KËNGËTARJA FATKEQE Tregim Vullnet Mato Pamjet e madhërishme të shuarjes ditore të yllit tonë jetëdhënës, që vdes e ringjallet herë pas here për të na dhuruar jetën, më kanë tunduar t'i sodis sa herë ndodhem në brigjet detare. Lindja e diellit ka një bukuri ngazëlluese, po nuk di pse mua më pëlqen sidomos solemniteti i perëndimit. Ndoshta ngaqë melankolia e diapazonit fantastik të ngjyrave të tij të kuqërremta, gjatë zbritjes në horizontin e kaltërt, i sfidon të gjithë piktorët... Në verën e nxehtë të vitit dymijë e katër po endesha përgjatë shëtitores buzë detit të Vlorës. Ishte pikërisht çasti kur lëmshi i kuq i diellit po fundosej në peizazhin e përflakur pranë Sazanit. Me të hequr sytë nga deti për t'i kthyer nga toka e mbuluar prej muzgut, më tërhoqi vëmendjen një afishe. Lajmërohej për një konkurs të zërave të rinj që zhvillohej atë mbrëmje. Mendova se duke shkuar aty, u gjet edhe mënyra për t'i shtyrë orët para gjumit. Krejt i vetëm, zura vend në rreshtat e parë të sallës së koncerteve, në pozicionin përballë jurisë. Nga të gjitha sa pashë e dëgjova, më bëri përshtypje njëri nga anëtarët specialistë të muzikës. Ai ishte një burrë që e çmova te mosha afër të pesëdhjetave. Ndryshe nga të tjerët, tabelat e tij vlerësues për këngëtarët e rinj luhateshin vetëm te shifrat e larta tetë deri në dhjetë. Madje edhe kur të tjerët jepnin një ose dy pikë. Kureshtja ime zevzeke për të mësuar diçka të re, ngacmohet pikërisht nga disa cingërima të tilla të veprimeve ekstreme njerëzore, ndaj dhe kërkova të njihem me të. Gjëja më e lehtë që mund të bëhet te ne, është të njihesh me njerëzit. Kjo s'kushton asgjë, përveç një pyetjeje të thjeshtë. Lamë takim pas një ore te veranda e një lokali të ndriçuar pranë Ujit të ftohtë. Morëm nga një birrë vlonjate "Norga" dhe gotat tona shkumbëzuan mbi shkumbëzimin zhauritës të dallgëve. Sakaq miku im muzikant filloi të më shpjegojë edhe shkakun tronditës pse ishte aq bujar me këngëtarët e rinj. “Kur mbarova konservatorin për dirigjim dhe më emëruan në atë qytet të largët e të veçuar nga rrugët kryesore, desha të mos paraqitem fare në punë. Por prindërit e mi dhe sidomos babai, më qortuan ashpër që nuk po i përgjigjesha thirrjes për të shkuar atje ku kishte nevojë atdheu. Kundërshtimi im mund t'i kushtonte atij, si kuadër i vjetër, pasoja politike në biografi. Isha emëruar pergjegjës i sektorit të muzikës në shtëpinë e kulturës të Gramshit. Shkova krejt zemërthyer në atë vend të izoluar, ku ardhja e autobuzit të ditës nga Elbasani pritej me aq kureshtje, sa pothuaj i tërë qyteti, dilte në rrugë e nëpër dritare. U mërzita pa masë dhe me mjaft vështirësi u përshtata me jetën prej gjysmë robinsoni që bëja aty. U qetësova disi, vetëm pasi njoha mësuesen e muzikës, me të cilën krijova familje pas një viti. Fill pas pushimeve verore në Vlorën time, po kthehesha tani bashkë me gruan për të vijuar punën. Aty nga ora dhjetë paradite arritëm me autobuz në stacionin e trenit të Rogozhinës. Premë biletat për në Elbasan dhe po prisnim trenin e vonuar prej dyzet minutash. Një grua e re, me një foshnjë disa muajshe në dorë, e ulur në njërin nga stolat e rëndë, më përshëndeti dhe lëshoi vend për mua dhe gruan time. Tha se banonte në Gramsh dhe më njihte nga koncertet në shtëpinë e kulturës. Bebja e saj si top sheqeri, e bukur dhe e shëndetshme, zgjati duart drejt meje. E mora në dorë, e putha në faqet e njoma dhe ajo qeshte aq gëzueshëm, sa më bëri për vete brënda pak minutave. - Si e quajnë? -pyeta të ëmën pas pak.
