Emigrimi i vetë Profetit (a.s) për në Medine. Amër HALID Me emigrimin e muslimanëve për në Medine, në Meke tani kishte mbetur vetëm Profeti (a.s), Ebu Bekri dhe familjet e tyre. Të gjendur para një realiteti tjetër, kurejshët e ndjenin rrezikun e emigrimit të muslimanëve dhe të vetë Profetit (a.s) në një qyetet tjetër, pasi kjo do të thoshte themelimin e një shteti musliman që do të kërcënonte kurejshët në Meke. Rreziku për ta shtohej duke pasur parasysh që Medineja ndodhej në rrugën e karvaneve tregtare mes Mekes dhe Shamit. Duke parë këtë situatë, paria e kurejshëve mblidhet në shtëpinë e quajtur “Daru Nedve” (shtëpia e bisedimeve) me qëllim që të vendosin si të shpëtojnë nga e keqja që u kanoset prej Profetit (a.s). Kjo mbledhje organizohej një ditë para se Profeti (a.s) të nisë udhëtimin e tij për në Medine. Mendimet që u diskutuan në këtë mbledhje ishin tre: 1 – Ta përzinin Profetin (a.s) nga Meka. Këtë mendim e kundërshtoi Ebu Xhehli i cili tha që nëse do e përzëmë nga Meka ai do të shkojë diku tjetër dhe do të themelojë një shtet. 2 - Ta lidhnin Profetin (a.s) me zinxhirë dhe ta mbanin të lidhur. Përsëri ndërhyri Ebu Xhehli i cili tha që nëse do e lidhin, do vijë familja dhe farefisi i tij dhe do e zgjidhin, ashtu siç ndodhi gjatë bojkotit. 3 – Mendimi i tretë ishte i Ebu Xhehlit. Ai propozoi që të mblidhnin një grup të rinjsh nga çdo fis dhe ata do e vrisnin Profetin (a.s) të gjithë njëherësh. Me këtë gjaku i tij do të shpërndahej mes fisesh dhe Benu Hashim fisi i Profetit (a.s), nuk do të mund të merrnin hak. Kështu ranë dakort dhe me të vërtetë i mblodhën të rinjtë dhe i urdhëruan të presin para derës së Profetit (a.s), me qëllim që kur të dalë në mëngjes ta godasin me shpata njëherësh. Në ato çaste zbret Xhibrili (a.s) dhe e njofton Profetin (a.s) për kurthin e kurejshëve dhe e urdhëron që të mos flerë atë natë në shtëpinë e tij. Menjëherë Profeti (a.s) del në kohën e drekës dhe shkon tek Ebu Bekri dhe i thotë:”O Ebu Bekr, Zoti më ka urdhëruar të emigroj.” Ebu Bekri r.a i tha:”Dua të jem shoqëruesi yt o i dërguar i Zotit!” “Po” – ia ktheu Profeti (a.s). Ebu Bekri filloi të qajë nga gëzimi që do të shoqëronte Profetin (a.s). Tregon Aisheja:”Nuk kam parë njeri të qajë nga gëzimi, siç pashë Ebu Bekrin të qajë në ato momente, megjithëse mund edhe të vdiste në këtë udhëtim.” Ebu Bekri del dhe kur vjen i thotë Profetit (a.s):”O i dërguar i Zotit, kam përgatitur dy deve për udhëtim (dhuratë).” Por Profeti (a.s) ia kthen:”Vetëm duke paguar çmimin e tyre.” Kjo pasi nuk dëshironte të humbiste shërblimin dhe sevapin e këtij udhëtimi duke udhëtuar në deve të falura. Pasi bëhet gati, Ebu Bekri i thotë Profetit (a.s) që të niseshin, por Profeti (a.s) ia kthen:”Jo, jo o Ebu Bekr, pasi ka njerëz që kanë lënë gjëra emanet tek unë. Duhet që t’ua kthej më parë emanetet.” Kurejshët kishin vendosur që ta vrasin, kurse Profeti (a.s) mendonte për emanetet që kishin lënë tek ai. Shkon tek Aliu dhe e porosit që t’ja kthejë secilit gjërat që kishte lënë për t’ia ruajtur. Më pas e porosit Aliun që të flerë në krevatin e tij dhe të mbulohej me mbulesat e Profetit atë natë. Kjo me qëllim që ti bënte kurejshët që të kujtonin se Profeti (a.s) është akoma brenda. Ndërkohë ai bashkë me Ebu Bekrin do të kishin mundësi të largoheshin.
