Suzana Kuqi - Vajza pa fëmijëri... “Vjeshta është sinfonia e gjelbërimit/ që flirton me qiellin deri në të kuqen dashuri dehje.../ me afsh dashurie e malli/peneli i saj ngjyen gjethet / fëshfërimat /si pëshpërima të dashuruarish/ në lamtumirën e fundit...”… Sa më sipër , nuk janë fjalë e vargje nga unë. Janë të Suzanës, asaj, që jo kushdo , me një të lexuar, ia ka kuptuar domethënien. Janë të Suzanës, durrsakes ( që fati i saj dhe i“Vjeshtës” së saj e ka dërguar kohësisht në Imperia të Italisë, ku ujërat e Ligurës që përkëdhelin bregun dhe klima, janë thuajse si të ishe në Durrësin e saj, në Durrësin tonë, në qytetin e metaforave gjithëkohore. .. VJESHTA, DËSHIRA E FUNDIT E NJË JETE, DASHURUAR DERI NË VDEKJE...
Dëshirë që digjet ... me nuaca flake në ngjyrat.... ............ ......... ......... ......... .. ....gjethet, flirtojnë me erën për një çast lirie drejt qiellit, e bien...,
Vjeshta, dashuri që digjet deri në vdekje për të rilindur në një stinë tjetër.... Se jeta ka ligje: Vdekje dhe lindje. Vdekje dhe rilindje...
Suzana Kuqi është njohëse më shumë sesa shumë prej nesh e shpirtit njerëzor. Kjo për një arësye shumë të thjeshtë. Jo vetëm e lindur nga prindër intelektualë, jo vetëm si trashëgimi , jo vetëm për vuajtjet e saj , por edhe për faktin se ajo ka vite që u shërben me përkushtim moshës së tretë. Asaj moshe, që , herë bëhen fëmijë, herë
shekullorë, herë qajnë nga dhimbjet fizike-herë nga vitet që u shkuan; herë tremben nga vdekja, herë e kërkojnë me lutje; …. Pra, është sikur të jetosh me qindra e qindra vjehërra njëherësh, me të gjitha “modelet” , që papritur vijnë para teje, pa i pasur asgjë. Por edhe i ke. Është ajo, subkoshienca jote , është ndërgjegjia prej njeriu, është fryma prej shenjtoreje që të bën t’i ndjesh e t’u shërbesh me dashuri e përkushtim, sikur t’i kesh prindër, sikur t’i kesh të gjitha nënat e tua. Ndoshta, do të mendoni, se është puna e saj për të cilën paguhet. Jo, jo. Të gjithë shërbejnë e paguhen (aq sa paguhen). Por , tjetër gjë të bësh detyrën e parave që merr dhe krejt tjetër ta bësh atë, edhe kur ato para s’e paguajnë dot punën tënde. Sepse s’ka para që e paguan përkushtimin. S’ka asnjë lloj monedhe ta paguajë dhimbjen, të cilën, pa asnjë detyrim e bën tënden për të shpëtuar tjetrin. S’ka njeri në botë të ta paguaj shqetësimin, energjinë, …. Suzi, nuk është humane vetëm në punën e detyruar që bën. Më shumë është në atë që mundohet të na e japë ne, lexuesve nga pena e saj aq e thjeshtë dhe aq me art, ku ne, fare lehtë,mund të lexojmë dhe përjetojmë dramën e madhe baraz me tragjedi , që kalon mosha e tretë. ...Dhe , për fat të keq a të mirë, këtë moshë secili e ka pas veshit... Pikërisht , këtu , do të ndalem- tek portreti i saj, jo për të thënë gjithçka, por aq sa mundem , të tërheq vemendjen e asaj apo atij lexuesi që fare pak apo asgjë nuk ka lexuar nga Suzana Kuqi. Nga vajza e lindur në Ostrava të Çekosllavakisë ( Çeki), nga një baba shqiptar(durrsak) dhe një grua çeke. Nga vajza , e cila do ta niste udhën e « arrative » (që në moshën 2-vjeçare), nga shteti në shtet dhe nga qyteti në qytetÇekosllavaki- Shqipëri : Durrës, Bulqizë, Pishkash, Kurbnesh, Manzë,... atje ku vendi ynë kishte nevojë për specialistë minierash dhe njeherësh njerëz të përkushtuar ndaj detyrës... Dhe vogëlushja Suzanë, sapo njihej me fëmijë të tjerë , në kopësht a në shkollë, i duhej t’i “braktiste”. Se kështu ndodh, kur je i vogël, të marrin në krah ose përdore(të mëdhenjtë) dhe të degdisin , ku i duhet atyre...). Dhe ti, as nuk ke mundësi t’u thuash”lamtumirë” miqve të tu të lodrave dhe të përrallave. Kësaj i thonë:të rritesh pa fëmijëri. Kush e ka provuar , e ndjen mungesën e kapërcimit të kohës, kur papritur, pa dalë ende nga ëndrrat me zana e princa të kaltër-bëhesh e madhe, e madhe , pa moshë. Dhe papritur , mbetesh edhe pa baba, edhe pa nënë. S’ka kohë as t’i qash, se të presin detyra të mëdha prej të madheje. Papritur , të duhet të fshih e të lash, të punosh e mitur, të bësh të gjitha detyrat që kishin bërë më parë ato, prindërit e tu, që fatkeqësisht të lenë në mes të udhës, në mes të udhëkryqeve.. . Por nuk mjafton vetëm kaq. Në kohën e Suzanës- apo të Suzanave, ndodhte edhe çudia më madhe, tragjedia familiare. Kush kishte një grua apo një burrë të huaj( me nënshtesi të huaj, atje ku shteti i kishte prishur marrëdhëniet për hesap të tij), të parët që e vuanin ishin fëmijët.... Kështu, Suzana, si shumë Zana të tjera, edhe pse kishin filluar të shkruanin, nuk mund të botonin. .....