-Aneta, po Neta i thërresim, - u gjegj ajo duke i buzëqeshur gruas sime, me të cilën kishte filluar një bisedë të kotë, për një ndodhi të rëndomtë provinciale. Vijova ta përkëdhel vajzën vogëlushe, të loz me të e ta puth disa herë, aq sa ime shoqe u detyrua t'i thotë së ëmës: -Beni vdes për kalamajtë e vegjël... Dhe ja, koha me punë më kaloi si fluturimi i një shpendi me krahë të padukshëm. Kërkova disa herë transferimin nga ministria por nuk ma dhanë, për shkak se nuk pranonte rrethi pa u dërguar zëvendësuesi. Unë kisha qenë kali që u kap për të shirë në atë lëmë. Të tjerët nuk pranonin. Nga ky shkak kisha filluar të mos i numëroja më vitet e punës në Gramsh. Aq sa shumë prej të ardhurve më pas më dinin gramshak. Ndërkohë, isha bërë me dy fëmijë, djem. Një ditë, kur isha duke punuar në piano, në derën e hapur trokiti papritmas një vajzë simpatike. -Profesor Beni, a mund të hyj pak? -pyeti ajo me druajtje, duke xixëlluar sytë e zinj nën vetullat bishtngritura si dy bishta dallëndysheje. -Urdhëro! -i thashë duke hequr gishtat nga tastiera e "Parrotit" të vjetër dhe e kundrova vajzën e panjohur me kureshtje. Ajo nënqeshi lehtë dhe u skuq nga druajtja. Kishte një pamje aq të hijshme dhe një freski vajzërore, sa të merrte mendtë. Topolake me këmbët dhe llërët e bardha, gati transparente. -Fol! -i thashë, -Mos ki turp! U përtyp një çast. Dhe pasi dëgjoi kukurisjet e dy shoqeve që e prisnin në korridor, mori guxim: -Më quajnë Neta... Mamaja më ka thënë, se kur kam qenë e vogël më ke mbajtur në duar... Dua të provoj zërin për në konkursin e festivalit në radiotelevizion... E vështrova i pataksur e me sy të zgurdulluar. Ishte një habi tepër e këndshme për mua. Kishin kaluar shumë vite dhe as më kishte shkuar ndërmend, se ajo vogëlushja e dikurshme me emrin Neta, ishte bërë tani një bukuroshe gjimnaziste. Ajo ç’ka po shihja, ishte dëshmia më e qartë e ikjes përpjetë të moshës sime në këtë qytet, i cili, ndryshe nga njerëzit, mezi rritej. -Patjetër, meqë të kam mbajtur në duar dikur, tani ke për të patur nga unë të gjitha privilegjet. Dhe vetëm talentin duhet ta keshë tëndin. -ia ktheva buzagaz. Ajo qeshi me zë dhe unë i thashë: -Thirri edhe shoqet, të të dëgjojnë! Neta zgjati kokën te dera dhe ua bëri me dorë. Ato hynë brënda, përshëndetën dhe mbetën të heshtura. Ishin moshatare me të, por jo me pamjen e saj të papërsëritshme. Bëra disa variacione mbi tastjerë për të çmpirë gishtat dhe e pyeta: -Më thuaj ndonjërën nga këngët që di më mirë! Ajo përmendi nja dy-tri këngë të njohura të muzikës së lehtë dhe unë zgjodha njërën. Kapa disa akorde për të parë deri ku arrinte tonaliteti i saj dhe u intonuam shpejt. Neta filloi të këndonte me emocione të dukshme. I thashë të mbushej me frymë, të qetësohej dhe filluam sërish. Në pak masa muzikore kuptova, se ajo kishte një zë të ngrohtë me ngjyrime interesante. Ndonëse nuk ngjitej në tonalitete tepër të larta, këndonte pastër dhe e lakonte zërin bukur në të mesmet dhe të ulëtat. Lartësitë mund të arriheshin me punë. Kuptohej qartë, kishte nevojë për prova të përsëritura, që të fitonte teknikën e të kënduarit. Dhe gjëja për të cilën nuk kishte fare nevojë, ishte dëshira e madhe për t'u bërë këngëtare. Provuam edhe dy këngë të tjera dhe ramë dakord, që pasi t'u merrte leje prindërve, të vinte çdo pasdite për të ushtruar zërin. Pas shpresave optimiste që i dhashë, ajo iku si dallëndyshe krahëlehtë bashkë me shoqet e gëzuara.
