5.2. NËNSISTEMET KYÇE TË SISTEMIT EKONOMIK 5.2.1. NDËRTIMI I TREGUT INTEGRAL TË KOSOVËS DHE RREGULLIMI I TIJ Tregu integral është sistem i përbërë prej nënsistemeve ose tregjeve të ndryshme, siç janë: (1) tregu i fuqisë punëtore; (2) tregu i mallrave dhe i shërbimeve dhe (3) tregu financiar, përkatësisht tregu i parave, tregu i kapitalit dhe tregu i devizave. Subjektet e sistemit ekonomik: konsumatorët, prodhuesit dhe shteti, me aktivitetet e tyre çdo ditë marrin vendime lidhur me furnizimet ose blerjet dhe shitjet e tyre. Ndërmjet të këtyre subjekteve zhvillohet interaksion dinamik, i cili mundëson funksionimin e ekonomisë, mirëpo duhet dalluar se forcën kryesore në treg e paraqet interaksioni në mes të ndërmarrjeve si njësi themelore prodhuese dhe familjeve si njësi themelore konsumuese. Mirëpo, në fazën kalimtare sidomos në ato veprimtari dhe degë ku vepron monopoli shteti ka një rol më aktivë por me një selektivitet të nevojshëm të masave ekonomike duke i kombinuar me masat e tërthorta të politikës ekonomike. 5.2.2. SISTEMI MONETAR Sistemi monetar duhet t'i përshtatet procesit të transformimit dhe ndërtimit të sistemit ekonomik. Si komponentë kryesore të sistemit monetar duhet të merren institucionet monetare dhe instrumentet të cilat mund të funksionojnë si para. Këto dy komponente në mes vete janë të varura, ngase institucionet monetare janë ato të cilat në formë të obligimeve (në pasivën e tyre) të tyre i kanë instrumentet të cilat konsiderohen dhe funksionojnë si para. Pra, rolin e veçantë në procesin e krijimit dhe të tërheqjes së parave e kanë institucionet monetare. Lidhur me organizimin institucional, së pari duhet të themelohet sistemi bankar sipas dispozitave ligjore, në krye me Bankën Qendrore të Kosovës, si shtyllë e sistemit monetar-kreditor. Sistemi bankar do të përbëhej prej: 1. Bankës Qendrore të Kosovës 2. Sistemit të bankave afariste o o o o o o
banka për zhvillim banka aksionare banka private banka të specializuara kooperativat kursimore-kreditore institucionet tjera financiare
Banka Qendrore e Kosovës duhet të themelohet si institucion i pavarur i sistemit monetar në sferën e emisionit të parave, e cila duhet të kujdeset drejtpërsëdrejti për politikën monetare, për
stabilitetin e valutës dhe për disiplinën financiare. Banka Qendrore duhet të organizohet ashtu, që të kryejë punët nga kompetencat që i takojnë, siç janë: • • • • • • • • •
punët monetare, punët devizore dhe të qarkullimit të pagesave me botën e jashtme, punët kreditore dhe të marrëdhënieve kreditore me botën e jashtme, si dhe me organizatat financiare ndërkombëtare, punët e kontrollit, punët e trezorit, punët e kërkimeve (hulumtimeve), informatikës dhe të statistikës, punët e qarkullimit të pagesave në vend, punët e emisionit të kartmonedhave dhe të monedhave, si dhe punët tjera të caktuara me norma ligjore.
Struktura organizative e Bankës Qendrore duhet t'u përmbahet funksioneve të saj dhe nevojës për efikasitet. Me qëllim të rregullimit të sasisë së parave, Banka Qendrore e Kosovës duhet të zbatojë: • • • • • • •
operacionet në tregun e hapur, rieskontimin e letrave me vlerë me afat të shkurtër, të vendit dhe të botës së jashtme, rifinancimin e kreditit në bazë të letrave me vlerë të caktuar afatshkurtër, emetimin dhe tërheqjen e bonave të arkës të Bankës Qendrore, blerjen dhe shitjen e mjeteve të huaja të pagimit, duke përfshirë çeqet, letrat me vlerë dhe kërkesat, si dhe arin dhe metalet tjera fisnike, caktimin e rezervës së detyrueshme të bankave të Bankës Qendrore, caktimin e normës eskonte dhe të normave të kamatës.
