Document 7

  • June 2020
  • PDF

This document was uploaded by user and they confirmed that they have the permission to share it. If you are author or own the copyright of this book, please report to us by using this DMCA report form. Report DMCA


Overview

Download & View Document 7 as PDF for free.

More details

  • Words: 5,130
  • Pages: 12
Njeriu, jeta, koha ... Pr. Dr. Faik Shkodra Është kënaqësi, por edhe privilegj të shkruash për poezinë e poetit Petraq Kote. Themi kështu për faktin se sot në gjithë hapësirën shqiptare po botohen dhe po shohin dritë vëllime të shumta, përmbajtjet e të cilave shquhen me vlera të duhura ideoestetike, ideopoetike dhe ideoletrare. Mirëpo, do thënë se disa vëllime objektivisht nuk përmbajnë vlera që do t’i bënin të mirëpritura dhe të suksesshme dhe që do të meritonin ndonjë vëmendje nga studiuesit e fushave të ndryshme. Një paradoks i tillë i ka rrënjët në mosorganizmin e jetës sonë letrare dhe krijuese në cilëndo fushë të arteve tona. Sigurisht kushtet e pushtimit të gjatë osman, pastaj regjimet diktatoriale për disa dekada kanë bërë që në veprimtarinë krijuese artistike të kemi ngulfatje dhe censura paradoksale, të cilat kanë pamundësuar që një numër i mirë poetësh, me prirje dhe dell krijues, të mos mund t’i botojnë veprat e tyre. Dhe, tani, me krijimin e kushteve relativisht të volitshme dhe ardhjes së lirisë, ndonëse jo ashtu siç kanë dëshiruar dhe dëshirojnë shqiptarët, të cilët janë ndarë pa të drejtë në disa shtete, poetët më lirshëm shprehin mendimet dhe përjetimet dhe në këtë kontekst kanë mundësi më të mëdha për zhvillimin më të favorshëm të vlerave poetike si në fushën e letërsisë, ashtu edhe të arteve të tjera. Dhe, siç vlerëson studiuesi dhe poeti prof. dr. Agim Vinca: “ Kështu, krahas librave me vlerë, sado të rrallë, botohen shumë libra që nuk i plotësojnë kriteret minimale jo vetëm letrare e estetike, por as gjuhësore ( jo rrallë edhe të paredaktuar, të parecensuar e të palekturuar fare! ), botime këto që letërsinë dhe kulturën tonë e kthejnë në një fazë që ajo kaherë e kishte kaluar. Nuk e di përse në këtë kohë aspak poetike në Kosovë shumëkush ia ka mësyrë të bëhet poet? Dhe jo vetëm poet, por edhe kompozitor, këngëtar, aktor, humorist, publicist, botues e çkamos tjetër ”. Është fakt i pamohueshëm se në shikim të parë, kur lexojmë poezitë e Petraqit, e sidomos ato të vëllimit të sipërthënë, vërejmë arritje të veçanta në shumë aspekte dhe këto arritje lidhen me të vërtetën se edhe kërkesa e lexuesve të sotëm për të lexuar vëllime poezish, romane, novela, tregime, drama e lloje të tjera letrare me vlera më të mëdha në të gjitha rrafshet, kanë bërë që përpjekjet e Petraqit në punën krijuese të jenë gjithnjë e më të mëdha dhe në këtë drejtim në hartimin e poezisë të bëjë hapa të sigurt dhe seriozë, duke dëshmuar prirje dhe aftësi që vargjeve t’u shtojë shkëlqimin e merituar në aspektin e kapjes së problemeve më të mprehta të kohës, me të cilat u ndeshën dhe vazhdojnë të ndeshen njerëzit në përgjithësi. Tema të ndjeshme, ngjarje të prekshme Vëllimin me titull simbolik - metaforik “ Portretin kam varur në muret e kohës ” e karakterizojnë disa cilësi vlerash që rrezatojnë natyrshëm dhe fuqishëm brenda subjekteve të poezive, të cilat shquhen për pasurinë e madhe të mjeteve shprehëse, të përmbajtjeve të thella e interesante, të përsosjes së formës artistike, të shfrytëzimit të temave dhe motiveve me peshë e domethënie specifike, të depërtimit sa të thellë aq përgjithësues në problemet e kohës, me të cilat përballen njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive. Poezitë në gjithë subjektet rrokin tema të ndjeshme, ngjarje të prekshme, rrokin fenomene që përbëjnë vërtetësinë e kohës, të jetës dhe të realitetit dhe, duke i