Gjatë kohës që porosiste Aliun për të shpërndarë gjërat që i kishin lënë emanet tek ai, të rinjtë e kurejshëve ishin grumbulluar tek dera dhe prisnin që të dalë Profeti (a.s) dhe ta vrasin njëherësh. Kur doli jashtë Profeti (a.s) i pa që e prisnin. Ai morri një grusht me rërë dhe e hedh atë drejt të rinjve duke lexuar pjesë nga sureja Jasin:” dhe ne para tyre vendosëm një pengesë dhe pas tyre një pengesë dhe i mbuluam nga lart. Kështu ata nuk mund të shikonin.” (Jasin 9) Kështu doli Profeti (a.s) pa e parë të rinjtë dhe shkoi tek Ebu Bekri dhe të dy dolën nga pjesa e pasme e shtëpisë së Ebu Bekrit. Gjëja e parë që bëri Profeti (a.s) ishte se nuk u nisën në drejtim të Medines e cila ishte në veri, por u nis drejt një mali që ishte në jug të Mekes. Largësia e këtij mali nga Meka ishte pesë milje. Në majën e malit ndodhej një shpellë dhe për të arritur atje duhet të ecësh pothuaj dy orë e gjysëm duke iu ngjitur malit. Profeti (a.s), atë vit që ngjitej në këtë mal ishte 53 vjeç, kurse Ebu Bekri 51 vjeç. Për të vajtur në shpellë sipër, është vetëm një rrugë e vetme në të gjithë malin. Teksa ngjitej në mal, Profeti (a.s) shikonte nga Meka dhe teksa i rridhnin lotë thoshte:”Veç Zoti e di që ti je vendi më i dashur në zemrën time dhe nëse populli im nuk do më kishin përzënë, nuk do të isha larguar kurrë.” Një pyetje që mund të lindë është: Përse nuk e shoqëronte Buraku Profetin (a.s) edhe në këtë udhëtim, siç e shoqëroi në Isra dhe Miraxh? Kjo pasi mrekullia e Isra-së dhe Miraxh-it ishte me qëllim që ti jepej zemër dhe forcë Profetit (a.s). Kurse për të ndryshuar gjendjen, atij i duhej që të punonte dhe të përpiqej. Gjithashtu Zoti dëshironte që përvoja dhe eksperienca e Profetit (a.s) të ishte një përvojë që mund të praktikohej dhe nga brezat e ardhshëm. Profeti (a.s) nuk e dinte se në majë të malit ndodhet një shpellë, por thjesht kërkonte një vend për tu strehuar. Rruga që të çon për në majë të malit është e tillë që të çon patjetër tek shpella. Sikur Zoti e udhëhiqte për tek shpella ku do të strehohej. Gjatë ngjitjes së malit, teksa Profeti (a.s) ishte i dëshpëruar që po ndahej nga qyteti i tij Meka, i shpallet sureja Kasas e cila rrëfen historinë e daljes së Musait (a.s) nga Egjypti dhe kthimit të tij përsëri në të. “….dhe një njeri erdhi duke nxituar nga ana më e largët e qytetit dhe i tha: O Musa, paria janë mbledhur dhe diskutojnë që të të vrasin. Prandaj largohu. Unë kam ardhur si këshillues për ty. Ai u largua i frikësuar, duke pritur (se çfarë do të ndodhë) tha: O Zoti im, më shpëto prej popullit të padrejtë. Dhe kur u drejtua drejt Medjenit tha: Shpresoj që Zoti im të më udhëzojë drejt rrugës së drejtë. Kur arriti tek uji i Medjenit, pa njerëz që po i jepnin bagëtisë ujë. Më larg tyre pa dy gra që i pengonin bagëtitë e tyre. Ai u tha: Si është puna e ju të dyjave? Ato i thanë: Ne nuk u japim bagëtisë ujë, derisa të largohen barinjtë. Kjo pasi babai ynë është i moshuar. Ai u dha ujë kafshëve të tyre, pastaj u largua mënjanë në një hije dhe tha: O Zot, unë kam nevojë për të mirat e Tua. Njëra prej tyre erdhi tek ai duke ecur me turp dhe i tha: Babai të kërkon që të të shpërblejë për atë që u dhe kafshëve të pijnë. Kur shkoi (Musai) tek ai dhe ia tregoi ngjarjen, ai i tha: Mos kij frikë, paske shpëtuar nga populli i padrejtë….” (Kasas 20-25) Kurani që i shpallej në ato çaste, përshkruante të njëjtën gjendje në të cilën ndodhej vetë Profeti (a.s). Vazhdoi Profeti (a.s) duke u ngjitur në mal derisa iu shpall dhe ajeti:”Ska dyshim se Ai që ta shpalli këtë Kuran, do të të kthejë përsëri atje nga erdhe... (Kasas 85) Të gjithë këto vuajtje Profeti (a.s) i duroi me qëllim që ne sot të jemi muslimanë. Kaq shumë e deshte ai umetin e tij. Jo vetëm në këtë botë, por dhe në botën tjetër, ku të gjithë profetët do të thërrasin “vetja ime, vetja ime” Profeti (a.s) do të thërrasë “umeti im, umeti im.” Në momentet kur të kalojmë urën e Siratit, Profeti (a.s) do të qëndrojë në anën tjetër duke u lutur:” O Zot shpëtoji, o Zot shpëtoji!”
Koha gjatë së cilës po ngjitej Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri në mal, ishte pothuaj mëngjes herët. Në këtë kohë, në Meke të rinjtë që prisnin Profetin (a.s) të dalë nga shtëpia dhe ta vrasin, habiteshin se si nuk kishte dalë akoma. Ata i kishte zënë një sy gjumë teksa prisnin dhe kur u zgjuan panë që sipër kokës kishin rërë. Një burrë që kaloi aty pranë u tha që e kishte parë Muhamedin një natë më parë që kishte dalë dhe ata nuk e kishin vënë re. Të habitur nga kjo, panë nga vrimat e derës dhe vunë re dikë që flinte në shtratin e Profetit (a.s) dhe u qetësuan që akoma nuk kishte dalë. Ai që flinte në shtratin e Profetit (a.s) ishte Aliu r.a. Ai flinte i qetë. Në këtë kohë ai ishte 23 vjeç. Ai e dinte se duke fjetur në shtratin e Profetit (a.s) mund dhe të vritej. Kur e pyetën më pas se si kishte fjetur atë natë, u përgjigj:”Ishte gjumi më i qetë që kam fjetur në jetën time.” Kur i urdhëroi muslimanët të niseshin në emigrim në Abisini, Profeti (a.s) dërgoi me ta vajzën e tij Rukajen. Në këtë rast ai nuk urdhëroi tjetër njeri të flerë në shtratin e tij, por urdhëroi njeriun më të dashur, djalin e xhaxhait të tij Aliun. Kështu ai para se të sakrifikonte me të tjerët, sakrifikonte me njerëzit e tij më të dashur fillimisht. Kurejshët kur e panë që Profeti (a.s) u vonua për të dalë, hynë brenda dhe u bënë gati ta godasin, por panë që në shtratin e Profetit (a.s) ishte Aliu. Të habitur e pyetën se ku ishte Profeti (a.s), por Aliu ua ktheu se nuk e dinte. Kjo pasi Profeti (a.s) nuk ia kishte treguar vendin ku do të strehoheshin. Njeriu i vetëm që e dinte se ku do të strehohej Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri ishte Esmaja, vajza e Ebu Bekrit. Ajo do u sillte Profetit (a.s) dhe Ebu Bekrit ushqim gjatë tre ditëve të qëndrimit të tyre në këtë mal. Kjo pasi kurejshët nuk do të dyshonin tek ajo kur ta shihnin të dalë jashtë. Shkaku për të cilin kurejshët nuk mund të dyshonin tek ajo, ishte se ajo ishte shtatzënë në muajin e shtatë. Ishte e pabesueshme që një grua shtatzënë në muajin e shtatë të udhëtonte dy orë e gjysëm, duke u ngjitur në mal për tu çuar ushqim Profetit (a.s) dhe Ebu Bekrit. Gjithashtu ajo i njoftonte dhe për ato që ndodhnin në Meke. Fëmija i parë që lindi në Medine nga muslimanët e Mekes, ishte Abdullah ibnu