Banka merr përgjegjësinë për ecuritë e brendshme të situatës monetare si dhe të likuiditetit të jashtëm. Banka Qendrore e Kosovës në fazën e tranzicionit do të ketë ndikim të madh në drejtimin e politikës monetare-kreditore me qëllim të ndikimit në kushtet e afarizmit, në ecurinë e të ardhurave, në orientimin dhe shpejtësinë e zhvillimit. Organizimi dhe rrjeta e degëzuar e bankave, si dhe politika afariste e tyre, janë parakushte institucionale me rëndësi, nga të cilët varet ndikimi i politikës monetare-kreditore në politikën zhvillimore të ekonomisë së Kosovës, të regjioneve të saj dhe të subjekteve ekonomike. Politika kreditore duhet ta mbështesë konsolidimin financiar të ekonomisë, transformimin pronësor, realizimin e projekteve investive të reja dhe të mënjanimit të dëmeve gjatë shaktërrimit të ekonomisë së Kosovës. Natyrisht, në bazë të principeve të afarizmit bankar, duke shfrytëzuar kapitalin vetiak të bankave nga bota e jashtme (kreditë ndërkombëtare) dhe nga tregu financiar etj. Sistemi monetar-kreditor në Kosovë do të ballafaqohet me probleme të mëdha, sepse më parë duhet të ndërtohen dhe të aplikohen institucionet e ekonomisë së tregut, meqë ato janë të pazhvilluara, në një nivel të ulët, e, nga ana tjetër, kemi të bëjmë me problemet e mëdha të zhvillimit ekonomik dhe konfliktet zhvillimore në Kosovë. 5.2.3. SISTEMI BANKAR DHE TREGU FINANCIAR
Në Kosovë, pas vitit 1990, sistemi bankar është shkatërruar në tërësi. Është shuar Banka Popullore e Kosovës, e cila funksiononte si njësi e veçantë e sistemit të Bankave Popullore (Qendrore), të cilin e përbënin 9 Banka Popullore: Banka Popullore e ish-Jugosllavisë, 6 BP të republikave dhe 2 BP të krahinave. Pra, si njësi e federatës së ish-Jugosllavisë, Kosova e kishte Bankën e vet qendrore. Një fat të tillë e pësoi edhe Banka e Bashkuar e Kosovës, e cila ishte një ndër bankat më të forta të ish-Jugosllavisë dhe emër i respektuar bankar dhe që bashkëpunonte gati me të gjitha bankat e rëndësishme në botë. Kjo bankë bashkëpunonte edhe me Bankën Botërore, me të cilën edhe u realizuan programe të rëndësishme në industri, bujqësi dhe në infrastrukturë. Pra, Banka e Bashkuar e Kosovës ishte shtyllë e zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Kosovës, prandaj edhe nuk është e rastit pse, pas suspendimit të autonomisë së Kosovës dhe organave të saj, ajo u gjet e para në shënjestër. Gjendja e sotme nuk është aspak e lakmueshme, pasi që aktualisht në Kosovë funksionon vetëm një bankë domicile (kosovare), Banka Ekonomike sh.a., e cila u themelua në Gjakovë, pasi u arrit të sigurohet kapitali themelor prej 2.5 milionë markash. Numri i deponentëve të kësaj banke rritet vazhdimisht dhe ka arritur mbi 5000, ndërsa 320 prej tyre janë aksionarë. Kjo bankë kryesisht punon me ndërmarrjet private. Rreth 70% të kapitalit themelor të Bankës Ekonomike e kanë ish-ndërmarrjet shoqërore, tash aksionare. Banka Ekonomike e ka vetëm autorizimin e ulët, prandaj mund të kryejë vetëm punët e këmbimit valutor, por jo edhe qarkullimin e pagesave me botën e jashtme, pasi për këtë nevojitet autorizimi i mesëm dhe sigurimi i cenzusit (2 mil. dollarë), prandaj punët e qarkullimit të pagesave i kryen përmes një banke tjetër. Me sigurimin e kësaj shume banka do ta rrumbullakësonte veprimtarinë e vet bankare. Pos kësaj banke, në Kosovë punojnë edhe rreth 44 filiala e përfaqësi të bankave të Serbisë, që i kanë selitë jashtë Kosovës, të cilat kanë për qëllim të gëlltisin potencialin financiar edhe ashtu të varfëruar kosovar. Këto njësi të bankave kryesisht merren me blerjen e mjeteve devizore për ndërmarrjet e Serbisë, si dhe me kryerjenë e transaksioneve të tjera komerciale. Bankat afariste, do të bëjnë kreditimin e ekonomisë e popullsisë, dhe do të afrojnë shërbime të tjera për komintentët e vet. Bankat e specializuara (bankat investive, bankat hipotetike etj.), do të orientohen kryesisht në punët rreth kredive afatgjata për pasuri të patundshme. Pra, në këtë fazë të zhvillimit të sistemit bankar e financiar të Kosovës, do ta kemi si detyrë prioritare eliminimin e të gjitha dobësive nga periudha e mëparshme, siç janë: • • • • • •
mungesa e kursimit, orientimi drejt konsumit, mungesa e traditës, mosbesimi në instrumentet financiare, papunësia e lartë, problemet sociale etj.
