Arianit Roshi u lind me 04 12 1976 në qytetin e Cërrikut ku edhe kaloi pjesen me te madhe te femijerise se tij. Ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit dhe studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Momentalisht jeton në Tiranë dhe është Avokat pranë një studio ligjore. Shkrimet e tij janë botuar në disa prej periodikëve letrarë shqiptarë. Ka ne proces botimi nje permbledhje me tregime.
NGA ARIANIT ROSHI
SEKONDA
PERFEKTE
Ai vetëvritej çdo ditë në orën 20:00. Rreth orës shtatë pasi ishte rruajtur me kujdes, vishte ashtu si një ditë më parë, të njëjtën këmishë të bardhë me jakë të kollarisur, të njëjtat pantallona të zeza, të njejtat çorape të errëta. Pas kësaj, ai shkonte në dhomën tjetër ku gjëndej një pasqyrë e madhe, dhe kalonte fiks 15 minuta duke rregulluar flokët. Kur ora ishte 19 e 35 minuta, ai mbathte këpucët e zeza të lyera me kujdes, dhe në 19 e 40 ai ulej në kolltukun e tij, përballë orës se murit, pinte konjak, dhe sytë i mbante vazhdimisht mbyllur. Në tavolinë përpara tij, gjëndej pistoleta e nikeluar « zastava », ndërsa pak më larg saj, karikatori. Kur ora shkonte 19:55 ai mbushte pistoletën, mbështeste shpinën në kollutuk, mbyllte sytë, dhe priste të ndjente gravitetin e asaj që ishte gati të ndodhte. Kur ora ishte 19:58 ai mbështeste pistoletën në tëmth, mbante frymën një hop, dhe syte ia ngulte akrepit të sekondave, i cili lëviste me të njëjtin rritëm drejt sekondës perfekte. Në dhomë nuk dëgjohej asgjë, përvec tiktakut të orës, i cili sa vinte e bëhej më i fortë. Kur ora ishte 20:00 fiks, pikërisht në momentin kur akrepi i sekondave qëndronte poshtë 12-ës, ai tërhiqte këmbëzën e pistoletës, dhe tik taku i deri atëhershëm i orës kthehej në një krismë të mbytur të thatë pistolete. Një shkulm gjaku përplasej mbi faqen e murit, ndërsa koka e tij, tani me një vrimë aq të madhe sa gishti tregues që mund të futej lehtësisht, varej mbi gjoks.
Kur ora ishte 20:05, gjithcka i kthehej normalitetit. Ai ngrihej, dhe me të njëjtën përpikmëri të një dite më parë fillonte ritualin e përgatitjes për vetëvrasjen e rradhës. Në fillim pastronte njollat e gjakut nga muri dhe kolltuku, pastaj fuste rrobat në lavatriçe, nxirrte karikatorin nga pistoleta e nikeluar, lante me kujdes gotën e konjakut, e kështu me rradhë deri në orën tre të mëngjesit. Në orën tre kishte mbaruar gjithcka, ai shtrihej dhe flinte për tu zgjuar fiks në orën 15:00. Zgjimi ishte normal. Me një rritëm të shtruar, ai përgatiste mëngjesin, pinte një cigare dhe kur ora shënonte 17:00 ai ulej në kolltukun e tij dhe kalonte pjesën tjetër të ditës duke u përpjekur të kuptonte arsyen e kësaj që bënte. Sa herë që nxirrte një konkluzion të ri e shënonte në një fletore. Kjo ishte e vetmja pjesë që nuk kishte të bënte drejtë për drejtë me momentin e vetëvrasjes, pasi ajo qe dihej ishte se çfare do qe ai te mendonte ne oren 20:00, pikerisht kur akrepi i sekondave të ndodhej poshtë 12-ës, ai sërish do të tërhiqte këmbëzën. Kjo që sapo ju përshkrova ndodhte për 15 vjet resht. Me një përpikmëri të adhurueshme ai vetvritej, persosshmërisht kaq bukur, kaq madhërishëm, dhe nuk kishte asgjë që ta shmangte atë që do të ndodhte, në atë sekondë perfekte që finalizonte sinkronizimin e veprimeve të tija. E diela e fundit e tetorit ishte një ditë normale, dhe si e tillë ajo nuk mund të ndryshonte asgjë nga ditët e tjera. Ai u ngrit at’here kur ora në mur shënonte fiks 15:00, dhe pasi hëngri mëngjes dhe shijoi me të thithura të forta cigaren e parë të ditës, filloi ti bindej ritualit të zakonshëm. Mekanizmi i vetëvrasjes ishte ngrehur që nga mbrëmja e një nate më parë. Cdo gjë ishte e qetë, e paqtë si zakonisht. Ingranazhet e sistemit vetëvrasës lëviznin me një përpikmëri absolute, dhe nuk mund të linin hapësira për gabime, ndërsa maratona e veprimeve të tija rendëte drejt sekondës, në të cilën ai duhej të vdiste për tu ringjallur sërish. Tërësia e veprimeve që ai kryente deri në finalizimin e aktit të vetëvrasjes, ishin bërë tashmë gjenetike dhe padyshim rikthimi në jetë pas vetevrasjes, ndodhte pikërisht sepse ai vetëvritej gjithmonë në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën sekondë. Kështu do të ndodhte edhe të dielën e fundit të tetorit, kur ai në 19:58 (pasi kishte kryer me përpikmëri të gjitha veprimet e tjera) qetësisht do të mbështeste tytën e pistoletës pas kafkës dhe do të priste fundin e ciklit të jetës, do të priste mbërritjen e sekondës perfekte, që do të finalizonte besnikërinë e tij ndaj të përditshmes. Kur ora shënoi 19:59 ai u mbush me frymë si zakonisht, mbylli edhe njëherë sytë, dhe pa më të voglin dyshim i hapi ata për ti fiksuar mbi akrepin e sekondave që po lëvzite me shpejtësinë e vdekjes drejt 12-ës. Ai u përqëndrua dhe kur akrepi ishte në pozicion, ai e tërhoqi këmbëzën. U dëgjua zhurma e thatë, spërkat e gjakut ranë si zakonisht mbi mur dhe kolltuk, ndërsa koka e tij u përplas mbi gjoks. Kur ora e murit shënoi 20:05, koha kur ai duhet të ngrihej për të rinisur gjithcka nga e para ashtu sic ndodhte prej 15 vjetësh, ai nuk dha asnjë shenjë jete, madje edhe kur ora tregoi 20:20, ai vazhdonte të kullonte gjak mbi kolltuk. Kur ora ishte 20:45 gjaku ishte mpiksur dhe trupi i tij filloi të nxihej. Pikërisht tani ai duhet te kishte mbaruar pastrimin e njollës së gjakut, Ishte koha kur ai fuste këmishën dhe pantallonat në lavatriçe, por ndërkohë ai rrinte i shtrirë sa gjatë e gjerë mbi kolltuk. Në orën 21 :00, trupi i rrethuar nga një pellg gjaku dhe nga mbeturina trush, ishte plotësisht i ftohtë. Kishte vdekur… Kësaj here përfundimisht. Në dhomën tjetër, në televizor transmetohej edicioni i lajmeve, ku spikerja, me një zë të ëmbël i kujtonte dëgjuesve se pikërisht atë ditë kishte ndodhur ndryshimi i orës, dhe se të gjithë duhet të kujtoheshin që ta lëviznin atë 60 minuta mbrapa.