...dhe sot , ajo vajza pa fëmijëri, është nëna e dy fëmijëvë të shkolluar , vetëm pasi ka “kapërcyer” hendekun e “izolimit” , vetëm se , ishte mësuar të “kapërcente” vështirësi nga më tëçuditshmet .... ..... tek hedh dy fjalë për Suzanën , më vjen para syve një mikja ime e shtrenjtë që nga fëmijëria-Beatriç e Balliçi, me të cilën nuk më ndau as edhe një ditë e sistemit që na ndante .... ...dhe shkruan Beatriçja, midis shumë e shumë vargjeve –Harpë: Më thuaj shpejt e shpejt Diçka të lehtë, Një fjalë si kalorës, një fjalë si verë...... se fjalët e mençura kokën na e lodhën Dhe në breg s’na nxorrën asnjëherë.... ............ ......... ......... ....... ....në jetë ne ishim moskëtierë, se kurorë dinjiteti kërkuam, kurorë lirie të vërtetë....
Po fatit s’ke ç’i bën! Fatin tonë ne s’e patëm kurrë në duar. Fatin tonë idiot, fatin tonë të vonuar....
Kështu i përshkon poetet, i njejti fill - nga shtëllunga e lëmshit të shpirtit të tyre deri në fijëzim, përkëdhelur me mollëzat e gishtrinjve. .., aty, ku nervat e ndjesisë së durimit mund t’i kuptojë vetëm një femër, vetëm një grua, vetëm një nënë. E, mëpastaj-vargë zojnë butësisht, deri në thirrje universale.. . E mëpastaj ... Pasi bien në vesh të shurdhër , vargjet dhe poezitë e tyre marrin arratinë, bëhen “klandestine”, siç shkruan Madi(Mardena Kelmendi):
...vargjet e mija varur ballkoneve , dritareve të këtij qyteti... njëzet vite i shoh tashmë kudozbardhur e grisur nga erërat e mallit.... ..... në muret e vjetra të këtij qyteti kripërat e Adriatikut hedhin litarë dallge e shenjë kristalesh lenë në dritaret e mbyllura... .......... poezia ime klandestine pikturë afashinante që zbret si lot.... le shenjë zemrash të ngrira, diku larg... ............
Dhe, si për të mbledhur, gjithçka të “arratisur”, gjithçka të humbur, gjithçka të shembur nga kjo kohë indiferente, Suzana Kuqi , me poezinë e saj “Jam”, mundohet të na japë shpresë, na bën të mendojmë se një ditë, poezia “klandestine”, do të ketë një strehës të sigurtë, se “fati i vonuar” ( nga poezia e Beatriçes), do të mbërrijë në kohën e duhur, për brezat që janë duke lindur...
Jam fara e rimbjellë në zanafillë përpara se të kish lindur fjala... përpara se të ishte drita
Jam ç'ka mbetur nga një botë në agoni ku shumë për dashuri flitet
... për dashuri flitet sepse... mungon marrëzisht, ... marrëzisht mungon ku flamurët stisur për paqe zbukurojnë makinat e luftës, e fëmijët vdesin nga zija e bukës... ... nga zija e bukës
jam fara e botës... që mbin e rritet për të rishkelur pragun e agimit të dritës...
.... Dhe për t’u bërë « fara e së ardhmes, për t’u bërë fjala e menduar dhe e shkruar , ajo do të lutet :
Do t'i lutesha Zotit... të më linte edhe një ditë pas vdekjes edhe se kam frikë se... do të ishte shumë pak...
Të fluturoj mbi vise të dashura e vise që kurrë nuk i kam parë të përshëndes kë hyri e mbeti në jetën time dhe ata që hynë e... dolën prapë...
Do t'i lutesha sikur edhe qoftë një ditë edhe se... është shumë pak...
Atij që dot nuk munda... t'i them “më fal”
T'i pëshpëris me tinguj shpirti... “ të dua” atij që desha me zemër e ndrojtja nuk më la... T'i them... “kjo jam” atyre që “ndryshe” nga ç'shpirti më kërkoi, më deshën... T'u kthej mirësinë atyre që më buzëqeshën
T'u buzëqesh... kush deshi të më thyejë krahët e ëndrrës e të ma varrosë ndën thundrrën e zilisë e urrejtjes...
Të mbledh kristalet e lotëve të mij e t'i ngroh në zemër thesar i çmuar, dëshmi se ëndrrat kurrë nuk vdesin edhe... pas vdekjes...
Do t'i lutesha qoftë edhe një ditë... të më japë një rrahje zemre në zemrën e shuar të jem “vetvetja” kur të ishja, nuk munda...
Dhe, duke u bërë pjesë e « lutjes » së Suzanës, po e përfundoj skicë-portretin për të, duke vazhduar në ditët e ardhshme me të tjera portrete poetesh– poezia e të cilave ka fytyrë Vjeshte, ku tingujt dhe ngjyrat janë bërë njësh, ku stinët dhe të gjithë ne, hyjmë e dalin si në parajsë… Dhe janë shumë, shumë, Suzana e zana, muza e të cilave është musht poetik, që mjafton të pish një gllënkë, dehesh nga dashuria për jetën, nga dashuria për Dashurinë...