Rigrupimi institucional dhe zhvillimi i sistemit financiar të tërësishëm është domosdoshmëri, nëse kërkohet tregu i zhvilluar, me ç'rast tregu financiar do të fitojë një rol kyç. Në ekonomitë e zhvilluara ekzistojnë tri drejtime të zhvillimit të strukturës financiare:
1) zhvillimi i bankave dhe organizatave financiare jobankare (SHBA), 2) afarizmi bankar tradicional, me zhvillimin gjithnjë e më të madh të tregut të parasë e të kapitalit (Britania e Madhe), dhe 3) formimi dhe zhvillimi i afarizmit bankar universal, me zhvillimin e institucioneve financiare të specializuara (Gjermania). Struktura financiare e Kosovës në të ardhmen do të mund të zhvillohej me kombinimin e dy modeleve të para, pasi që asnjëri nga modelet nuk mund të zbatohet në mënyrë rigjide dhe në tërësi. Kapitali i bankave, në përgjithësi, do të sigurohet nga dy burime kryesore: nga aksionarët dhe nga mjetet financiare të huazuara. Kur është fjala për aksionarët, atyre duhet siguruar normën konkurrente të kthimit për mjetet e tyre, meqë në të kundërtën ata nuk do të jenë të interesuar që të investojnë në bankë. Po ashtu, duhet stimuluar edhe ata që i huazojnë mjetet e tyre financiare, apo i deponojnë në bankë, duke e ngritur normën e kamatës që u paguhet deponentëve (kamata pasive). Për shkak të rëndësisë së madhe që kanë bankat për zhvillimin dhe stabilizimin e ekonomisë kombëtare, ato duhet të bëhen institucione të një besimi të madh dhe të rrezikut minimal. Për të arritur këtë, bankat duhet të kenë adekuatitetin e kapitalit të tyre, që vështrohet në dy aspekte: 1. shuma minimale e kapitalit që kërkohet gjatë themelimit të bankës, 2. koeficienti i adekuativitetit. Shuma minimale e kapitalit të nevojshëm për themelimin e bankave të reja përcaktohet me dispozita ligjore, ndërsa koeficienti minimal i adekuatitetit të kapitalit duhet të jetë 8%. Ky është raporti në mes të kapitalit dhe aktivës me një shkallë të caktuar rreziku (përkatësisht portofolios së bankave, të ponderuar me shkallën e rrezikshmërisë së çdo pozicioni). Në të ardhmen duhet bërë ndërrime rrënjësore edhe në politikën e normës së kamatës, drejt kamatës pozitive reale, e cila do të formohet në tregun e parasë dhe e cila, në kushtet joinflatore dhe të çmimeve stabile, mund të jetë mjaft e ulët. Kjo duhet të jetë stimulative për kursimin dhe të forcojë motivin për kursim, pasi që një kursim i tillë pothuajse është zhdukur pas ngrirjes së kursimeve devizore të qytetarëve. Rritja e kursimit duhet të jetë synim i përhershëm i bankave dhe institucioneve të tjera financiare, ngase në këtë mënyrë bëhet mobilizimi i kapitalit, i cili pastaj do të mund të investohej në projekte të rëndësishme e produktive. Kjo gjë paraqet njërën nga detyrat më të rëndësishme dhe më të rënda, ngase besimi njëherë i humbur në banka është shumë vështirë të rikthehet. Duhet rritur sigurinë e kredive të lejuara. Duhet lejuar kredi vetëm atyre të cilët me siguri do të jenë në gjendje që t'i kthejnë ato, përndryshe do të paraqiten çrregullime të mëdha në sistemin bankar, të cilat pastaj do të reflektohen edhe në tërë ekonominë e Kosovës. Ka kaluar përfundimisht