MELOS I SHPIRTIT POETIK QË SFIDON ‘VUAJTJET’ NËPËRMJET PROZËS (Rreth krijimtarisë së shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj) Fatmir Terziu Vilhelme Vranari Haxhiraj nuk dëshiron të njihet si poete, pasi ajo nuk e quan veten të tillë por për prozën ajo shprehet se “më dhemb në shpirt, më gufon zemra kur e analizoj personazhin deri në qelizë”. Kështu Poezia për shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj është një sintezë e asaj që e mundon gjatë rrëfimit apo reflektim i padrejtësisë që ndeshim përditë. Kur nisa të përkthej poezinë e Vilhelme Vranari-Haxhirajt në gjuhën angleze në mendje më silleshin fraza dhe vargje që lidhen me të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Tredimensionaliteti filozofik i vargut rrekej në një substancë organike që dilte nga thellësia e shpirtit. “Loti nuk ka faj” (1996) dukej se ishte pikërisht ai gur diamanti që prodhonte kënde, konfiguracione dhe hapësira për të thelluar arsyen e leximit dhe analizës. Më pas kur mora në dorë vëllimin poetik “Të pres…” (2000) natyrshëm largësia, hapësira dhe vetë koha në këtë lidhje ishin aspekte sa metaforike aq edhe proverbiale. Mbi çdo fjalë ka një arsye, mbi çdo varg prehet një mesazh. Pakkush mund të vejë në dyshim hapësirën e ‘lotit’ të lexuar në poezinë e kësaj autoreje, pakkush! As edhe ata që e shohin se është poezi e dalë nga ‘vuajtja’ dhe as ata madje që shohin vuajtjen si frymëzim të kësaj poeteje. Po të supozohet poezia e Vranari-Haxhirajt, e krijuar nga ‘vuajtja’, atëherë si mund të mendohet që kjo poezi është një simbolikë jete?! Jeta ka mjaft hapësira veç ‘vuajtjes’ si proces… Ajo në fakt është një simbolikë jete, që ka anashkaluar vuajtjen, pasi është e tillë tolerante, zemërgjerë dhe bashkëkohore. Është një poezi që vjen nga hapësirat e errëta dhe shtrihet
gjerë e gjatë në hapësirat e lirisë, vyrtytit dhe respektit. Është një simbolikë që vjen nga shpirti dhe i falet buzëqeshjes. Një simbolikë që vjen në tre mënyra për lexuesin. E para e vendos poezinë në interaktivitetin e lexuesit, e dyta intensifikon jetën mes figurave retorike dhe përsëritjes dhe e treta e sjell arsyet ‘konceptuale’ të gjykimit dhe njohjes së realitetit. Një nga estetët më në zë të kohëve tona, Howell D. Chickering, duke analizuar poezitë e ‘vuajtjeve’ në librin e “V” të Troilus shpjegon se stigma e prodhuar nga sensibiliteti i vuajtjes e bën poezinë ‘të pakontrollueshme’, sepse poezia në vetvete është e tillë, është një projekt që lidh marrëveshje të heshtura mes shpirtit dhe lexuesit (Chickering, 2000:243). Kështu duhet kuptuar edhe poezia e Vranarit. Kështu duhet lexuar e analizuar, kështu duhet menduar e komentuar kjo poezi. Si shembull le të argumentojmë me poezinë: “Më bastard se koha” apo edhe me “M’u tretën ëndërrat”. Poetja nuk nxjerr mllef, nuk akuzon, nuk depërton në detaje, nuk rrëfen. Ajo me filozofinë e jetës i drejtohet kohës: “Me krahëhapur më prite,/o jetë! I brishtë,/i pafajshëm si fëmija, në gjirin tënd/zura vend…”. Pra siç shikohet qartë Vranari-Haxhirajt nuk lejon aspektin ankimor të mbizotërojë, por krijon dhe madje ‘shuhet’ gjithë ajo ‘vuajtje’ duke përzgjedhur me në të diskursit të jetës moralin dhe sintezën e aspektit psikoanalitik. Në këtë pikë na vjen në ndihmë me teorinë e tij, filozofi Deleuze, ku sjell në pah ‘energjinë e poezisë’. Deleuze prezanton një konceptim të ‘energjisë’ që është një linjë me konceptin poetik në fjalë. Qëllimi i tij është për të zbuluar