Zubejri, fëmija e Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit. Djali i saj më vonë do të bëhet Halife i muslimanëve. Duke parë kurejshët që Profeti (a.s) nuk gjendej dhe se në shtratin e tij ishte Aliu, u vunë në livizje që ta gjejnë. Duke qenë se Ebu Bekri ishte shoku më i ngushtë i tij, vajtën tek shtëpia e tij dhe trokitën derën. Ajo që doli ishte Esmaja. Ebu Xhehli e pyeti:”Ku është babai yt?” Ajo ia ktheu:”Nuk e di.” – pa u dridhur dhe u frikësuar prej tij, megjithëse ishte i pari i kurejshëve. Ebu Xhehli e pyeti përsëri:”Ku është babai yt?” Ajo ia ktheu:”Nuk e di.” E pyeti dhe për të tretën herë:”Ku është babai yt?” Ajo përsëri ia ktheu:”Nuk e di.” Atëherë Ebu Xhehli e godet me shuplakë në fytyrë, goditje që e bën ti rrjedhë gjak nga goja. Më pas Ebu Xhehli dhe burrat e tjerë e lënë dhe largohen dhe fillojnë të kërkojnë në drejtim të Medines, pasi u kujtuan që mund të jetë nisur për atje. Pyetja që lind teksa flasim mbi emigrimin e Profetit (a.s) është: Pse u zgjodh viti i emigrimit (hixhretit) si fillim kalendarit Islam? Përse të mos ishte viti i lindjes së Profetit (a.s), apo viti kur muslimanët morën Meken? Kjo pasi dita dhe viti më i madh në historinë e kombeve nuk është dita apo viti i fitoreve dhe triumfit, por janë ditët dhe vitet në të cilat këto kombe kanë vuajtur dhe kanë duruar për shkak të mesazhit që donin të përçonin. Ditët e fitores të gjithë njerëzit gëzojnë dhe duken besimtarë. Kurse dita që të lësh vendin tënd dhe të emigrosh për shkak të mesazhit, ajo është dita e fitores dhe këmbënguljes në të vërtetën. Ajo është ditë që duhet të kujtohet dhe të mos harrohet. Ditët e qeta, shumë njerëz dinë të thonë fjalë të bukura, kurse ditët e vështira mund ta braktisin fenë.
Thotë Zoti në Kuran për ditën e emigrimit të Profetit (a.s):”Nëse nuk e ndihmoni, atë e ka ndihmuar vetë Zoti kur jobesimtarët e nxorrën nga vendi.” Kështu Kurani këtë ditë e quajti ditë fitoreje dhe ndihme prej Zotit. Sot, umeti ynë po përjeton ditë të vështira dhe dita që do të fitojmë, është ajo ditë në të cilën do të tregohemi të durueshëm dhe të qëndrojmë në të vërtetën. Viti i lindjes së Profetit (a.s) nuk mund të ishte vit për fillimin e kalendarti Islam, pasi lindja e Profetit (a.s) ishte e zakontë dhe nuk u shoqërua me mrekulli, siç ishte ajo e Isait (a.s) (Jezusit) apo e Musait (a.s). Dita e emigrimit të Profetit (a.s) është dita e shpresës, pasi kjo ditë është fillimi i triumfit të mëvonshëm. Profeti (a.s) e kishte planifikuar gjithçka që para se të nisej. Le të përmendim shkurtimisht përbërësit kryesorë të këtij plani të studiuar mirë nga Profeti (a.s): 1 – Aliu do të flinte në shtratin e tij me qëllim që kurejshët të mendonin që është Profeti (a.s) dhe gjatë kësaj kohe, ai vetë do të fitonte kohë për tu larguar sa më shumë. 2 – E lajmëron Ebu Bekrin në kohën e mesditës, kur ishte kulmi i nxehtësisë për ti treguar mbi emigrimin. 3 – Ai i kërkon Ebu Bekrit që ti nxjerrë jashtë pjesëtarët e familjes, që të mbetet sekret dita e emigrimit. 4 – Doli nga pjesa e pasme e shtëpisë. 5 – U nis në drejtim të jugut dhe jo në drejtim të veriut, për të humbur kurejshët nëse e ndjekin. 