koha e lejimit të kredive nën ombrellën e organeve politike. Kreditë bankare do të lejohen vetëm për investime produktive, që përmbushin kriterin e efikasitetit. Qarkullimi i pagesave në tërësi duhet të bëhet përmes bankave, këtu është fjala për qarkullimin e brendshëm, si edhe për qarkullimin e pagesave me botën e jashtme. Për t'u realizuar qarkullimi i pagesave me vendet e ndryshme, duhet që në qendra të rëndësishme financiare ndërkombëtare, si në Londër, New York etj., të hapen përfaqësitë e bankave të Kosovës. Për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në diasporë, kjo çështje fiton në peshë edhe më të madhe. Për ta do të ishte një ndihmesë e madhe sikur të kishin mundësi që për çdo transaksion financiar t'i drejtohen filialës së bankës kosovare në botën e jashtme.
Barrierat rregullative, të cilat pengonin konkurrencën e mirëfilltë në mes të bankave e institucioneve të tjera financiare, duhet të eliminohen. Me këtë do të barazohet pozita e bankave dhe këtyre institucioneve financiare. Tregu financiar, si treg i organizuar në të cilën do të takohen oferta e kërkesa e mjeteve financiare, po ashtu duhet të konstituohet. Në kuadër të këtij tregu duhet të ekzistojnë: 1. tregu i parasë, 2. tregu devizor dhe 3. tregu i kapitalit. Në tregun e parasë do të ofrohen e kërkohen mjetet e lira monetare dhe letrat afatshkurte me vlerë për ruajtjen e likuiditetit, si dhe për prodhim dhe për qarkullimin e mallrave. Tregu devizor është pjesë e pandarë e tregut të parasë, ku do të harmonizohet oferta dhe kërkesa e devizave, do të bëhet blerja dhe shitja e mjeteve të huaja të pagimit dhe do të caktohet kursi devizor në bazë të mekanizmit të tregut. Tregu i kapitalit, si një segment i tregut financiar, paraqet tregun e specializuar të mjeteve monetare afatgjata dhe letrave afatgjata me vlerë, me anë të të cilit do të orientohen mjetet e lira monetare (resurset financiare) në projektet më rentabile investive. Prandaj, duhet të formohen institucionet e këtyre tregjeve, bursat, për çka nevojitet përgatitja e personelit dhe asistenca teknike nga jashtë. 5.2.4. SISTEMI FISKAL I KOSOVËS Me Kushtetutën e vitit '74, Kuvendi i Kosovës me ligjet e veta e përcaktonte në mënyrë të pavarur politikën tatimore, fiskale dhe buxhetore. Kompetenca të konsiderueshme në sigurimin e të hyrave vetanake kishin edhe komunat, si bashkësi shoqërore politike. Me ligjet e Kosovës rregullohej sigurimi i të hyrave fiskale sipas bazës së tatimeve, kurse me vendimin e kuvendeve komunale siguroheshin të hyrat fiskale për plotësimin e nevojave buxhetore të komunave sipas bazës së tatimeve komunale, taksave dhe vetëkontributit të qytetarëve. Sistemi fiskal i Kosovës, përkundër pavarësisë së tij institucionale të pakontestueshme, sipas hierarkisë politike dhe kushtetuese, i nënshtrohej kornizave të përcaktuara me Kushtetutën e Jugosllavisë dhe ligjeve sistemore federative. Prandaj, bazat e sistemit tatimor fiskal të Kosovës, sikurse edhe në vendet tjera socialiste, ishin të ndërtuara sipas konceptit socialist të ekonomisë së planifikuar, pronësisë shoqërore mbi pronën dhe mjetet e prodhimit. Struktura