trajtuar këto probleme, Petraqi arrin të hartojë poezi që ecin me ritmet dhe kërkesat e poezisë së sotme moderne! Të thuhet për një poet se kultivon poezi moderne, do të duhej të kesh para vetes një varg argumentesh me të cilat do të dëshmosh konstatimin. Themi kështu ngaqë kohët e fundit disa “ studiues ”, duke mos i njohur rrugët e zhvillimit të artit të fjalës, metodat, rrymat, drejtimet letrare, formacionet, pra edhe të poezisë dhe letërsisë në përgjithësi, nëpër sesione, konferenca, kongrese rreth këtyre problemeve, që lidhen me modernen dhe postmodernen, sjellin gjithfarë shprehjesh, mendimesh, idesh që vërtet nuk pinë ujë aspak as te lexuesi më i painformuar për këto çështje. Jo rrallë nocionet, shprehjet dhe konstatimet e tyre janë shumë konfuze dhe qesharake. S’është çudi të kemi këso “ xhevahiresh vlerësuese ”, ngase sot shkruhet në mënyrën më të papërgjegjshme edhe për problemet e thjeshta të arteve, e sidomos për poezinë dhe letërsinë në përgjithësi. Me fjalë të tjera, si për krijuesit e veprave letrare, ashtu edhe për studiuesit e letërsisë duhet të vlejnë rregullat që çojnë në gjykime të drejta dhe ato mendime rreth aspekteve kritike, teorike dhe estetike, siç është thënë “ Ai duhet gjithmonë të përpiqet për diçka që nuk është bërë kurrë apo që të tjerët e kanë provuar, por kanë dështuar ”. Dihet se koha dje, koha sot dhe, pa dyshim, koha nesër frymëzojnë Petraqin, i cili aspiron që me imagjinatën e pasur, me të menduarit meditativ dhe me dashurinë e pamatshme që ushqen për njeriun, për fatin, ëndrrat dhe jetën e tij, të thurë vargje të fuqishme në aspektin ideoemocional dhe ideoestetik. Në këto vargje ai sikur shkrihet dhe bashkëjeton me hallet, brengat, shqetësimet dhe zhgënjimet, që përjetohen nga koha dhe realiteti jetësor. Gati një gjendje e tillë shpirtërore dhe ndjenjore që mban Petraqi për kohën dhe njerëzit që i bën temë trajtimi, ta kujtojnë thënien e Jorge Luis Borgesit “ Nuk ka kënaqësi më të ndërlikuar se mendimi ”. Gjatë vëzhgimit të poezive të vëllimit, me gjithsej 132 poezi, kuptojmë se me sa përkushtim e me sa njohje të thellë Petraqi ka arritur ta riprodhojë jetën përmes poezisë dhe nëpërmjet vargjeve spontane e të bukura, vargjeve me rrjedhë të këndshme artistike t’i rrokë motivet ndër më aktualet. Ndonëse temat dhe motivet trajtojnë çështje të llojllojshme dhe komplekse, ashtu siç në të vërtetë është jeta vetë, ato objektivisht ruajnë një unitet që bashkon dhe lidh idetë dhe mendimet bazë, vlera këto që poezive u japin kuptimin dhe forcën e një kompozimi të drejtë e të saktë të asaj që parapëlqen të thotë për këtë a atë çështje të jetës e të fatit të njeriut. Poezia si art dhe pasion fisnik Në gjithë vëllimin poeti sjell vargje të bukura, vargje që bartin botën e madhe shpirtërore dhe mendore të tij, vargje që jo rrallë paraqesin kontekstin kohor, ku poeti na del një dëshmitar i kohës së vet, që ka parë dhe ka përjetuar vlimet ndër më të ndryshmet. Me fjalë të tjera, në vargje lëvizin idetë e poetit, i cili lexuesve u kumton disa nga gjurmët e jetës e të kohës, jo vetëm të tij, por të popullit në përgjithësi. Duke qenë mjeshtër i vargut të lirë, Petraqi me fantazi të bujshme dhe përjetime të thella arrin të shkruajë poezi me forcë ideoemocionale, të cilat shpijnë natyrshëm, pa pompozitet, në përgjithësime të bukura artistike.

