“Tringëllima e udhës…” (Cikël me poezi) Namik Selmani Namik Selmani është autori i 7 vëllimeve poetike “Vatra e mallit”, ““Zërat e brigjeve të mia”, “Kroi i këngës çame”, “Fari çam”, “ Shpirti çam”, “Dritaret e besimit “ dhe “Djepi i këngës“ i 10 librave me prozë si dhe pjesëmarrës në Antologji poetike në Shqipëri, në Mali të Zi , në Kosovë, në Itali, në Amerikë, etj Aktualisht është mësuesi i letërsisë në shkollën e mesme pedagogjike e të gjuhëve të huaja “Kristo Isak” Berat 1.Liria Një ditë lëshoi dhe ajo lastarë e u mboll në sytë e vogëlushëve preku një çast majat e maleve e takoi lapidarët e fushave Takoi një plak E u fut në sinorët e kngëve Kur shkëmbi u shemb E deti u tha U fut… në palcën e ëndrrës
2.Dyluftimi Jepma dorën e pajtimit T’ia jap brezit që vjen. Jepma gjeratoren e më bëj dhe mua tufan! Të lindësh për Tokën Të mallkohesh për tokën e lirë. T’ia hedhësh dorëzën e dyluftimit vdekjes për tokën e lirë
E vdjekja , Ah, vdekja s’të thotë një çast JO Tinëzisht e fshehur pas tufanit të pret, të than, të godet. Jepma dorën e Kujtimit Ëndrrat t’i kthej Në një shqiponjë që flatron mbi mbi mal, hon e det..
3.Lëreni dashurinë!
1. Lëreni dashurinë të jetë zog i patrembur në degët e e jetës! Lëreni dashurinë Të jetë violinë që kalon në duar mjeshtrish të lashtë! Lëreini dashurinë Të jetë zjarr i madh ëndrrash dritëetur E shtrojani konakun Ku shiu s’të njom e bora të të duket si zjarr bubulak.
2. Bëjeni dashurinë Të dëbojë ujqërit, dhelprat, papagallët. I dorëzoni armët Kur të trokisni një ditë te dyert e saj
Bëni një Kod Që vetëm ju ta dini në labirinte shkallësh Bëni nja kala Dhe e vini si kurorë bedenash paskëtaj.
4.Dëgjomë , miku im!
Mos qesh me mua mik i dashur Kur djersën fshij nga balli im Kur desha malit t’ia kap majën Shpesh u treta në greminë.
Mos qaj me mua, mik i zemrës Kur fjala komb në fyt më ngec Më gërryen malli thëngjillendezur E ma ndrin pragun si një fener.
Ndaj dua sot të ftoj ylberë Mbi sup të tij të pres Agimin Se dua dritë , se dua erë Se dua mjaltë, të mjaltos shpirtin.
5.Zilja e fundit
Mali hapi portat e tha: “Jam unë këtu zot!”
Vitet zbrazën torbat e ditëve S’ka më kthim. Heshtja u martua me fjalën E bashkë vunë kurorë një ditë.
Hapat ndërruan ritin e lashtë Ndalën…
Binte zilja e fundit. O, ç’tringëllimë!
6. Këtu..në PRIZREN
Këtu..në Prizren të gjitha vajzat qenkan Rozafa Në vend të qumështit të gurtë Mëkojnë gëzimin e së nesërmes Në Portën e Besimit asnjë s’e merr mungesën…
Të gjithë Kostandinët kanë braktisur baladat Me Doruntinat pëqafuar i sheh. Nënat e Prizrenit
Të lumtura kanë dale te pragjet Ka ndodhur çudia: Dallandyshet pasjkan harruar që të kin në vjeshtë
7. Do jua sjell mes jush pranvrën
Nëse lulet do të thahen një ditë krejt Do ta sjell vetë mes jush pranverën. E nëse tufani do të bëhej një çast mbret Unë, si kreshnik, i vetëm do t’ia mbyllja derën..
Nëse një ditë do të isha një lypës i ngratë Diku, në një rrugë, me dorën e shtrirë Vetëm lule do të kërkoja, qiell të kaltër . Pranvera të të më ngrohte trupin e ngrirë.
Trokitjet e zemrës mos meken para lules së parë Në duar do mbaj Polen për Stinën e Endrrës I zgjoni me lule sytë e drithëruar të vajzës E bëni një lulishte me përkëdheljet e nënës !