sfidën e energjisë që mbruset në zemër të poemës, si një fjalim-akt kuptim për tërë atë që lidhet me jetën e autores, apo edhe nëkuptimin e jetës së saj. Kështu poezia “Jemi larg” është një arsye e thjeshtë për të kuptuar këtë ‘energji’ që shuhet nga largësia dhe që mbetet në shpresën e ‘trokitjes te porta e fëmijërisë’. Autorja shkruan: “jemi larg, ’shumë larg, motërza ime./Po një ditë/do të trokasim te porta/e fëmijërisë sonë…”. Në këtë poezi shihen qartë ‘gjurmët’ e jetës, energjia që rruhet e fuqishme që nga koha kur ‘luajtëm sylla-mbylla’ apo edhe kur ‘lotët do të rrokullisen’. Duke iu referuar fëmijërisë, asaj moshe të brishtë e të pafajshme, natyrshëm poetja nxjerr në pah fuqishëm dëshirën e saj për të anashkaluar vuajtjet, për të prurë në mesin e lexuesve simbolikën me të tre dimensionet e lartcituara. Disa poezi të poetes përqëndrohen mbi aspektin jetik si arsye që ka parasysh: kuptimim dirigjues të energjisë së brendshme, duke shërbyer me vargun dhe fjalën e saj për të ofruar atë si një ‘tel që realizon lidhjen e energjisë elektrike’ në një proces elektrik. Kjo vjen nga poezia “M’u tretën ëndërrat”. Aty shkruhet: “M’u tretën ëndërrat…/Ç’u bënë?/shkuan,/vanë…/si kripa u tretën,/në dete dhe oqeane.’. Për të vazhduar më tej dhe për ta bërë më të qartë le të marrim këto vargje nga “M’u tretën ëndërrat”: “Më avulluan ëndrrat, në elektrone u shpërndanë,/ato në univers…” Kur Herta Muller fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në tetor të këtij viti, autori që e përktheu atë në anglisht shihte se si vepra e saj “Pasaporta” kishte në dispozicion të lexuesit shijen e punës së saj dhe jo vuajtjet e saj. “Për fat të mirë, ajo duket të jetë një shembull i mirë i temave të përsëritura të saj që parashtrojnë stilin e rrallë në prozë”, do të shkruante për këtë Erin Britton në Nëntor të këtij viti. “Pasaporta” tregon shpresën e jetës nën diktatin e regjimit të Çausheskut të përjetuar nga Ëindisch Muller, një gjerman etnik, i cili dëshiron që të shpëtojë jetën e tij dhe të tjerëve në Rumani dhe kështu që aplikon për një pasaportë për lirinë dhe lirinë e Perëndimit. Kështu ky karakter i Muller është një lloj skalitje që
prezanton kohën si një dimension në tërë aspektin e numërimit të viteve, ditëve dhe orëve dhe këtë e bën cdo mëngjez. Ditët e errëta të regjimit totalitar të Çausheskut në Rumani janë aq të domosdoshme të kujtohen, të prezantohen ashtu sic ata ishin dhe janë ende të tmerrshme për t’i sjell ndërmend. Por ndërsa Ëindisch, karakteri i Muller, mund të jetë vetëm një njeri, puna e rëndë dhe depresioni i jetës së tij janë reflektime të ashpra mbi vuajtjet e të gjithë komuniteteve. Këtu fiton ‘energjia’ e brendshme e autores me ‘mllefin’ tipik e kundërshtues në krijimtari. Suksesi më i madh i Muller tek ‘Pasaporta’ është pikërisht aftësia e saj për të portretizuar me qartësi absolute shpresën për jetën, dëshirën e jetës larg vuajtjeve si ‘qarje’ dhe pse momenti i keq që mund të infektojë shpirtin e njeriut vjen nga fuqia e pushtetit dhe pushtetarëve vendorë dhe atyre lart që ndjekin jetën madje dhe lehtësia me të cilën Qeveria dhe sistemi i burokracisë mund të triumfojnë mbi vuajtjet e njerëzimit. Këtu është pikërisht ajo që e bashkon këtë autore me tërë krijimtarinë e Vranari-Haxhiraj. Kjo lidhje nuk është vetëm tek ‘vuajtja’ si aspekt metafizik në fushën e letërsisë dhe filozofisë, por edhe në tërë krijimtarinë e saj që ka lidhje me strukturën psiko-socilae të prozës.