Vetë ngjarjet e trajtuara në poezi na vënë në dijeni se poeti, me vargje të gjetura me invencion artistik, me një ndjenjë të brendshme që shpalos botën refleksive, botë e pasur dhe e ndjeshme, arrin pa shpërthime të panevojshme të paraqesë në mënyrë më të denjë fatin e njerëzve si në kohën kur jetonin, ashtu edhe në hapësirat që u takonin. Petraq Kote është poet i përmasave të larta, atyre përmasave që dëshmojnë zotimin dhe idealin e jashtëzakonshëm që ushqen për artin e fjalës, për vargun kuptimplotë që ka forcën meditative, për vargun që ka rëndësinë dhe rolin njohës dhe artistik, vargun që pa vështirësi shpalos dukuritë dhe ngjarjet që rrokullisen rreth njeriut dhe fatit të tij. Këto të dhëna më së miri i përligjin vargjet, me të cilat edhe hapet vëllimi: Dhe pse e di që bota s’është kjo (që duket) dhe pse e di që hëna s’ka dritë, dhe pse e di që yjet nuk shihen dhe pse e di që jeta gënjen dhe pse e di që Perëndia është njeriu dhe pse e di që gratë janë tinëzare unë prapë besoj unë prapë tradhtoj... Pra, në këto vargje ka fakte, ide, mendime dhe pikëpamje të rëndësishme, fakte që përkojnë me dialektikën e ligjësive të natyrës dhe të normave të moralit të shoqërisë njerëzore. Prandaj, vlerësimet dhe konstatimet e shfaqura rreth aspekteve që ndërlidhen me të kuptuarit e jetës dhe të botës shpirtërore të njeriut, vlerësime që realizohen përmes figurës stilistike anaforës dhe heshtjes, na i kujtojnë mendimet e poetit danez Nis Petersen, kur thotë: “ Mëso se pa poezinë njeriu nuk do të ishte i aftë për ndjenja të thella, si dashuria, besimi, patriotizmi ose synimi për një botë më të përkryer ” ( Nëntori, Tiranë, nr. 6, 1987, f. 153 ). Poezia si dituri dhe si dhimbje Nuk po e fillojmë rastësisht këtë pjesë të trajtimit të poezisë së Petraqit me thënien nga Dhjata e vjetër, ashtu siç e paraqet Artur Shopenhaueri në librin “ Këshilla për jetën ”: “ Njeriu që nuk ka dije për të zotëruar dhe njohur realitetin jetësor, dhe njeriu që nuk arrin të depërtojë në fshehtësitë e këtij realiteti, është i gjykuar të përjetojë dhimbje ”, dhimbje kjo që Petraqi dhe kolegët si ai do ta shndërrojnë në ndjenjë që do të na ndihmojnë ta shohim atë që nuk e sheh syri i njeriut të rëndomtë, të dëgjojmë atë që nuk e dëgjon veshi i njeriut të zakonshëm, të kuptojmë ato dukuri e fenomene, ato ngjarje e vlime, ato kënaqësi, ato gëzime e dëshpërime, që vërtet nuk i kupton fare njeriu i thjeshtë, njeriu që nuk ka përgatitje e reflekse për çështje të riprodhimit të dukurive jetësore në rrafshin e artit të fjalës së bukur artistike, pra, në poezinë e jetës e të përjetimit shpirtëror.

Duke lexuar poezitë: “ Përemri unë, më zmadhohet me foljen kam ”, “Zogjtë”, “Ndoshta kam marrë formën e librit”, “Më thërret krisma...”, “Metamorfozë”, “Fitorja”, “Duke ndenjur përpara sjelljes sime...”, “Prandaj ndërtoj veten ikonë surreale”, “Në krevat tradhtia, prapë, atje”, “Gjurmë Kristiane”, poeti shtjellon ndjenjat më delikate që lidhen me dashurinë për lirinë, për nënë Kalije Kote (Dumi), dashurinë për Shqipërinë që identifikohet me baladën me vargje Dhoqinë dhe kjo ndjenjë shkon e shkrihet lirshëm me vargun me fuqi të madhe ideoemocionale dhe ideopatriotike: “Se nëna ime është nëna e Atdheut tim”! Është kjo një mrekulli mbi shumë mrekulli të tjera, që di ta krijojë fuqia mendore dhe frymëzimi spontan i Petraqit, që nxitet nga idealet dhe dëshirat e mëdha. Poezia në mënyrë metaforike trajton kontributin e veçantë në fushën e mësimdhënies të pedagogut Ermir Xhindi. Në disa vargje, ndërkaq, poeti me antiteza të gjetura pasqyron disa paqartësi dhe dilema që janë krijuar jashtë dëshirave të njerëzve, e kjo vërehet nga mendimet e Petraqit kur në krye të poezisë “Më thërret krisma...” shkruan: Thonë se kjo që duket, nuk është bota – Unë them se vetëm kjo që duket është bota Ajo që tregojnë të mirët... Poezitë e Petraqit trajtojnë probleme e ndrydhje të shumta që përshkojnë realitetin e kohës, realitet ky që nga njerëzit e mendjes e të penës duhet të vihet në spikamë, jo për t’ia hequr dikujt kokën, por për ta vetëdijesuar në punët dhe veprimet që bën në dëm të shoqërisë e të individit. Në këtë kontekst, secila poezi e vëllimit, me problemet që ngre, sikur flet vetë. Këto tipare dhe cilësi të poezive të Petraqit sikur i bëjnë edhe më të freskëta mendimet e Jakob Paludan-it – eseistit danez, kur thotë: “Shkrimtari jep e merr të shprehë atë që ka në zemër...! Letërsia jeton me mendimin, sepse teksti i shtypur, në ndryshim nga ngjyrat, nuk shpreh dukuri të pandërmjetme, ai nuk është veçse një kod konvencional i skicuar me të zezë në të bardhë. Kjo botë e ndërlikuar jeton në shpirtin e shkrimtarit”. Poezitë: “Paqja e senatuar”, “ Rruga ters ”, “ Kthehuni ”, “ Lirika dashurie ”, “ Jam harta e gruas sime ”, “ Më këputet zëri ”, “ Thuaju shqiptarëve ”, “ Gruaja ime ”, “ Turpi ”, “ Ballkan ”, “ Helm s’jep dot!... ”, “ Ëndrra e nënës sime, 1967 ”, “ Sot u vesha me nder...”, sjellin tema e motive jo vetëm interesante, por me vlera të shquara në të gjitha aspektet. Brenda tyre gjejmë të dhëna që shpalosin botën e pasur të poetit, i cili me mjeshtëri të rrallë di t’i kapë çështjet që lidhen me të dhëna f]filozofike, historike, etike, të dashurisë, të psikologjisë, të folklorit dhe të atdhedashurisë. Autori shkruan me ngrohtësi për dashurinë dhe historinë e dhimbshme të Mitrovicës, sot të ndarë e nesër të shohim, për Boletinin dhe për Kosovën, e cila vetëm më 17 shkurt 2008, falë sakrificës së popullit, luftëtarëve të UÇK-së, ndihmës së pakursyer të Amerikës dhe shteteve mike të saj, arrin të dalë nga kthetrat e sundimit të egër të Serbisë. Me një komunikim emocional poeti këndon mbi ngjarje të rëndësishme duke shpërfaqur kështu idetë dhe shqetësimet për kohën dhe rreth kohës, e herë-herë, duke paraqitur vlerat e poezisë së A. Podrimjes, të De Radës, të prodhimtarisë letrare të Petro Markos e disa krijuesve të tjerë emblematikë, këndon mbi copëtimin e tokave shqiptare, për të vazhduar me vargje të ngrohta e të fuqishme për botën femërore, për motivin e dashurisë, të cilin e zotëron në mënyrën më të mirë dhe me iniciale pranon