Mendova se Neta nuk ishte ndonjë talent i spikatur, që të tërhiqte vëmendjen e publikut. Por mund të renditej në nivelin e përgjithshëm të masës së këngëtarëve të njohur, po të punonte shumë e me atë ngulm që shpalosi sot për të fituar konkursin. Nga ana tjetër, kërkesën për figurën fizike si këngëtare, e përmbushte plotësisht. Punuam pothuaj çdo pasdite për një muaj të tërë. Neta përparonte nga dita në ditë. Mësëfundi u binda, se tashmë ajo ishte e gatshme të çohej në redaksinë e muzikës në Radio Tirana. Tani edhe dita e përzgjedhjes së këngëtarëve për në konkursin përfundimtar ishte fare afër. Prindërit e saj, mamaja shtëpiake dhe babai punëtor në ndërtim, m'u lutën me besimin e plotë te një prind dyzetvjeçar siç isha unë, ta shoqëroja vajzën e tyre në përpjekjen e parë për të çarë në jetë. Ndërkohë kisha biseduar në telefon me redaksinë e muzikës dhe kisha regjistruar emrin e saj. Morëm leje në drejtorinë e shkollës së mesme dhe në datën nëntë tetor, të dy me Netën, u nisëm për në Tiranë. Zumë dy dhoma teke të veçanta te hoteli "Internacional" për t'u paraqitur të nesërmen në mëngjes në orën tetë para komisionit përzgjedhës. Darkuam në restorantin poshtë hotelit dhe aty nga ora nëntë e mbrëmjes morëm çelësat te sporteli. Dhomat teke ishin të vogla, me mobilim të thjeshtë e të vjetëruar. E porosita vajzën të mbyllte derën me kujdes dhe çelësin ta linte brënda bravës, për të qënë më e sigurt. E ndjeja veten disi të lodhur nga udhëtimi prej katër orësh me tren dhe rashë të fle shpejt. Por krejt papritmas, rreth orës një pas mesnate, dëgjova një trokitje të lehtë te dera. Prita sa të kthjellohesha mirë, dhe pas trokitjes së dytë u çova e hapa. Ishte Neta, me këmishën e hollë të natës. Hyri menjëherë brënda derës sime dhe më një zë të frikësuar tha rrëmbyeshëm: -Sportelisti futi një çelës në derë dhe u mundua ta hapte...Unë u ngrita dhe mbajta me dorë çelësin nga brënda që të mos binte përtokë...U tremba shumë... U habita pa masë nga kjo ngjarje e beftë dhe vura re, se ajo ndjehej vërtetë e friksuar. -Nga e more vesh se ishte sportelisti? -i thashë aty për aty. -Kur nuk e hapi dot, dëgjova hapat e tij nëpër korridor dhe e pashë nga ballkoni që shkoi te dhoma e sportelit... U mendova një grimë të gjej një zgjidhje, si duhej të veproja në këtë ngjarje të papritur. E lashë Netën në dhomën time dhe me hapa të lehtë shkova deri afër sportelit për të konstatuar diçka. Sportelisti i mbrëmjes ishte ndërruar dhe ky i natës po dremiste i mbështetur mbi divanin e sportelit. U tërhoqa mbrapsht me kujdes dhe shkova sërish në dhomë. Neta ishte ulur në cepin e shtratit tim dhe kishte mbuluar supet e rrumbullt me duar. -Duhet të shkosh të fleshë! -i thashë. -Unë do të qëndroj zgjuar për të dëgjuar çdo lëvizje në korridor… -Jo, jo, kam frikë ! -tha ajo pa pritur të mbaroj frazën time. -Të siguroj që s'ka për të ndodhur asgjë, asgjë, - përsërita me besimin e plotë, se do të sakrifikoja gjumin e mëtejshëm, që ajo të flinte e qetë. -Të lutem, profesor Beni, më ler të qëndroj këtu, pranë teje... Hej, ç'më gjeti belaja me këtë zogëz frikacake, mendova. -Mirë, atëherë, ti bjer fli në shtratin tim dhe unë po shkoj në dhomën tënde... -Jo, jo, në asnjë mënyrë, -klithi ajo me një pëshpërimë në formë spazme. -Po më le vetëm, unë sonte do vdes nga frika... E kundrova me vërejtje. Me supet zhveshur dhe kofshët e bardha krejt zbuluar nga këmisha e shkurtër që mbahej me dy fije të holla, ajo dukej si një frut i ëmbël shijeshumë i varur në degë, para së cilës do t'i lëshonte goja lëng edhe vet Krishtit. Por unë ato çaste, duke ndjerë përgjegjësinë që kisha marrë përsipër, nuk mendoja fare për ndjesi të kësaj natyre. -Nuk bën të qëndrosh këtu, -i thashë me ton të qetë.
