RASTI BLLACA DHE PDK
Ilir Sefaj Ditë më parë, para publikut lexues u shfaqa me një opinion timin në të cilin në njërën ose mënyrën tjetër, shfaqja mospajtimin tim në lidhje me potezin që bëri Qeveria e Kosovës, ku u krijua një opinion i përgjithshëm se do të kishim një modifikim të qeverisë, gjë e cila megjithatë nuk ngjau. Edhe pse supozohet se Infopress një e përditshme kosovare kjo, është “gazetë e PDK-së” ishte e vetmja gazetë kosovare që kishte botuar atë shkrim. E potencova këtë detaj për faktin se shkrimi i sipërpërmendur ishte kryekëput anti-qeveri dhe anti-PDK në këtë rast. Ky detaj pra, më bëri të kuptoj se më parë se gazetë e PDK-së Infopress na qenka gazetë e shprehjes së lirë, gazetë e zërit të qytetarit, dhe gjithsesi për këtë i jam mirënjohës kolegjiumit redaktues të kësaj gazete. Intenca e këtij paragrafi të sipërshënuar ka për qëllim ta bëjë me dije qytetarin e Kosovës se gjërat duhet shikuar me gjakftohtësi dhe pa paragjykime. Pra, asnjëherë nuk duhet bërë me gisht në drejtim të dikujt pa i shoshitur mirë gjërat. Në rastin Bllaca, ne sikur shumë shpejt bëmë me gisht drejt PDK-së, a ishte e ngutshme?! T’i kthehemi krye-protagonistit i cili javën e fundit pushtoi mediet jo vetëm kosovare. Nazim Bllaca emër i njohur tashmë për opinion kosovar, ditë më parë doli me disa video-incizime ku “dëshmonte” veprimtarinë e tij si agjent i SHIK-ut. Shumë mediume tona shumë shpejt trumbetuan për lajmin ekskluziv, shumë shpejt u dhanë gjykime nga më të ndryshmet, me një fjalë gjithçka ngjau shumë shpejt. Rasti Bllaca dëshmoi se në Kosovë nuk ka gjasa të përmirësimit të sistemit të drejtësisë. Një “vrasësi me pagesë” në këtë rast i cili gjithsesi do duhej të ketë pasur dosje në polici, i lejohet aq publicitet, aq liri, madje edhe i mbajtjes së konferencave për shtyp, si mund të ndodh kjo. Sipas asaj që pohon vet ky zotëri, më parë se dëshmitar ai duhet gjykuar për veprimtari kriminale. Mirëpo, Kosova është vend i paradokseve dhe gjithçka tashmë duket normale në perceptimin e qytetarit të vendit. Si do që të jetë mënyra e publikimit të këtyre “dëshmive” nga ana e këtij dëshmitari tregoi se e gjitha është një puq politik i organizuar nga individë me të kaluar të dyshimtë, të cilët përpiqen ta destabilizojnë vendin dhe njëkohësisht mundohen t’i japin një imazh negativ partisë më të madhe në vend. Situata të tilla shumë shpejt do të mund ta përsërisnin Shqipërinë e 1997-es, dhe Kosova së cilës i duhet edhe gjatë kohë për të ecur vetëm, do të gjunjëzohej njëherë e mirë. Është e vërtetë se në Kosovën e pasluftës janë vrarë njerëz, sigurisht edhe të pafajshëm, megjithatë është shumë e padrejtë të tentohet të identifikohet një parti si PDK me krimin, më shumë se gjithçka tjetër ky ka qenë qëllimi i publikimit të këtij videoincizimi si dhe dalja para publikut të Nazim Bllacës. Nëse thua se kam kryer vepra penale të ndëshkueshme më ligj, pa marrë parasysh motivin e tyre, ose të nxituar nga kushdo, para së gjithash je kriminel. Këtu nuk ka asnjë
dilemë. Andaj një pjesë jo të vogël të fajit të kësaj drame e bartin edhe mos përgjegjësia e shumë televizioneve e medieve të tjera të shkruara, që i japin rastin një krimineli të vetëshpallur të flet pa kurrfarë kriteresh. Si do që të jetë, tani për tani gjithçka duhet lënë organeve të drejtësisë dhe të zbardhet e vërteta, jam kundër të gjithë atyre që ndjellin vëllavrasje, askujt nuk duhet lejuar një luks i tillë, i cili shpie në qorrsokak, i cili do të jetë tepër ogurzi për të ardhmen e vendit. Megjithatë, tendenca për të dhënë epilogë të ngutshëm është jo efektive, gjithçka është shpejt, shumë shpejt. Si postscriptum të të gjithë kësaj, dua ta bëjë me dije lexuesin eventual se autori i këtyre radhëve nuk ka gëzuar asnjë privilegj nga asnjëri pushtet në Kosovë, andaj qëllimi i këtij opinioni nuk është ta glorifikojë njërin dhe ta denigrojë tjetrin, thjesht janë pikëpamje të një njeriu të rëndomtë të Kosovës, i cili ia do të mirën vendit të tij. Paqe...!