se është bërë harta e së dashurës së vet - bashkëshortes. Petraqi, kur shkruan për De Radën dhe arbëreshët, arrin të hartojë vargje që reflektojnë denjësisht dhe mençurisht dinjitetin e lartë të arbëreshëve, të cilët “kanë këmbëngulur të jetojnë si arbëreshë brez pas brezi në këtë pjesë të tokës që i caktoi historia”, por gjithnjë duke respektuar e duke ruajtur gjallë porositë që u ka dhënë De Rada që ta ruajnë gjakun e pashprishur “ duke i mbetur peng atdheut të të parëve ”, tamam ashtu siç e thotë Petraqi “ që del nga zemra e çarë e Shqipërisë ”. Vizione të gjera dhe largpamëse Veçanërisht me vlera të njëmendta atdhetare e estetike është poezia “Thuaju shqiptarëve”, brenda së cilës shpreh vizionet e gjera dhe largpamëse mbi dashurinë ndaj Atdheut dhe jetën e ëndërruar për jetë të lirë dhe të pabrenga të shqiptarëve kudo që jetojnë. Me të drejtë vlerëson poeti se shqiptarët një herë e përgjithmonë duhet ta braktisin bajraktarizmin, politikën e fiseve dhe ndarjen sipas përkatësive fetare dhe pikërisht për këtë plagë e problem poeti në mënyrë urdhërore u drejtohet shqiptarëve: Thuaju shqiptarëve se do të jenë gjithmonë myslimanë të krishterë të gjithçka por arabë, turq, grekë, italianë, serbë, rumunë Kurrë! Duke qenë vrojtues i vëmendshëm i ngjarjeve të kohës, ashtu siç ngjet me krijuesit e dramave moderne, që ngjarjet i vendosin brenda trekëndëshit: kohë, vend dhe hapësirë, edhe Petraqi, me vizione e mendime të kristalta, shkon drejt këtyre linjave të transponimit në poezi. Dashuria për të vërtetën, të sinqertën, të bukurën, për njeriun, për Atdheun, kulturën, traditën, tërësinë e hapësirës shqiptare, figurat e njohura të historisë, të artit e të letërsisë, i kanë mundësuar poetit që me figuracion të pasur poetik të hartojë poezi që shprehin një botë të tërë plot shestime, ëndrra dhe vizione që shkojnë deri në kufijtë e legjendave, baladave, përrallave dhe elegjive. Të dhëna të tilla gjejmë gjithandej poezive të vëllimit, të cilat vërtet rrokin probleme aq të shumta e komplekse, ashtu siç është jeta, parë në dritën e poezisë. Meqë në shpirtin e në mendjen e poetit vërshojnë ide e momente të shumta, atëherë ai nuk mund të përmbahet nga hartimi i vargjeve me nota të fuqishme lirike dhe brenda tyre shkrin shumë eksklamacione të gjetura me mjeshtëri e shije artistike, siç ngjet kjo në vargjet: Ah, jeta ime Burgje, Vrasje