8.Sekreti
Një fjongo Ia hodhëm ëndrrës që të nxirrte gëzhojën e plumbit Po ku t’i gjenim Ca frerë të hekurt që të ndalnim Harbimi e së Keqes Monumentet Prisnin që të ngriheshin në të tjerë piedestale mes tymit Me shkumë lumenjsh Gurë gurë të ringrihej kalaja e Kujtesës
9. Emocion maturanti
Më thanë Që të mbaja dhe unë flamurin e fjalës në Festën e Maturës Me duar të dridhura Si një maturant i thinjur edhe unë fola Më thanë Që t’i shtoja një copë të re blerimit, kujtimit të pathinjur Me ca djersë të ftohta Me mëdyshjen e poetit të vonuar ..edhe unë fola.
Mbeta vetëm Me stapin e fjalës në një fushë të gjelbëruar Ku lulet Çelin si në një përrallë të vërtetë Edhe stapi i fjalës I tëri ishte tharë, ishte thinjëruar Me ca sy të mjegulluar Kërkonte strehën ku të hidhte spirancën e mallit të nxehtë…
10.Kostandin Kristoforidhit
E zgjova vargun tim në një këngë kumurishë Ku fjalëshqipja përkedhel e më ngroh me fjalë nëne . Një zile bie e syrit një lot gëzimi më ngrin E duart me penë e libra më bëhen si flatra kënge.
Në gjunjët e lodhur vë trasta mbushur me shkronja E udhët e Shpatit halor i rimarr me ty, i lumtur Ka mbetur një fjalë e pathënë ku urimin derdh oda Ka mbetur një shkronjë e pashkruar në zemrën e purpur.
E marr më ty udhët e Dumresë liqenore Teksa lirikat puthin valë, zogj , dallandyshe E Himin e Nderimit shpërndajnë si fjongo kaltërore Teksa këmbanat këmbanojnë me dandangat ndryshe.
Si stërgjysh i thinjur bredhëron mes Osumit e Shkumbinit Me ca pelegrinë të palodhur sjell hapat fisnikë. Shkronjat shqipërore rinisin vallen e Nderimit E Haresa ngre flamurin e bardhë të dorëzimit
11. Bajroni në Sul* 1. Mëngjese të turbullta zbardhnin në det prisnin e përcillnin detarë hipur në gemi Binte shi…shi…shi Po vera e tryezës na qënkej më e rralla në botë E këngët s’dihej se nga ç’vargje buronin E s’dihej nga nxirrnin ujë burimet sydlirë
2. Numëronte Suli hapa poeti në udhë mjegullore Kënga zbardhte natën e Oda e Mençurisë shkruante mikpritjen. Suliotët e Lordi bënin garë princërore
Ku juri ishin sytë, jataganët majëmprehtë Dorë e shtrirë e mikut , një derë që hapej pa trokitje.
3. Kolltukët e Londrës shkërmoqeshin para shilteve të ngrohta Shandanet e salloneve mekeshin para qiellit suliot Ç’shkruante ashtu Poeti? Ç’vargje mërmërinte teksa binte nata? Ç’fjalë gdhendëte në letra Që i niste nga larg si dallandyshe mbi Jon?
4. Rënkonte karvani i Poetit nën baule florinjsh Nën një qiell të hirtë ëndrrat ia përkundëte ky djep trimash Malet e Sulit i bëhen miq edhe pse gjuhën aspak s’ia dinë burimet e kalatë i japin një libër të ri historie e gjoksit i mbjellin farë të re vetëtimash.
* Në vitin 1823 poeti i shquar anglez Xhorxh Bajron bëri një vizitë në Sul të Çamërisë që e shprehu poetikisht në poemën e tij madhore “ Shtegtimi i Çajld Haroldit”
12. Zërat e brigjeve të mia
Ma shpuat timpanin e zemrës , o zërat e brigjeve të mia. Më shporrët nga ligësia e gremina e errët. Më bëtë më të menduar hapin e rëndë të udhës E fjalën e thënë ma thatë që ta peshoj më tepër.
Më hapët fustanella të kaltra Me epose trimash Me lëndina lirikash Mes zileve të kuajve që përcjellin dasmorë krojet e vendlindjes nga gjumi i shekujve ç’m’i zgjuat gurin e thatë ma vutë në duar me dashuri Madje dhe ferrën e gardhit ma ngjitët në këmbën e lodhur gjithmonë.