Romane psiko-socialë me vlera të mëdha atdhetare Aristofani thotë, “atje ku është përparimi është dhe atdheu im”. Kjo thënie filozofike është edhe një nga udhërrëfyeset e tërë trilogjisë së romanit prej më se 1200 faqesh, “Vështroni Meduzën” të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Është një udhërrëfyese e heshtur, por me plagë të ndjeshme në zemër, thuajse në tërë krijimtarinë e saj të bollshme. Plagë që vijnë pikërisht nga ai virtyt i hershëm dhe besim i patundur në përparimin e Atdheut të saj, në begatinë e atij vendi, për të cilin u mohua, u sakrifikua pa shkak e arsye. Kjo duket edhe në fjalën që poeti i mirënjohur shqiptar, Xhevahir Spahiu, thotë: “si mbiemri i shoqes sime të shkollës pedagogjike Vranari, e tillë, e vranët ishte dhe jeta e saj. Duhej kohë që qielli të hapej dhe Vilhelmja ta kishte fjalën e vet.” (Spahiu: 2006:6). Por jo vetëm kaq për poetin shqiptar “Ajo vjen si Antigona për të qetësuar dhe mjekuar shpirtrat e lënduar të shqiptarëve” (Spahiu po aty). Libra si romani “Dhembje nëne“ të vlonjates, Vranari… shkruhen rrallë…”, thotë shkrimtari nga Kosova, Rifat Kukaj. Dhe në këtë udhërrëfesë letrare autorja me penën dhe mendjen e saj sqaron se vërtet ajo është “krenare që është bijë e Kaninës, pasardhëse e familjes së Gjergj Arianitit”. Për të në vendlindjen e saj është përparimi, aty është Atdheu! Është përparimi, edhe pse ky i privuar për një pjesë si ajo, ‘për gjysmën e shqiptarëve’ siç shprehet vetë autorja, po aq është edhe hapësira dhe vendi në tërësinë e munguar. Në atë hapësirë të së tërës ku ajo u mohua dhe u privua disa herë. Por, edhe pse e tillë rrodhi jeta për të dhe për fatin e saj, ajo “ka ardhur në strofën e shkrimtarëve si një kirurge me përvojë, që me bisturi ka nisur të operojë plagët e vjetra dhe të reja të shoqërisë shqiptare” (Odhise Grillo: 2006:6). Dhe jo më kot vetë autorja i quan këto tre romane ‘psiko-sociale me vlera të mëdha atdhetare, shoqërore dhe artistike” (Vranari: 2006:8). Duke kapur pikërisht këtë aspekt të psiko-sociales në romanet e saj, apo më saktë në tërë krijimtarinë e saj të pasur në të gjitha zhanret, duhet theksuar se ajo ka lëvruar në poezi, fabula, tregime, skica,
novela, letërsi për fëmijë, romane, skenare etj., unë mendoj të trajtoj atë që lidhet më së shumti me shqyrtimin e marrëdhënieve mes modernes letrare dhe narratives historike nëpërmjet udhëtimit në kohë, vend e hapësirë, për t’i afruar lexuesit dhe studiuesve të veprës së saj, njohje më të frytshme të perspektivës dhe psiko-sociales në tërë krijimtarinë e autores Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Duke lexuar dhe shënuar kundërshtinë e narratives, duke përdorur analizat historike dhe letrare, unë do të synoj të depërtojë në tërë aspektet psiko-sociale që garanton autorja për të bërë më të lehtë të kuptuarit se si disiplina e letërsisë është zhvilluar në këtë kategori të romanit që u lëvrua në Shqipëri, pikërisht nga kjo kategori shkrimtarësh ‘të quajtur të vonuar’, për arsye të shpjeguara më lart. Në përgjithësi studiuesit kanë theksuar se pikërisht nga ky brez krijuesish, ‘nga kjo magazinë e artë vlerash’, ka ardhur një risi e