6 – Para se të nisej caktoi detyrat se kush do u tregonte rrugën, kush do mbulonte gjurmët që të mos i ndjekin dhe kush do u sillte ushqimin në mal. Kështu Esma bintu Ebu Bekr u çonte ushqimin, Abdullah ibnu Ebu Bekr i vizitonte natën dhe u çonte informata. Amir ibnu Fuhejre, bariu i Ebu Bekrit i kulloste delet andej nga kishte kaluar Profeti (a.s) me Ebu Bekrin me qëllim që të mbulojë gjurmët e tyre. Aliu kishte rolin e tij për të fjetur në shtratin e Profetit (a.s) dhe për ti penguar kurejshët. Pasi Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri arritën në majën e malit, qëndruan në shpellën Theur tre ditë,derisa kurejshët të mërziteshin duke i kërkuar. Shpella ku qëndruan, përbëhej nga shkëmbinj të vendosur njëri mbi tjetrin. Ajo nga brenda ishte e ngushtë dhe duhej që të përkuleshe për të hyrë dhe qëndruar brenda. Megjithë këto masa të marra nga Profeti (a.s), kurejshët e zbuluan vend ndodhjen e tyre. Kështu ata iu ngjitën malit derisa arritën tek shpella ku ishte fshehur Profetit (a.s) dhe shoku i tij, Ebu Bekri. Ashtu siç qëndruan para shtëpisë së tij në Meke duke pritur të dalë që ta vrasin, ashtu qëndronin tani para shpellës me shpresën që ta gjejnë dhe ta vrasin. Por, ashtu siç nuk e panë dot kur u doli para syve nga shtëpia e tij, ashtu nuk mundën ta shohin dhe në këtë rast. Me këtë Zoti sikur i thotë që megjithëse ti planifikove dhe morre masa që tu shmangesh, ai që të mbron kurdoherë është vetëm Zoti. Kurejshët ishin vetëm pak metra larg Profetit (a.s), megjithatë ata nuk e panë. Sikur të përkuleshin dhe të shihnin brenda në shpellë, do i kishin vënë re, por nuk e bënë këtë. Ajo që i bëri të mos shohin brenda shpellës ishte se një pëllumb po ngrohte vezët në folenë e tij, në hyrje të shpellës. Është e habitshme se edhe sot, vendi përreth shpellës është i mbushur me pëllumba të egër, megjithëse është majë mali. Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri ua shikonin këmbët dhe i dëgjonin tek flisnin me njëri-tjetrin. I frikësuar Ebu Bekri në këto çaste i pëshpërit në vesh Profetit (a.s) dhe i thotë:”O i dërguar i Zotit, nëse dikush prej tyre të ulet në gjunjë, do të na shikojë.” Kurse Profeti (a.s) ia ktheu:” O Ebu Bekr, ç’mendon për dy njerëz që të tretë kanë Zotin?” “Nëse nuk e ndihmoni, atë e ka ndihmuar vetë Zoti kur jobesimtarët e nxorrën nga vendi. Duke qëndruar në shpellë, ai (Profeti (a.s)) i thotë shokut të tij: Mos u mërzit se me ne është Zoti.”
(Teube 40) Kurejshët udhëtuan me orë të tëra duke iu ngjitur malit dhe kur arritën tek shpella ku gjendej Profeti (a.s), nuk u ulën në gjunjë që të shohin se çfarë ka brenda. Shpella kishte një dalje tjetër, megjithatë kurejshët nuk u kujtuan ta kontrollojnë atë. Nëse do e kishin kontrolluar, do i kishin parë pasi dukeshin. Madje transmetohet se një nga kurejshët vajti tek hyrja tjetër për të urinuar. Vendi ku urinoi ishte shumë pranë daljes tjetër dhe po të shihte përtokë do i vinte re. Në shpellën Theur, Profeti (a.s) me Ebu Bekrin qëndruan tre ditë, aty flinin dhe aty faleshin. Siç e përmendëm më lart, shpella Theur është e vogël dhe për të hyrë brenda duhet të ecësh i kërrusur. Megjithëse vend i vogël dhe i ngushtë, ai është vendi nga filloi triumfi i Profetit (a.s) dhe i mesazhit të tij. Ajo