Gjuha me të cilën është shkruar libri duket si e konservuar enkas për fëmininë, dhe këtë e realizon krijuesi që njeh aq mirë moderrnizmin me gjithë labirinthet e tij. Humnerat e Labërisë mbajnë brenda « pëllumba kaq të bukur sa me fluturimin diellor të tyre…hynin gjer në poemat e Romës ( Ovidit) », ndërsa Agim Shehu ( me kokën mbrapa) mban brenda mallin e trazuar dhe hyn në thellësi të viteve. Pse pikërisht zgjodhët këtë gjuhë për të komunikuar me lexuesin ? --Ndjej kënaqësi që dhe si poet, dhe si bashkëkrahinar ke vëzhgim të hollë për artin e fjalës. Për t’u kuptuar më mirë me lexuesin tim, sidomos atë krahinar, zgjodha gjuhën e tij të harmonizuar me gjuhë poeti. Qe krejt e natyrëshme aq sa s’e kam vënë re. Mbresat e fëminisë më rrinë në tejndërgjegje (subkoshiencë) si yjet sipër reve në lëvizje dhe për t’u shprehur saktë e bukur, ato e kërkuan vetë tek unë gjuhën e zgjedhur të asaj lartësie prej ajri. Unë vetëm iu binda dhe shkrova ashtu gati pa qënë i ndërgjegjshëm për këtë…
-Kujtimet mendoj kanë kureshtje ngaqë aty jepen me emra njerëz e familje nga Progonati, po ashtu nga dajot në Golëm e me radhë. A e keni mendimin, se Kujtimet tuaja përbëjnë dhe një roman shkruar hollë me materje jete e që lexohet si i tillë!?-Ta gjykojnë lexuesit. Kryesore është që ngjarjet janë të vërteta. Mund të jetë çudia që këtu, ngjarjet e përjetuara nga një fëmijë të kenë një vendosje të tillë që Kujtimet i afrojnë me romanin…Për më shumë, le të lëmë të vetëspjegohet Hyrja e veprës. -Zjarri i dashurisë dhe malli juaj njerëzor për vendlindjen kanë dy burime:”Drita e këtij zjarri qe Progonati. Ngrohtësia e tij qe Golemi”, ndërkohë që shton: “...dashurinë që ta kursejnë në jetë ta shtojnë në vdekje”. Pse kjo ndarje, pse pikërisht kështu? -Është e vërtetë, në zjarrin që ngarkoj në shpirt si krijues, drita është Progonati e ngrohtësia është Golëmi. Ndoshta kjo është përkatësia brënda meje e nënës me babain tim trashëguar tek i biri. Është dhe ajo që më ka dhuruar secili më shumë nga vetja e vet - Progonati im i çmuar dhe Golëmi im i dashur. Të paktën kështu e ndjej se kështu e kam përjetuar në jetën time të trazuar. Është po ashtu e vërtetë, se dajove në tërësi u kanë dhëmbur shumë dramat e nipit të tyre, kurse të zezat që kam hequr çuditërisht kanë piknisjen e firmën e zyrtarëve shtetërorë nga Progonati e më gjerë, pa u bërë asnjë të keqe pasi unë kam jetuar larg fshatit. Kam po ashtu bindjen se populli i vëndlindjes është tjetër gjë. Këtu rjedh mendimi që dashurinë e munguar në jetë ta dhurojnë pas vdekjes kur të nesërmen vepra jote zëvëndëson jetën tënde dhe gjyqtare është ajo. Kjo ka ndodhur dhe gjetkë, me burra më të mirë se unë. -Qëmtimet e kujdesshme të fjalorit tipik të zonës, më kujtojnë poemat homerike : « Derëzeza ajo » ; « gratë –ulërimë » ; « E zeza ç’na gjeti » ; « kish strukturën e dhimbjes, i vinte keq për çdo gjë » ; « më vështronte me dritë gëzimi në sy » « po çkulte shpirtin për të nxjerrë gjithë dhimbjen » ; « fëmija është si zogu, i pëlqen më shumë dega se kokrra » ; « ujrat merrnin me vete aromën e ngrohtë të miellit e ua ndanin honeve ». Të duket se s’ka një ndarje fikse mes prozës dhe poezisë së Agim Shehut. Ato sikur japin e marrin nga njëra-tjetra, këmbejnë lirizmin me dhimbjen. Pse ndodh kjo ? -Në Kujtimet e mia nuk ka ndarje mes prozës dhe poezisë, ashtu si te një lumë nuk i dallon dot ujrat e dy përrenjve malorë nga të cilët përbëhet lumi. Këtë e ndihmon dhe ndjenja gati drithëruese që ke për fëmininë dhe gjuha nga proza shkon pa u kuptuar në zërat e poezisë për ta thënë sa më bukur atë që ndjen. Ti kalon nga njëra te tjetra pa u kuptuar. Përgatiti : Mihal Gjergji, Gjenevë - nëntor 2009
Botuar te gazeta “Republika” Tirane , datë 17.11.09 fq-17