Varre...! Vjersha “ Ballkan ” sjell të dhëna të lemerishme, të cilat lidhen me ndarjen në pjesë të shumta të popullit shqiptar nga trungu i Shqipërisë. U mor vesh, Petraqi në mënyrë të qëlluar ka zgjedhur këtë motiv që tek ai ka shkaktuar dhimbjen e pashëruar dhe tërë këtë atmosferë e riprodhon me mjete poetike të zgjedhura me afinitet e forcë poetike dhe përmes shprehjeve artistike shfaq gjykimet dhe pakënaqësitë mbi padrejtësitë bërë ndaj shqiptarëve dhe tërësisë territoriale të tyre. Këto koncepte dhe gjykime të poetit janë dhënë në vargjet: Prandaj mbi pergamenët e mi të fjalëve të dashurisë mitike Firmuan të tjerët me dhëmbë Tek fluturonte shqiponja, pashë veten të binte. Pa rënë koka ishte ndarë në pesë koka. Vuajtjet e të burgosurve të shumtë në Shqipëri në kohën e diktaturës komuniste kanë frymëzuar Petraqin të shfaqë ndjenja dhe mendime të dhimbshme, ashtu siç ishin të dhimbshme vuajtjet e njerëzve të futur brenda grilave. Vërtet poeti është i nevrikosur tej mase dhe i goditur nga këto veprime të rënda dhe fyese, veprime që pa hezitim e çojnë deri në përdorimin e vulgarizmave. Këto pikëpamje më së miri lexuesi i ndesh në poezinë “ Sot u vesha me nder... ” , ku kryefjalë e gjithë përmbajtjes kujtojmë janë vargjet: Nderin tim ma morën pa më pyetur kur këtej jetonte Socializmi. Më thoshin se para partisë së veshur duhet të jemi të gjithë lakuriq Ndaj s’kisha turp! Në disa poezi poeti, duke rrokur çështje të rëndësishme rreth jetës dhe për jetën, rreth historisë dhe për historinë, rreth kohëve të ndryshme, të cilat i përfytyron nga distancat e largëta dhe të afërta të historisë, e vë lexuesin, sidomos atë me dije e kulturë nga fusha e poezisë, në mendime të thella dhe në këto mendime ai përkrah dhe mbështet ndershmërisht e paluhatshëm çdo gjë të mirë, gjithnjë duke dëshiruar krijimin e raporteve të shëndosha, të mira midis njerëzve dhe krejt kjo lidhet me aspiratat e poetit për krijimin e një bote të re, ku nuk do të ketë dhunë, padrejtësi dhe mizori. Duke apostrofuar tregimtarin e madh frëng, Gi dë Mopasan, krahasimet që i bën midis Shqipërisë e Francës, bëjnë që poeti të nxjerrë mendime që lidhen me analogji e apologji, autologji dhe me patologji! Poezitë: “ Rit ”, “ E thëna ”, “ Medalja ”, “ Pa sy... Kamy ”, “ Vitet e rinisë ”, “ Gruaja që merr dritë borxh ”, “ Polidhimbje ”, “ Si

rrojnë vallë të burgosur këta kufij? ”, “ Portretin kam varur në muret e kohës ”, “ Poeti ”, “ Poetëve të vdekur ”, “ Jetoj tek mendimi, tani ”, “ Erdhën Ilirët ”, “ Në raftet e bibliotekës sime ”, “ Ditët e jetës ”, “ Po mua, pse më zë malli për rininë? ”, “ Armikun e Shqipërisë...”, “ Ditar ”, “ Gegët ”, “ Fjala ”, “ Këputni varësen ” e disa të tjera që nuk po i zëmë ngoje, trajtojnë tema e motive deri tani të paprekura dhe subjektet e tyre flasin për një shembull mjeshtëror të Petraqit. Vargjet janë të rrjedhshme, janë interesante dhe janë origjinale. Nga pikëpamja e artit poetik dhe figurave të bollshme artistike, poezitë shënojnë sukses të nivelit të lartë. Pikërisht në këto poezi poeti ka dëshmuar aftësitë njohëse dhe dellin poetik në shfaqjen e mendimeve dhe të ideve për dukuritë, personalitetet, poetët, bibliotekën dhe ëndrrat që bëhen pjesë e jetës dhe fantazisë së tij. Vetë lënda që mbruhet brenda vargjeve flet për botën e pasur shpirtërore, mendore dhe imagjinatave të Petraqit. Vargjet: Ajo hyn në fjalët e mia ( Rit ) Ose: Cilën perëndeshë pret? Pyeti vasha. -Të thënën, - them E thëna jam! Thotë (E thëna)