re në shkëmbimin e vlerave të ndryshme, përfshirë edhe ato psiko-sociale, si një pasqyrë e kthjellët për të njohur historinë dhe thelbin e saj të konsumuar ndryshe. Shembujt janë plot. Kujtojmë Pjetër Arbnorin, Uran Kostrecin, Visar Zhitin, Uran Butkën, Fatos Kongolin, Agim Mustën, vetë autoren e marë në konsideratë, Vilhelme Vranari (Haxhiraj) etj., dhe natyrshëm kuptojmë arsyen e lartcituar. Pse themi kështu pikërisht për krijimtarinë e shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj)? Së pari, rasti në fjalë duke lexuar veprat e saj, më së shumti trilogjinë e saj, vetvetiu fokuson historinë dhe statusin e saj ndaj këtyre lidhjeve psiko-sociale të historisë si një tekst, më saktë si një tekst letrar, të joshur nga diskursi “letrar” i llojit të ri. Kjo autore, po ashtu edhe autorët e kësaj kategorie, e përdorin rastin e historisë së një gjini disiplinore që del nga ankthi i magazinuar nëpërmjet inkorporimit të dijes dhe njohurisë për rrethana të ngjashme apo sublime të historisë. Për shembull autorja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka realizuar trilogjinë “Vështroni Meduzën”, duke përdorur materiale të marra nga “Arkivi Qendror Shqiptar”, “Muzeu Historik i Vlorës”, “Biblioteka Kombëtare”, “Enciklopedia shqiptare” etj,. Por kjo nuk është thjesht një ‘arkivë’ për të realizuar veprën e saj. Ajo është një shtysë historike për të fokusuar arkivën e saj të magazinuar në vite në memorien e saj. Ky rast mjafton të shohësh dhe përzgjedhësh brenda nocionit psiko-social tërë vlerat që autorja i përcjell nëpërmjet diskurseve të saj të kuriozitetit, spektakolares, ambientales, afreskes, gotikes, romantikes, sensacionales, që në fakt sipas secilit diskurs përshtaten dhe përshkruhen klasat e veçanta, ngjarjet, lidhjet, nënë-gjyshembesë-nip-bijë-dhëndër, apo edhe më tej me natyrën në takimet në Itali, ku metafizika kryen rolin ndihmës në dobi të këtyre diskurseve. Këtu dalin rrjedhshëm dhe thjesht e saktë të gjitha disavantazhet historike, lexohen profesionalizmat dhe përfitimet që vijnë nga udhëtimi në hapësirë, vend dhe kohë, të cilin shkrimtarja e kryen në mënyrë të përsosur. Është një fakt që vjen nga kjo pikë. Në studimet e mëparshme, apo edhe në kritikat e hershme, shihen baza të ngulitura nga ideologjizmat dhe teori që synojnë kah tendencës së ngurtësimit të materialit tekst në krijimtarinë shqiptare, gjë që edhe sot nëpër gazeta apo fjalime nga kritikët dhe studiuesit e këtyre veprave synohen terma ‘eksperimentale’ për të dalë nga ajo rutinë e hershme, që në fakt deri diku dëmton edhe krijimtarinë, pasi fjalët e kritikës dhe analistëve nuk kapin thelbin bashkëkohor, por hendekun e daljes nga rutina. Disa, madje edhe autorë e krijues, këtë ‘eksperimentalizëm’ e pëlqejnë në kritikën shqiptare, sepse u del ‘me fjalëngrohtësi’, por kur bëhet fjalë për daljen e vlerave të veprës, zor se gjen dy fjalë për t’u mbështetur e dalluar njërin autor nga