është pikënisja e suksesit të mesazhit Islam. Kur Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri arritën ditën e parë në këtë shpellë, Ebu Bekri hyri i pari në shpellë dhe kudo që shihte një vrimë, fuste dorën dhe gishtat e tij brenda, me qëllim që nëse kishte ndonjë gjarpër apo akrep, të kafshonte atë dhe të mos kafshonte Profetin (a.s). Ngaqë nuk kishte ku ta mbështeste kokën, Profeti (a.s) kur flinte e vendoste kokën në gjunjët e Ebu Bekrit. Natën e tretë të qëndrimit në shpellë, teksa Profeti (a.s) po flinte me kokën në gjunjët e Ebu Bekrit, një akrep e pickon Ebu Bekrin. Megjithë dhimbjen që ndjente atij iu dhimbs ta zgjojë Profetin (a.s) nga gjumi. Nga dhimbja e madhe i rrodhën lotë, të cilët ranë mbi fytyrën e Profetit (a.s). Ai u zgjua dhe kur e pa Ebu Bekrin duke i rrjedhur lotë e pyeti:”Çfarë ka ngjarë o Ebu Bekr?” “Më kafshoi një akrep” i përgjigjet Ebu Bekri. Profeti (a.s) e pyet:”Po përse nuk më zgjove?” “Pasi desha që të flesh, kurse unë mund të duroj.” Aq e madhe ishte dashuria e Ebu Bekrit për Profetin (a.s). Një ditë tjetër përgjatë rrugës për në Meke, Ebu Bekri dhe Profeti (a.s) të dy ndiheshin shumë të etur për ujë. Ebu Bekri kishte me vete pak qumësht, të cilin preferoi t’ia japë Profetit (a.s) ta pinte. Tregon vetë Ebu Bekri mbi këtë rast dhe thotë:”E piu Profeti (a.s) derisa mu hoq etja.” Kjo tregon dhe një herë dashurinë që kishte ai për Profetin (a.s). Pasi u larguan kurejshët dhe nuk i gjetën dot, Profeti (a.s) me Ebu Bekrin qëndruan në shpellë për tre ditë. Pas tre ditëve, u nisën drejt qytetit të Medines në veri. Profeti (a.s) nuk ndoqi rrugën që ndiqnin karvanët e tregëtisë për në Medine, por ndoqi një rrugë tjetër me qëllim që të mos e ndiqte kush. Megjithatë, ata detyroheshin që disa herë të udhëtonin në rrugën e karvanëve pasi nuk kishin mundësi tjetër. Në kohën që udhëtonin në rrugën e karvaneve, Profeti (a.s) dhe Ebu Bekri maskoheshin dhe nxitonin që të shmangnin ndonjë takim me karvanet. Për tu treguar rrugën, Profeti (a.s) kishte marrë Abdullah ibnu Urejkid, i cili nuk ishte musliman, por Profeti (a.s) e kishte marrë pasi ishte njeri i besueshëm. Ishte ai që u tregonte rrugët e tjera, veç asaj që ndiqnin karvanet. Një ditë teksa ecnin me nxitim nga rruga e karvaneve, disa tregtarë që po ktheheshin për në Meke, i vunë re teksa ndryshuan rrugë. Kur arritën në Meke, dëgjuan që kurejshët kishin caktuar 100 deve shpërblim për atë që i sjell të gjallë. Kështu u tregojnë kurejshëve që kishin parë tre burra të kalonin rrugën e karvanëve të tregëtisë. Një nga të pranishmit ndërhyn dhe u thotë që ata të tre janë të afërmit e tij që janë nisur në udhëtim. Ai që ndërhyri ishte Suraka ibnu Malik dhe këtë e bëri me qëllim që ti marrë ai 100 devetë e caktuara nga kurejshët. Nga ana tjetër ai merr kalin dhe armët dhe niset rrugës për të kapur Profetin (a.s) dhe Ebu Bekrin. Vazhdoi Suraka në udhëtim derisa filloi tu afrohej. Ebu Bekri teksa ecte rrugës, herë ecte pas Profetit (a.s), herë anash tij dhe herë të tjera para tij. Profeti (a.s) kur e vë re këtë sjellje të tij e pyet:”Çfarë të shqetëson e Ebu Bekr?” Ebu Bekri ia ktheu:”O i dërguar i Zotit, kam frikë se mos na është vënë dikush prapa dhe frikësohem se mos të vjen ndonjë shigjetë nga pas dhe dal dhe eci pas teje. Pastaj frikësohem se mos dikush na ka zënë pritë para dhe të godet nga para dhe filloj të eci para teje. Më pas frikësohem nga ndonjë shigjetë që mund të vijë anash dhe eci anash teje.” Profeti (a.s) e pyeti:”A shqetësohesh për mua o Ebu Bekr?”