Ose: Me djersë bëj mendimet, fjalët laj me flakë Një qefin më ndjek, me trupin hollak ( Medalja )

Ose: Në sy të diellit, të Atit, Birit dhe shqipes së shenjtë Kujtuam se mbetëm qorra të dy ( Pa sy... Kamy )

Ose: Fjalët e pjekura dalin nga furra e akullt e mendjes së plakut ( Copëtim )

Ose: Sa vjet që ikën, aq malle mbijnë, Në shpirtin tim, në trupin tim ( Polidhimbje )

Ose: Nuk ka më të dashur se dashuria e Dimrit.Më thanë dy të varfër ( Portretin kam varur në muret e kohës )

Ose: Oh, ç’është një dhimbje që shkelka dhimbjet e mia e ndërsa armiqtë e ruajnë?! ( Oh ç’është një dhembje?! ) Ky këmbanari që lajme çon mesazhe mbledh nëpër udhëtim s’është këmbanar, por është poet... ( Poeti )

Ose: Oron, - Visar Zhiti, Agron Tufa, Aleksandër Bardhi Gëzim Hajdari, Frederik Reshpja, Ardian Kyçyku Ervin Hatibi, Mimoza Ahmeti, Primo Shllaku, Petraq Risto... ( Në raftet e bibliotekës sime )

Ose: Tollumat e kohës së Migjenit

Mësuesit i veshin se nuk kanë... Tremben nxënësit nëpër banka Gojët e këpucëve duan t’i hanë. ( Ditar )

Ose: Kadare, Bejtexhinjve pështymë mbi pesë B-të e mëdha Buzukun, Barletin, Budin, Bardhin, Bogdanin ( Fjala ) shprehin kapërthime të shumta të ndjenjave të poetit, shpërfaqur në shumë vargje dhe vlera të njerëzve që i bën objekt këndimi. Kuptohet, Petraqi me kulturën, dijen, diapazonin dhe ndërgjegjen që ka ndaj fjalës poetike, ndaj aktit krijues, arrin të konceptojë e të shfaqë pikëpamje e mendime të rëndësishme për njerëzit dhe veprat e tyre. Këto vargje të shkëputura nga poezitë e Petraqit paraqesin vetëm një pjesë të historisë, të kulturës e të poezisë së autorit, paraqesin një këngëtar të talentuar dhe të pasionuar për ta transponuar realitetin jetësor në realitetin artistik. Prandaj, me arsye mund të thuhet se në hetimin e vlerave estetike dhe ideore të poezisë së Petraqit duhet të kihen parasysh shumë faktorë dhe shumë metoda të hulumtimit që kanë të bëjnë me çështje të teorisë dhe historisë së letërsisë shqipe në përgjithësi. Në radhë të parë, këto çështje lidhen me faktin se gjatë vlerësimit të poezisë së Petraqit duhet të merren në trajtim, në konsiderim dhe në analizë këta përbërës themelorë, që në mënyrën më të mirë përbëjnë vlerat e njëmendta ideoestetike dhe ideoletrare të poezisë, siç janë: tema, ideja kryesore, fabula e çdo poezie, qëndrimi ideoemocional, kompozicioni i poezisë, gjuha me të cilën realizohet, shprehja e poetit dhe mjetet shprehëse gjuhësore e stilistike. U mor vesh, gjatë trajtimit të këtyre çështjeve bosht që kanë ndërlidhje të fortë, do pasur parasysh një fakt jetësor në atë artistik. I tërë vëllimi i poetit na sjell ndër mend mendimet e Rinush Idrizit, thënë për krijimtarinë artistike të Migjenit, kur shprehimisht thekson: “ Koha vazhdimisht ka kthyer vështrimin e vet në jetën e njerëzve të shquar dhe ka sjellë aspekte të fuqishme nga biografia e një populli ose një kombi. Vepra e këtyre njerëzve ka përjashtuar moshat e tyre. Koha ka biseduar gjithnjë me ta edhe kur kanë qenë jetëshkurtër, edhe kur kanë qenë jetëgjatë, apo kanë jetuar në periudha historike, kur është ndërthurur primitivizmi me kohët moderne. Ky dialog ka qenë i pandërprerë, sepse vepra e tyre i ka tronditur kohët ” ( R. Idrizi, Migjeni, Tiranë, 1992, f. 3 ). Përkime midis poezisë dhe fjalëve të urta Në vëllimin “ Portretin kam varur në muret e kohës ” të Petraq Kotes, lexuesi mëson mbi mishërimin e fjalëve të urta brenda strukturës së poezive. Fjalët e urta janë ndër