Kacekët e erërave u shpuan nga pëshpërima e piskama juaj O zëra të brigjeve të mia Lavjerrësit e orëve u prishën nga nxitimi përrallor. Ku ishim? Nga erdhëm? Ku do të vemi? Pyesim, përgjigjemi, heshtim dhe ecim në jehonën tuaj si maratonomakë diellorë Ju mbetët cicëronë të një të fshehte te madhe Që vetëm ne, bashkëshqipasit e dimë
Pa asnjë kod ia përcollët një nëne Që mermerin kujtim të vënë në radhë si ushtarët Kur ishim të vegjël Matnim krahëforcën me gurë mbi valët ujore Tani matim ditët Me zëra të trishtuar celularësh.
Me ju në zemër shqiptarisht ngrejmë urimin Pa pyetur për klone kufijsh Brigjeve të zemrve tona rinjomim Dritëkalimin Kujtesës së Historisë i hapim udhën e zgjimit
Zëra të brigjeve të mia, për ju garova me Odisenë Morëm kurora dafine Kur varret ishin në prag të Harrimit të zi. Thura pëlhura me pamje malesh, monumentesh Sa edhe bukuroshet e lashta më patën zili.
Heshtni, Ndalni rremat, varkëtarë të deteve të paanë! Heshtni radarë Piketa të një udhe të pafand që tretet Ku perëndimi një hap është larg nga Lindja. Sirena të funddeteve
Mos më hapni dyer baladash për brigjet e mia Gjer në ngërçin e fundit për to le të më prekë dhimbja.
E ç’rëndësi kanë gjuhët që na rrethojnë Qofshin fjalë dashurie, fjalë drogmenësh Ninulla nënash, zëra vajtocash që klithin e klithin Flasin zërat e brigjeve të mia Që edhe Qiellin e Shtatë si me duar e grisin… Pranë tyre Të gjithë varret rihapen dhembshurisht Të gjitha ëndrrat bëhen trëndafilë qiellorë Të gjitha këngët vihen në radhë për buzët e fëmijëve Të gjithë luftëtarët me droje plagët e luftës tregojnë.
Zëri im Qoftë hiri dhe mali që jetoj nën hijen tuaj!
13. Purteka e mallit
Më ka marrë malli, një mall aq fort po më bren që kur ke ikur ti më ka pushtuar vetmia Gruri ra e lisat e pyllit u thanë krejt
Me mjegull të dendur u mbyt kaltërsia.
Arkiv i fjalës u rizgjua papritur Ç’të qënka ky mal që prushon edhe gurin? O ditë, ku dielli për ne kishte lindur Më merrni me vete si kapedani flamurin.
Mos harroni një libër me faqe tërrudhur ku trëndafili-dhuratë lulëzon përmes fletësh Kurrë s’paska të mbaruar ky libër i bukur si të qe një breg i puthur përjetë prej valëve.
Pres kthimin si të qe një agim i çuditshëm polar Si të qe një burim që rizgjohet mes shekujsh Mos më lini të më godasë purteka e mallit të zjarrtë Mos më lini si lumi pa detin ku çon rrjedhën.
14. Portreti i një qyteti
Miqve të mi ulqinakë
Në Ulqinin e lashtë e të ri
e hodha trastën e ëndrrave në një hon ujor me një dorë të dridhur. Këtu, Çelësat e Shtëpisë të Poezisë i shtrëngoja fort, fort. Të mos humbnin në një majë bjeshke, në një fjalë shqip a në një dallgë të ngritur. S’e di sa do të mallkoja veten kur të prishja dyert për t’u rifutur si në një varkë të prishur..
Uqini qënka vetë ëndrra.. Këtu s’paska nevojë për far as do të ketë ndonjëherë nevojë për qiririn dritëfikur…
15. Seç kam një fjalë , seç kam një peng
Seç kam një fjalë , seç kam një peng sa drurit plak po i vjen goja Një cifël druri më bëhet pendë. Mbi Mal të Kohës ndrin xixëllonja.
Seç kam një peng që bëhet vesë në ato pika bëj shatërvan Me plis ugari bëj Monument, bëhem fontanë edhe vullkan.
Po si u njohëm , po si u ndamë Ia kërkoj pengut me të lutur. Mbi re të bardha do bëhem valë mbi valë të detit do bëhem flutur.
Mbi flatra zogjsh nis fluturim Pa nis një udhë pa gjetur shteg. Ah, ç’ma vyshku vargun tim Ky peng i gjallë, ky peng i blertë
Me tristë të vjetër e blej një qiell ku ka pole, por edhe kostarë. Kur fund të ketë polen i blertë më lini veç një rrënjë për farë
Seç kam një fjalë seç kam një peng…