tjetri. Pikërisht këto eksperimentalizma me tendenca post-ideologjike, e kanë sfumuar rolin e diskurseve, madje e kanë kthye në tendenca konfliktuoze. E dyta, është se romani i shkrimtares shqiptare, huazon nga rasti historik një tematikë me vlerë. Trendi në kritikat e fundit ka qenë për të identifikuar dhe vënë në dukje krijimet e saj si ‘modele’ të shkruara në një moshë jo-relativisht të re, por më tepër kanë harruar se aspekti dhe rasti historik për autoren është një kalibër i mprehur hershëm, që në atë kohë kur ajo studioi, por u privua, kur punoi si mësuese, dhe u harrua për t’iu nënshtruar ‘edukimin në kudhrën e kuqe’, është një kalibër që tashmë qëllon vetëm në shenjë. Kjo mund të lexohet si një ngjashmëri në tekstet e kritikëve më të fundit si Nancy Armstrong, Lennard Davis, J. Pali, Michael McKeon, dhe të tjerë që kanë diskutuar rëndësinë e magazinimit të historisë për të prodhuar modele romanesh si këto që shkrimtarja i gatuan me zellin e shpirtit, talentin e saj të mbajtur gjallë dhe vlerat e magazinuara në vite. Rasti i historisë që detajon shkrimtarja, edhe pse kryesisht ka mbetur pa përgjigje nga kritika në promovimet e romaneve të autores, apo edhe në recensat e analizat për krijimtarinë e saj, vetvetiu jep një shembull bindës me narrativin, narrativin që synon zhvillimin e një modeli të ri, që ilustron rëndësinë e retorikës në ndërtimin e strategjive të disiplinës si ndryshim jetik dhe domethënës në shërbim të brezave. Vetë autorja u drejtohet të rinjve të shekullit të ri “jetojeni jetën se është e bukur. Mos u bëni preh e intrigave të kohës së vrazhdë që tjetërson njeriun, mos lejoni, jo vetëm kohën, por askënd që të vrasë shpirtrat tuaj të dëlirë…” Edhe pse me një tematikë ndryshe “Rrëfime në të perënduar” është thuajse një model koherent që buron nga ky subjektivitet i akumuluar. Në këtë libër, ku spikat potenciali intelektual dhe profesional i femrës, njëkohësisht autorja tregon se sa dhunues, i dëmshëm dhe ndrydhës është një stereotip, kur ai pranohet nga vetë ai segment i shoqërisë që gjykohet prej tij. Ky libër ashtu siç thuhet është një hapësirë e hapur për të zbuluar veten si të strukur diku mes mijëra shkronjave dhe pa dashur për të belbëzuar: “Kjo është edhe jeta ime, edhe jotja, edhe e asaj…” Ndaj autorja i ka dhuruar lexuesit: “Një libër për të gjithë“, si në të gjitha librat e saj, edhe kur ajo shkruan për një kategori të caktuar, aty fap përfshihet e gjitha, e gjithë përvoja e saj si një bagraund për të gjithë. Ajo i ofroi kështu romanit të saj një model i cili del në llojin e trilluar të tregimit si status më vete, dhe po aq nga përpjekja për të përfaqësuar historinë, me një mori ngjarjesh që pasojnë gradualisht nën sytë e saj udhëtues, dhe që janë organizues hap pas hapi të asaj që lidhet me interesin historik të fateve të Atdheut, të ndërlidhura këto si sublimitetet mbi rëndësinë e madhe. Së treti, formalja dhe evoluimi i përgjithshëm si epikrizë shpirtërore në romanin e saj është afërsisht si një gjurmë jete, dhe ndriçon, atë të një lloji të ri. Ashtu, si një epikrizë psikoanalitike ajo lë gjurmë në një shteg të mbushur nga “kuriozja” si një model ndjeshmërie e epikrizës që përshkroi njeriu i saj, përmes realizimit dhe organizimit të fjalës ‘klinike’, dedikuar për interpretim të saktë të sipërfaqeve, dhe së fundi nektarit të brendshëm Oepidial që konceptohet në