llojet më karakteristike të folklorit. Themi kështu për faktin se ato në përgjithësi paraqesin trajtat e mendimeve të dendura dhe si të tilla transmetojnë parime të shumta mbi mençurinë, të vërtetën, dashurinë, edukatën, filozofinë, psikologjinë, moralin, të bukurën e shumëçka tjetër që lidhet me jetën dhe njeriun. Duke i pasur parasysh këto të dhëna dhe vlerat e shumta që shprehin fjalët e urta, me të drejtë konstaton Hamit Beqja se “ ato janë me domethënie të shumta, të rrafsheve të ndryshme, herë më të ngushta e specifike, herë më të përgjithshme e më totale. ” Ato, siç kemi mundur të vërejmë, në poezinë e Petraqit zënë vend të merituar. Petraqi është poet që mendimet dhe gjykimet nuk i shfaq në mënyrë të shpejtuar dhe ky parim krijues i tij në të vërtetë dëshmon vetëdijen e lartë të tij dhe pikërisht përmes mishërimit të fjalëve të urta arrin t’u flasë guximshëm shqiptarëve për krizat e shoqërisë sonë jo vetëm dje, por edhe në ditët e sotme. Duke shkruar për disa dukuri negative, që sot mund të vërehen në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat e jetës e të zhvillimeve tona shoqërore, poeti, duke qenë i paanshëm dhe i sinqertë, demaskon prapambeturin e shoqërisë shqiptare, tamam siç e tha para disa ditësh akademik Rexhep Qosja në përgjigjen që u dha katër krijuesve ( N. Mustafajt, Diana Çulit, Ylljet Aliçkajt dhe Behar Gjokës ): “ Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore e morale siç është, sikur demokracia shqiptare të mos ishte primitive, e ndotur dhe e korruptuar siç është etj., etj., atëherë inteligjencia jonë, e me ta edhe reaguesit do ta shihnin gjendjen tonë shoqërore, politike, kulturore, letrare, shkencore, urbane si është në të vërtetë dhe nuk do të mashtronin veten dhe popullin me iluzione mbi nivelet tona të paqena letrare, artistike, shkencore dhe demokratike e të tjera gjoja evropiane ” ( R. Qosja, Shoqëria shqiptare në krizë, Epoka e re, Prishtinë, 5 shtator, 2009, f. 12 ). Me hibridizimin e fjalëve të urta në syzhetë e poezive poeti tregon në mënyrën më të drejtpërdrejtë kulturën, përgatitjen dhe nivelin intelektual dhe aftësitë krijuese duke shfaqur në këtë mënyrë qëndrimet emocionale të mbështetura në realitetin e kohës dhe në vlimet që shpërthejnë brenda shoqërisë shqiptare e më gjerë. Në përgjithësi, vlerat kryesore të poezisë së Petraqit duhet parë nga disa rrafshe, të cilat nga ana e autorit janë përmbushur në mënyrën më të suksesshme: nga ritmi i përjetimit të jetës, nga ritmi i kapjes së imazheve, nga ritmi i perceptimit të tyre dhe nga aftësia emocionale dhe mendore e trajtimit artistik. Petraqi, edhe kur mishëron brenda poezisë fjalë të urta, na del origjinal, sepse edhe përmes fjalëve të urta shpreh botën refleksive, krijon vlera poetike dhe përmes vargjeve jep sinteza të ngjeshura mbi kohën dhe problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit. Se vërtet poeti është mjeshtër i mirë i shfrytëzimit të fjalëve të urta, kjo mund të shihet nga shembujt që po i japim në vijim: “ Fitoret e mia – nuk bien shtatzëna ”, “ Vdekja bashkon njerëzit – dashuria i ndan ”, “ Gjëja më e padrejtë është kur njeriun e ha jeta ”, “ Zjarrin e parë ndezi, puthja ”, “ Të më mbash për dore si fëmijë, dua atdhe ”, “ Arketipi i njeriut është druri, pylli ”, “ Dashuritë përgjysmë, janë plagë që s’mbyllen kurrë në të dy gjysmat ”, “ Sytë kurrë nuk gabojnë ”, “ Tek e ardhmja, ka të shkuar, ndërsa tek e shkuara, nuk ka të ardhme ”, “ Përherë në sytë e çdo shqiptari, kalëron ushtari i atdheut ”, “ Varri i anijes së qenies tënde është vetëm një i vetëm – Atdheu ”, “ Unë, jam vendlindja ime ”, “ Cicërimat e zogjve i kanë varret në pikat e vesës ”, “ Harresa, nënë ka vdekjen ”, “ Njeriun e bën pis ajo që nxjerr nga goja, jo ajo që fut në gojë ”, “ Kur mëkatet ndodhin në errësirë, mëkatar është dielli ”, “ Të