“Po o i dërguar i Zotit.” – iu përgjigj ai. Profeti (a.s) e pyeti përsëri:”A pranon të sakrifikohesh për mua o Ebu Bekr?” “Po o i dërguar i Zotit. Nëse vdes unë, jam vetëm një njeri, kurse nëse vdes ti, vdes një umet.” – iu përgjigj ai. Teksa udhëtonin, Ebu Bekri e vë re Surakan që afrohej dhe i thotë Profetit (a.s) i cili në ato çaste po lexonte Kuran:”O i dërguar i Zotit, një kalorës po na vjen pas.” Profeti (a.s) nuk i kthen përgjigje, por lutet dhe thotë:”O Zot, na ruaj nga e keqja e tij me ç’të duash dhe si të duash. Ti je i fuqishëm për gjithçka që dëshiron!” Në atë moment këmbët e kalit të Surakës zhyten në rërë dhe Suraka rrëzohet. I habitur nga ajo që i ndodhi, Suraka përsëri çohet dhe bëhet gati të gjuajë me shigjetë. Ebu Bekri i thotë Profetit (a.s):”O i dërguar i Zotit, po na arrin.” Profeti (a.s) lutet me të njëjtën lutje:” O Zot, na ruaj nga e keqja e tij me ç’të duash dhe si të duash. Ti je i fuqishëm për gjithçka që dëshiron!” - dhe Suraka rrëzohet përsëri. Çohet për të tretën herë dhe bëhet gati t’i gjuajë me shigjetë. Ebu Bekri përsëri i thotë Profetit (a.s) që po na arrin dhe Profeti (a.s) lutet me të njëjtën lutje përsëri:” O Zot, na ruaj nga e keqja e tij me ç’të duash dhe si të duash. Ti je i fuqishëm për gjithçka që dëshiron!” - dhe për të tretën herë Surakas i rrëzohet kali bashkë me të. Tregon vetë Suraka: “Atëherë e kuptova se ky njeri është i mbrojtur nga të bërit keq.” Pas kësaj, Suraka i thërret Profetit (a.s): “O Muhamed, të lutem më mbro.” Profeti (a.s) i përgjigjet:”I mbrojtur je.” Suraka i tha përsëri:”O Muhamed, më jep të paktën diçka”. Profeti (a.s) i thotë: “Të premtoj se do të të jap byzylykët e Kisras”. I hutuar Suraka e pyet: “Cilit Kisra, mbretit të persëve?” “Po!” - i thotë Profeti (a.s). “Megjithëse nuk isha musliman -tregon Suraka- e besova dhe i thashë përsëri: “A ma premton këtë të shkruar në letër, o Muhamed?” “Po!” -i thotë Profeti dhe urdhëron Ebu Bekrin që t’ia shkruajë në letër këtë premtim. Suraka e morri letrën dhe e ruajti këtë letër, megjithëse nuk kishte pranuar akoma Islamin. Më vonë, muslimanët hyjnë në Meke si triumfatorë dhe Suraka pranon Islamin. Pasi vdes Profeti (a.s) dhe udheheqës i muslimanëve ishte Umeri, muslimanët fituan ndaj persëve dhe të gjitha pasuritë e Kisras, mbretit të persëve, i sjellin në Medine për t’i ndarë mes njerëzve. Bashkë me pasuritë e tjera ishin dhe byzylykët e tij, të cilët Profeti (a.s) ia pati premtuar Surakas. Omeri ngjitet në minber, ku fillon të qajë dhe thërret Surakan. Vjen Suraka që tashmë ishte një burrë i moshuar dhe afrohet tek Umeri r.a i cili i thotë:”O Suraka, i dërguari i Zotit të premtoi byzylikët e Kisras. Merri tani dhe vishi në duart e tua që ta besojnë njerëzit!” Vetë Suraka dhe të gjithë njerëzit që ishin në xhami fillojnë të qajnë me të madhe dhe thonin:”Të vërtetën ka thënë i dërguari i Zotit, të vërtetën ka thënë.”