-Pse, kërkon me çdo mënyrë të më heqësh qafe? - tha ajo papritmas, me një nga ato nënqeshjet e lehta provokuese, që dinë t'i sajojnë vetëm femrat. -Ne kemi ndenjur pranë aq kohë në prova, dhe s'të ka gjetur gjë...Pse të mos rrimë edhe sonte... Nënqesha lehtë me arsyetimin e saj naiv. -Këtu ndryshon puna, -i pëshpërita me zë të lehtë, që biseda e nisur të mos depërtonte jashtë derës. -Dhoma e gjumit nuk është dhoma e pianos. Veç kësaj, unë jam burrë i martuar me dy fëmijë dhe ti një vajzë e re. Asnjërit nuk i intereson të bëhet objekt i fjalëve të kota që mund të lindin pas kësaj nate. Ajo heshti një grimë. -Po asnjëri nga ne nuk merret me ato fjalë që thua, se nuk jemi kalamaj. Aq më tepër, kur unë dua vet të qëndroj sonte me ty... -Pse do të qëndrosh sonte me mua? - e pyeta enkas për të saktësuar qëllimin e vërtetë të saj. -Ti, më ke mbajtur në duar, qëkur isha gjashtëmuajshe, pse s'do të më mbash edhe tani që jam rritur e mendoj gjithmonë për ty. Kaq e rëndë jam bërë tani për duart e tua? Shqeva sytë mbi të, krejt i habitur me guximin e kësaj vajze të re, për të shprehur më çiltërsi të tillë fjalë të kësaj natyre. -Pikërisht, se të kam mbajtur në duar gjashtëmuajshe, nuk mund të të mbaj tani, që je bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç. Sepse rëndesën tënde do të më duhet më pas ta mbaj edhe në ndërgjegje. -i thashë gjithnjë qetësisht. -Të dua shumë, profesor Beni, vetëm zoti e di sa të dua unë ty... -foli tashmë fare shkoqur, duke iu dridhur zëri nga emocionet. Kisha mbetur krejt i befasuar me vendosmërinë e saj për të shpalosur ndjenjat kaq hapur. Gjatë kohës që bënim prova, ajo paskishte rënë në dashuri dhe unë, duke qenë i pavëmendshëm, isha treguar krejt mospërfillës. E përmblodha veten në çast. -E shikon si më quan? Unë jam profesor për ty, jo dashnor... -i thashë me durim. Psherëtiu lehtë dhe më shigjetoi drejt në sy. -Për mua je profesor dhe i dashur, si nuk mund të jetë askush tjetër... Veçimi prej të tjerëve, më dha shkas të interesohem atë çast për intimitetet e saj: -Ke shkuar me ndonjë djalë? -Jo. -tha prerë. -Jam siç më ka bërë mamaja... Si atëherë kur më more në duar... -E pse tani më thërret mua, dyfishin tënd, ta bëj atë gjynah? Kapërdiu pështymën dhe pastroi fytin lehtë. -Sepse po të mos jesh ti, i miri për mua, do të jetë një çunak llafazan i keq, që do t'u lavdërohet shokëve: "Shtiva Netën në dorë!" siç ka ndodhur me shoqet e mia. Unë edhe nuk dua të mbetem pas shoqeve për ato që më kërkon mosha, po edhe dua që dashurinë time të parë të ta dhuroj vetëm ty, që e meriton plotësisht shpirtin tim… Më mahniti, më la pa mend logjika e saj lakuriqe. -Tani të tërheq tek unë bukuria e artit muzikor me të cilin merrem, po më vonë do të më mallkosh... -Kurrë ! Mua më tërheq shpirti dhe zemra jote... Mendova vetëtimthi se nëna dhe babai i saj, gruaja dhe fëmijtë e mi flinin të qetë këtë mesnatë dialogu pëshpëritës në dhomën e këtij hoteli të largët. Flinin me besimin e palëkudur tek unë, dyzetvjeçari. Ndërkohë, kjo nimfë e bukur, më pak se gjysma e moshës sime, kjo adoleshente marramendëse, që të tundonte aq sa të mpinte trurin me feminitetin e zhveshur dhe logjikën e saj rinore, ngulmonte të kërkonte nga unë pabesinë… Mirëpo tashmë u kuptua qartë, se puna e sportelistit kishte qenë vetëm sajesa e saj. Dhe kjo më zemëroi shumë. U çova nga karrigia ku kisha qëndruar dhe i thashë me ton të prerë:
-Vajzë e mirë, largoi nga koka ato mendime absurde dhe bjer e fli këtu, se unë po dal të marr pak ajër te dritarja e korridorit derisa të gdhihet. Në të kundërt, nesër në mëngjes e lëmë radion dhe nisemi drejt Gramshit... Ajo më hodhi atë çast një vështrim keqardhës të atillë, që tregonte fare qartë, se ishte vrarë mjaft rëndë shpirtërisht. Pastaj uli kryet dhe filloi të përlotej. Unë dola jashtë dhe prita lindjen e diellit. Të nesërmen krejt serioz me njëri-tjetrin shkuam në radio. Ajo këndoi dy këngë para komisionit përzgjedhës dhe fitoi të drejtën për të hyrë në konkurs. Gjatë kthimit me tren qëndruam në stolat përballë dhe unë i vërtita bisedat rreth konkursit përfundimtar që do të bëhej më njëzet tetor. Por në të vërtetë, bluaja në tru ndëshkimin për sjelljen e mbrëmshme të saj. Gjë që më bëri të mendoj se nuk mund të vazhdoja më tej të merresha me shoqërimin e kësaj vajze hoteleve dhe sallave të tjera. Isha mësues për të dhe krahas punës që kisha bërë, duhej edhe të përdorja metodat e mia strikte, për ta bërë të mendonte, se kësaj here ajo do të humbiste për fajin e saj. I palëkundur në vendimin tim, pas pak ditësh e lajmërova Netën, se gjoja komisioni përzgjedhës e kishte shkurtuar listën e konkursit përfundimtar, për shkak të fituesve të shumtë. Pas kësaj, dikush nga shoqet e veta më tha, se ëndrra e saj e përmbysur papritmas, e kishte bërë të qante disa ditë me radhë. Nuk më erdhi keq aspak, sepse një reagim të tillë e kisha paramenduar, qëkur vendosa të mos e çoj në konkurimin përfundimtar… Më pas ndodhën ndryshime të rëndësishme në jetën e vendit. Unë shkova të punoj në qytetin tim të lindjes dhe Neta mbaroi të mesmen. Më tej mora vesh, se një djalë mashtrues i kishte premtuar martese dhe e kishte shpënë të shfrytëzohej poshtërsisht te semaforët e Italisë. Ky lajm krejt i papritur për mua, më tronditi e më hidhëroi aq shumë, sa u pendova thellësisht për dënimin tepër të rëndë që i kisha dhënë asaj vajze këngëtare me ndjesi të spikatura. Mund të kishte çarë në jetë nëpërmjet rrugës së këngës, për të shpëtuar nga ajo gremisje mynxyrore që kishte pësuar. Dhe që nga ai çast, ndjeva me dhimbje, se pesha e gjashtëmbëdhjetë viteve të atëhershëm të saj, nga e cila u mundova të shpëtoj, do të vazhdonte të rëndonte mbi ndërgjegjen time për gjithë jetën...” Birra " Norga" më ngeci në fyt. Vura re se edhe sytë e Benit ishin lëngëzuar. Ndoshta nga tronditja që më shkaktoi rrëfimi i tij, befas atë çast m’u krijua një përfytyrim i çuditshëm. Shkumbëzimet e bardha të dallgëve të fuqishme, që era e fortë i sillte nga përtej detit dhe i pëplaste pas shkëmbinjve, m’u dukën si fustane nusërie të shkyer nga Otrantoja. E cila, pasi merrte vajzat tona fatkeqe, kthente mbrapsht veshjet e dasmave të tyre të mohuara.