gjitha ardhjet kanë ikjet me vete ”, “ Njerëzit dhe vesa kanë të njëjtin fat ”, “ Gjaku ujë nuk bëhet, por qelb bëhet ”, “ Era e atdheut dhe e nënës është veçantë ”, “ Më mirë lot e me atdhe, sesa mjaltë e hergjele ”, “ Në raftet e mendjes sime është biblioteka ime ”, “ Miqtë jo dinjitozë janë më të rrezikshëm se armiqtë potencialë ”, “ Në gjunjë i ulem vetëm atdheut ” etj. Në vetë përmbajtjen e fjalëve të urta, që kryesisht poeti i ka vendosur në fillim të poezive, shohim vlerat dhe rëndësinë e tyre në shumë aspekte. Ato shprehin përvojat e shumta që kanë të bëjnë me të menduarit e thellë, me thellësinë e gjykimit e të vlerësimit të mençurisë, të dijes, të së mirës, të së bukurës dhe të së moralshmes. Një rol të veçantë këto fjalë të urta luajnë edhe në trajtimin e anëve të ndryshme të të menduarit, të veprimit dhe vetë mënyra si i ka krijuar Petraqi. Në vend të përfundimit Vëllimi “ Portretin kam varur në muret e kohës ” i Petraq Kotes është vepër që në përgjithësi trajton probleme e dukuri shqetësuese të realitetit tonë dhe këto aspekte brenda poezive janë shtruar me një frymëzim të lartë artistik. Objektivisht, poeti në pjesën më të madhe të poezive ka arritur ta perceptojë kohën dhe fatin e njeriut në pikat më kryesore. Gjithkund poeti jep tablo poetike mbi jetën dhe kohën. Ai është mjeshtër dhe zbulues i shkathët i imazheve të gjalla dhe jo vetëm paraqitës i thjeshtë i tyre. Petraq Kote në pjesën më të mirë të poezive lexuesit i jep mesazhe të rëndësishme dhe duke pasur një pretendim të tillë, ai vërtet i përfill mësimet e Artur Shopenhauerit, i cili theksonte: “ Secili prej nesh duhet të jetë vetvetja dhe të gjejë në vetvete atë që ka më të mirën dhe më të rëndësishmen. Kjo është e gjitha. Sa më shumë që do të gjejmë në vetvete burimin e kënaqësive tona, aq më shumë do të jemi të lumtur. ” Prandaj, ka thënë Aristoteli: “ Lumturia u përket atyre që i mjaftojnë vetvetes. ” Mbi këto çështje bën fjalë edhe poezia e Petraqit. Për këto çështje poeti mban qëndrim kritik dhe mbase të rreptë. Duke i parë aspektet që trajtohen në poezitë e vëllimit, kuptojmë ashtu siç ka thënë Rexhep Qosja se “ E vërteta që godet pakicën, zakonisht, është në interesin e shumicës; e vërteta që godet aktualitetin, zakonisht, është në interesin e së nesërmes ”. Në tërësi, Petraqi di të shprehë preokupimet, mendimet dhe ëndrrat dhe pikërisht duke i endësuar përmes vargjeve, sjell gjykime, vlerësime dhe përfundime të arsyeshme e të qëndrueshme. Dhe, kur këto të dhëna i kemi parasysh, atëherë poezia e tij, siç ka thënë në një studim Agim Vinca për një tjetër poet, “... është poezi që i flet njeriut për hallet dhe gëzimet e tij të përditshme, të vogla e të mëdha, por edhe për problemet dhe vizionet e gjera historike, të përgjithshme.” Në fund, mendojmë se krejt këtë që u tha për vëllimin, në mënyrën më të denjë e më të mirë do ta shprehin mendimet e Pushkinit: “ Poezia shpesh është si festë që të rri pranë zemrës, apo duke të shkaktuar mallëngjim, “ një pikëllim plot dritë ”! Në epokën tonë moderne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të përgjigjemi për atë që themi për problemet që ngre një vepër artistike, sepse çdo fjalë duhet të peshohet mirë në mënyrë që të arsyetojë vlerën dhe efektin e vet. Sido që të jetë, këtë trajtesë për vëllimin e mikut dhe poetit tonë të vyeshëm nga Fieri, Petraq Kote, po e mbyllim me fjalët falënderuese të thëna për fituesin e Çmimit Nobel për Letërsi, Ernest Heminguej: “ Duam t’i shprehim admirimin tonë për syrin shqiponjë me të cilin ai ka shikuar dhe për saktësinë me të cilën ai ka interpretuar ekzistencën e

njerëzve në kohët tona të turbullta, si dhe për përmbajtjen e admirueshme me të cilën ai ka përshkruar betejën e tyre lakuriqe ”.

Related Documents

Document 7
December 2019 0
Document 7
June 2020 8
Document 7
November 2019 0
New Wordpad Document (7)
November 2019 0
Document (7).docx
May 2020 1
Document (7).pdf
April 2020 0