psikoanalizën e Frojdit. Pra si një lloj i ri, ai shihet qartë të demonstrojë, një fillesë me lidhje realiste të mbushura me frymë romantike e kritike të autores në bisedat dhe komunikimet e saj, duke argumentuar edhe faktin dhe fatin e tij historik. Së fundi, trilogjia e shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ndan një nga shqetësimet kryesore të një lloji të ri: si të tregojë aspektin jetik në mesin e njohurisë që del nga arsyeja e logjikës së vetë autores. Romanet e shkrimtares nuk kanë thjesht
dëshmimin jetik-personal për të rishkruar pjesë të jetës apo riskun e jetës së saj, si një temë më vete, por shërbejnë si një mekanizëm logjik për prodhimin e subjektivitetit në shërbim të lexuesit. Natyrisht, përmes narrativit në tekstin e saj, duke kombinuar njohjet dhe materialet e mëparshme të historisë, ajo fsheh me durim ‘autobiografinë’, po aq edhe kronikën e vëzhgimit, dhe nuk ndihmon thjesht që të krijojë një imagjinatë, por një të vërtetë historike që nënshtrohet mes penës dhe fakteve sublime të saj, pra sjell modelin koherent që buron nga subjektiviteti i akumuluar nga përvoja i saj. Ndoshta edhe fjala e kritikut të hershëm shqiptar, Kallulli vjen në ndihmë në tërë këtë vlerësim për shkrimtaren, kur deklaron: “Vilhelmja është shkrimtare unikale…Pasuria jetësore që sjellë në mijëra faqe…është mbresëlënëse, autentike, dhe në shumë aspekte e papërfshirë në vepra autorësh të tjerë. Më e rëndësishmja, më e veçanta është interpretimi thellësisht demokratik që ajo iu bën ngjarjeve, personazheve, realiteteve shqiptare. Kjo vlerë e saj ideore-botëkuptimore është një prurje shumë e rëndësishme në letërsinë tonë. ” (Prof. Dr. Adriatik Kallulli, kritik, estet letrar).
Subjektiviteti i prozës dhe aspekti historik Në tërë prozën e saj autorja subjektivitetin e akumuluar nga përvoja dhe jeta e saj e fokuson në elementin femëror, duke peneluar gruan me të gjitha vlerat dhe artificat e saj. Aftësia e saj prozatoreske shpie këtë fokus pastaj nëpër detaje të tjera ku historia është një zhbirim ekuacionesh enigmatike të përfshira në skutat e shoqërisë dhe vetë historisë. Është ajo që Butka dikton publikisht: “Me veprat e saj autorja nëpërmjet mesazheve që jep, i bën një nder kombit. Përmes veprave psiko-sociale, Vilhelmja i bën autopsinë shoqërisë sonë dje dhe sot.” (Uran Butka) Duke lidhur aspekte historike që konvergojnë në një pikë, familjen, aspektin e saj ekonomiko-social, apo psikosocial, të tendosur nën fat-pushtetin e parasë, Vranari, përcjell një kronologji temporale risish dhe dikton arsyen e thënies së Hasan Zyko Kamberit për ‘pushtetin e parasë”. Dhe më pas në tërë përshkrimin artistiko-letrar të shkrimtares problemet që lidhen me paranë janë diçitura jete. Janë të tilla, pasi vetë agresiviteti dhe mondanizmi lustër i një shoqërie problematike i prodhon si të tilla. Janë taksat, që sillen si një kamuflazh i paaftësisë dhe trillit korruptiv qytetar që sillen si fakt, por edhe ‘aritmetika racionale’ që vjen nën mentalitete kalimtare. Udhëtimi tipik i autores që zbulon këto fakte dhe detaje nuk është një udhëtim i stisur, as edhe imagjinar, por një udhëtim që prudizon aspektet