Arabët i përkthyen hieroglifet në shek. e IX Dijetarët arabë i përkthyen hieroglifet 1000 vjet më parë se sa mendohet. Sipas një libri që u botua nga një studiues i University College të Londrës, studiuesit perëndimore nuk ishin të parët që deshifruan gjuhën e lashtë të faraonëve. Dr. Ukasha El Dali i Institutit të Arkeologjisë pranë UCL zbuloi se studiuesit arabë jo vetëm shfaqën interes të veçantë për Egjiptin e lashtë, por edhe i përkthyen saktësisht hieroglifet në shekullin e nëntë, pothuajse 1,000 vjet më parë se ç'mendohej. Për një kohë të gjatë është menduar se Zhan Fransua Shampoljoni (Jean-Francois Champollion) ishte personi i parë që deshifroi hieroglifet në vitin 1822 duke përdorur antikat e sapozbuluara egjiptiane siç ishte Guri i Rozetës. Por analizat e freskëta të dorëshkrimeve të shpërndara nëpër koleksione të harruara anembanë globit provojnë se studiuesit arabë ishin të parët që i deshifruan ato. Dr. Ukasha El Dali shpjegon: "Për dy shekuj e gjysmë, studimi i egjiptologjisë ka qenë dominuar nga një pikëpamje eurocentrike, e cila ka injoruar pothuajse mbi një mijë vjet studime dhe kërkime arabe të inkurajuara nga Islami. Para kohës së Napoleonit, Perëndimi dinte shumë pak për qytetërimin e lashtë të Egjiptit, përveç asaj që tregohej në Bibël. Mendohej se bota e faraonëve ishte harruar me kohë nga egjiptianët, të cilët mendohej se ishin të përfshirë në zgjerimin e botës islame nga shekulli i shtatë. Por ky përfundim tepër i nxituar injoron kontributin e gjerë të studiuesve mesjetarë arabë dhe të tjerë në mes të shekujve të shtatë dhe gjashtëmbëdhjetë. Në të vërtetë ekziston një korpus i madh mesjetar shkrimesh nga studiues dhe njerëz të zakonshëm që daton shumë kohë më parë se fillimi i Rilindjes Evropiane. Analizat tregojnë se muslimanët jo vetëm që kanë pasur një interes të thellë për studimin e Egjiptit të lashtë, por ata gjithashtu mundën të deshifrojnë saktë shkrimin hieroglifik." Pas pushtimit romak të Egjiptit në vitin 30 e.s, përdorimi i shkrimit hieroglifik filloi të shuhej dhe shkrimi i fundit i njohur daton në shekullin e pestë pas Krishtit. Ndërsa komentatorët mesjetarë perëndimorë mendonin se hieroglifet ishin simbole, secili prej të cilëve përfaqësonte një koncept, Dr. El Dali tregon se studiuesit arabë e kishin kapur parimin themelor se hieroglifet mund të përfaqësonin si tinguj, ashtu edhe ide. Duke përdorur ekspertizën e tij unike në egjiptologji dhe shkrimtarët mesjetarë arabë, Dr. El Dali filloi një studim shtatëvjeçar të shkrimeve arabe për Egjiptin e lashtë. "Dorëshkrimet ishin të shpërndarë në të gjithë botën, si në koleksione private, ashtu edhe publike dhe kryesisht nuk ishin kataloguar. Edhe kur ishin kataloguar, shpesh ishin klasifikuar gabimisht, kështu që m'u desh t'i kaloj nëpër duar një për një; kjo gjë nuk është si të hulumtosh në librat bashkëkohorë me indeks, ku mund të kërkosh në libra për një informacion
përkatës," thotë Dr. El Dali. "Një specialist vetëm në arabisht apo studime islame që i lexon këto dorëshkrime, nuk do të arrijë të kuptojë rëndësinë e tyre për egjiptologjinë. Anasjelltas, egjiptologët mendojn se arabët dhe muslimanët nuk kishin asgjë të dobishme për të thënë rreth Egjiptit të lashtë, kështu që nuk ka nevojë të shikosh nëpër dorëshkrime, të cilat janë kryesisht objekti i studimit të dijetarëve të disiplinave të studimeve arabe dhe islame." Ky zbulim i madh në kërkimet shkencore të Dr. El Dalit erdhi nga analiza e punës së Ebu Bekr Ibn Ahmed Vahshije, një alkimisti të shekullit të nëntë. Puna e Ibn Vahshijes në sistemet e shkrimeve të lashta tregon se ai ishte në gjendje të deshifronte saktë shumë hieroglifike. Duke qenë një alkimist dhe jo një gjuhëtar, interesi i tij kryesor ishte të identifikonte vlerën fonetike dhe kuptimin e hieroglifeve, me qëllim që të depërtonte në diturinë e lashtë egjiptiane të shkruar në hieroglife. "Duke krahasuar përfundimet e Ibn Vahshijes me ato në librat e sotëm mbi gjuhën egjiptiane, qeshë në gjendje të vlerësoj saktësinë e tij në kuptimin e hieroglifeve, " thotë Dr. El Dali. "Në veçanti kam shikuar Gramatikën Egjiptiane të sër Alan Gardinerit, e cila ka një listë shenjash në fund, duke zbuluar se Ibn Vahshije e kishte kuptuar në mënyrë të përsosur natyrën e hieroglifeve egjiptiane." Dr. El Dali shton: "Kultura perëndimore e keqinterpreton Islamin, sepse ne mendojmë se studimi i asaj që kanë qenë para Kur'anit është i ndaluar, gjë që nuk është e vërtetë. Ata e çmonin historinë dhe mendonin se Egjipti ishte toka e shkencës dhe diturisë, dhe si e tillë, ata donin ta mësonin gjuhën e tyre, që të kishin qasje në një dije kaq të gjerë. "Ndryshe nga Perëndimi, ata nuk e shkruan historinë që t'i shkonte për shtat ideve fetare të kohës, gjë që e bën rrëfimin e tyre më të besueshëm. Ata ishin gjithashtu të prirur drejt universalitetit të historisë njerëzore, të bazuar në unitetin e origjinës së qenieve njerëzore dhe diversitetin e paraqitjes dhe gjuhëve të tyre. Për më tepër, ka shumë gjasa që të ekzistojnë shumë dorëshkrime të fshehura nëpër botë, të cilat mund të kontribuojnë shumë për kuptimin e botës së lashtë."
Përktheu: Genc Çurgu