historike duke i pikëtakuar ato me kohën. Kështu vendi, koha dhe hapësira janë tre pika ndërlidhëse që ndeshen ngeshëm në trilogjinë e autores, po aq edhe në tërë krijimtarinë e saj. Vranari e shtron të shkuarën duke vënë e në sitën historike, e zbulon të sotmen në tërë shumësin e saj dhe e parapërgatit të nesërmen si një tufë me aromë germash dhe fjalësh plot nektar. Me këtë nektar të mbledhur viteve të jetës së saj plot sakrifica ajo i dëshmon dhe i ridëshmon historisë me penën e saj, por edhe zbulon perlat e shtrenjta figurative shqiptare si ‘patkonjtë e kuajve lëshonin xixa dhe dukej sikur nuk e preknin tokën’ (“Prolog jete” faqe 133) apo po aty “errësira e kohës më përfshin me terrin e saj” (faqe 66), “nuk mbahet nepërka në gji” (faqe 242) dhe më tej tek romani i dytë “Vështroni Meduzën”: “gruaja sjell bukurinë e jetës dhe
qetësinë e shpirtit” (faqe 138), “bukuria magjepsëse e natës” (faqe 174) dhe tek romani i tretë nga kjo seri “Dilema e së nesërmes”: “mundja gjithë mllefin dhe mallin” (faqe 62), “tjetri të fal gomarin, ti e shikon nga dhëmbët” (faqe 286) etj. Por ‘nektari’ i dalë nga pena e saj shpërndan farën patriotike shqiptare nga njëri cep në tjetrin, në një gjeografi të gjerë, në një hapësirë tërësisht shqiptare dhe të lidhur me aspektet shqiptare, kur kjo hapësirë i përket të huajës. Në këtë gjeografi është edhe larmia e figurave reale historike që udhëtojnë në hapësirë, vend dhe kohë, e që vijnë në një kronologji të plotë e tepër domethënëse. Në tërë këtë kronologji domethënëse është edhe besimi tek Zoti, besimi që nën fjalën e autores radhit e flet qartë, si psh kur sjedh rastin e Safet Butkës (“Prolog jete” faqe 190): “Unë e çmoj shumë për mendjen e hollë që ka. Njerëz me intelekt të tillë i duhen Shqipërisë, që të eci krahas vendeve të tjera perëndimore. Këtë orientim jep ai. Duke pasur parasysh përbërjen e shqiptarëve me tri besime fetare, ai jep mesazhin e vëllazërimit dhe mirëkuptimit: “Kurrë mos u bëftë Shqipëria pa të krishterët!”.
Lidhjet historike dhe dëshmia prozaike Krahas kësaj Vranari sjell herë pas here edhe këngë të hershme me vlera historike. Arsyet e prurjes së këtyre këngëve, janë parantesa që dëshmojnë lidhjet historike të shqiptarëve mes folklorit dhe vlerave të krijuara nga vetë ata. Këngët janë aspekte filozofike që parashtrojnë momente interesante. Këto momente interesante që më pas kërkojnë emergjencën e shkrimtares për të siguruar komplet kuptimin e nocionit filozofik hapësirëvend-kohë. Ajo në tërë prozën e saj vendos edhe lidhjet e ndryshme historike midis shqiptarëve të ndikuar nga arsyet kohore dhe ndonjëherë edhe pragmatike. Kështu në faqen 122 të “Prolog jete” aspekti historiko-analitik i lidhjeve krushqi-miqësi midis familjeve është dhënë si një aspekt që dikton forcimin e pozitave të tyre politike dhe ekonomike. Por këto lidhje janë aspekte, jo thjesht historike, ata janë domosdoshmëri për të theksuar e sqaruar aspektin historik nga kjo pikë, por edhe për të diktuar një nga zërat më në zë të letërsisë femërore bashkëkohore në Shqipëri. Mujë Buçpapaj shton duke plotësuar në mënyrë të fuqishme zërin e saj në letërsinë bashkëkohore: “Duhet të të digjet shpirti si zjarr që t’u thuash të tjerëve diçka. Ky mendim të vjen në mend kur ke përpara librat e njërës prej zërave identikë të letërsisë bashkëkohore shqiptare, të shkrimtares më interesante të letërsisë sonë …” (Mujë Buçpapaj, gazetar. shkrimtar) Kështu në tërë krijimtarinë e saj ajo dikton një udhëvazhdim të asaj që ne e kemi ndeshur edhe më parë në krijimtarinë shqiptare, sidomos tek shkrimtari ynë Petro Marko. Odhise Grillo në fjalën e tij për këtë pikë shprehet: “Petro Marko s’është më. Por ja, sot e kemi sot mes nesh.” (Prof. Odhise Grillo, shkrimtar-redaktor i 11 librave të autores). Zhiti e fuqizon këtë: “Kur Izabel Alende u njoh si shkrimtare, e quajtën Markezi me fustan. Jemi në Vlorë dhe para lexuesit kemi një autore vlonjate. Për analogji, sot para jush kemi Petro Markon me fustan.” (Visar Zhiti, poet) Thuajse në mënyrë të përafërt Bubani shkruan: “Zonja shkrimtare me krijimet e saj ka vendosur një gurë të rëndë në themelet e letërsisë shqipe. Vilhelmja ka lindur shkrimtare, nuk u bë sot.” (Bubani, shkrimtar) Por, duke përfunduar le ta mbyllim me këtë vlerësim të Gaçes: “Proza e saj është tërheqëse dhe për vetë faktin se
ngjarjet dhe detajet ndodhin brenda sferave të shoqërisë. Kjo bën që përfytyrimi dhe mesazhi që ai përfiton vjen më i plotë, i natyrshëm…” (Bardhosh Gaçe: 1998:219).
Duke përfunduar Në këtë përfundim huazimi nga Stefan Cvajg duket disi bashkërendës nëpër gërma, fraza dhe fjali. Ai ka shkruar: “ja ku janë këtu, të heshtura pritëse. Nuk shtyhen, nuk kërkojnë t’i marrin, nuk flasin për veten. Të duken si të zhytura në gjumë, të tulatura, qëndrojnë në rresht nëpër raftet e puthitur pas mureve por emri i secilit të sheh, ta bën me sy, të josh, sic të sheh e të thërret t’i afrohesh dritares së hapur… Ata presin durimtarë…”. Dhe nëse Cvajgu foli mrekullisht për librat në përgjithësi, fjala jonë është për veprat e Vilhelme Vranari-Haxhirajt që tashmë është një kualitet dhe një arritje mes kësaj mase të panumërt librash. Le të themi se kemi bërë detyrën për një udhë që sa vjen e zgjerohet.
Referenca/Bibliografi: Bubani, Dionis Fjalë shoqëruese në promovimet e autores Buçpapaj, Mujë (2009) Fjala e Lirë. Londër: ACPE Butka, Uran Fjalë shoqëruese në promovimet e autores Britton, Erin (2006) Pasaporta nga Herta Muller. Chickering, D. Hoëell (2007) Poezia jashtë termit vuajtje. Londër: Penguin Gaçe, Bardhosh (1988) “Duke i folur kohës përcjell mesazhe për fisnikerimin e shoqërisë”, Pasthënie tek “Ringjallur si Krishti”. Tiranë: Toena. Grillo, Odhise (1999) “Në një dorë bisturinë e në tjetrën lulen Rugjinë të Kaninës…” Parathënie tek “Dhembje nëne”. Tiranë: Toena. Kalluli, Adriatik (2008) “Mos e vrisni lirinë vetjake të njeriut”. Tiranë: Toena. Kukaj, Rifat (1988) Studime dhe kritike letrare. Laço, Teodor (2001) Një grua troket te porta e letërsisë. Parathënie tek “Jetë në udhëkryq…” Tiranë: Toena. Muller, Herta Pasaporta Musaraj B. Arta (2007) Rrëfim në të perënduar… Tiranë: Omska-1. Spahiu, Xhevahir Fjalë shoqëruese në promovimet e autores Vranari-Haxhiraj, Vilhelme (romanet dhe librat e tjerë). Zhiti, Visar Fjalë shoqëruese në promovimet e autores