tatimore në vendet me ekonomi të tregut të hapur kryesisht është stabile. Në vendet e OECD-së, në strukturën tatimore dy vendet e para u takojnë të hyrave nga tatimet në të ardhurat e qytetarëve dhe kontributi për sigurim social, kurse pjesëmarrje më të vogël shënojnë tatimet në qarkullim, akcizat dhe doganat. Në vendet anëtare të OECD-së pjesëmarrja e konsumit publik në GDP është dukshëm më e ulët në krahasim me vendet tjera dhe ato në tranzicion. Struktura e tatimit në Jugosllavinë e mbetur dhe në vendet e OECD
(Gjithsej të hyrat publike = 100) Format e tatimit Jugosllavia OECD e mbetur Mesat. 1992 Tatimi në të hyrat e qyt. 20.0 29.7 Tatimi në fitim të korpor. 0.8 6.8 Kontributet 41.3 25.0 Tatimi në pasuri 0.6 5.5 Tatimi në qarkullim 22.1 17.1 Akcizat në dogana 9.8 11.5 Të tjera (ngarkesat) 5.4 4.4 Burimi: Revenue statistics of OECD Member Countries 1965-93 Nga të dhënat e kësaj tabele, sipas një analize statistikore të strukturës së të hyrave publike në vendet e OECD-së, pjesëmarrjen më të madhe e kanë të hyrat sipas bazës së tatimit në të ardhurat e qytetarëve, me 29,7%, pastaj të kontributeve me 25%, tatimit në qarkullim me 17,1%, tatimit në fitim të korparatave me 6,8% etj. Parashikimet se Kosova do të ketë një strukturë tjetër të të ardhurave publike në krahasim me këto vende, por edhe me vendet më pak të zhvilluara, bazohen në faktin se në periudhën e tranzicionit do të startojmë me strukturë të degjeneruar të bazave tatimore e fiskale, si pasojë e sistemit që ka pasur si qëllim ekskluzivisht funksionin fiskal të tatimit. Në strukturën e të hyrave publike, në sistemin fiskal të Kosovës pjesëmarrjen më të madhe do të kenë të hyrat sipas bazës së tatimit në qarkullim me 30%, pastaj kontributeve prej 23.5%, të tatimit të të hyrave të qytetarëve etj. Pjesëmarrja e të hyrave publike në GDP Vendet në tranzicion % Vendet e OECD % (1993) (1990) Bullgaria 37.4 Austria 35.2 Çekia 48.5 Brit. e Madhe 35.5 Sllovakia 48.1 Italia 39.0 Rumania 30.8 SHBA 20.0 Hungaria 54.1 Holanda 47.5 Rusia 35.9 Gjermania 28.7
Polonia 45.5 Japonia 13.9 Burimi: World development Report 1992, World Bank, për vendet e OECD-së. Dinamika e rritjes apo zvogëlimit të konsumit publik në Kosovë duhet të jetë në përputhje me ecuritë gjegjëse të produktit shoqëror. Në këtë mënyrë duhet të insistohet që pjesëmarrja e konsumit publik në produktin shoqëror t'i afrohet gradualisht strukturës së vendeve të zhvilluara perëndimore. Parashtrohet pyetja se a do të jenë në gjendje ekonomia dhe qytetarët e Kosovës t'i përballojnë nevojat e theksuara për konsum publik. Në këtë kontekst, nevojitet një çasje reale e problematikës tatimore dhe funksionit të saj fiskal. Sepse, që në fillim, nuk do të mund të shquhemi me një sistem fiskal dhe të konceptuar krejtësisht mbi bazë të ecurive të parametrave kryesorë ekonomik, por që ky koncept duhet të jetë synim i arritur brenda një kohe. Edhe vendet dukshëm më të zhvilluara përherë ballafaqohen me problemin e deficitit buxhetor dhe nevojën permanente të zvogëlimit të pjesëmarrjes së të ardhurave publike në GDP. Burimet kryesore të të hyrave fiskale do të mbështeten mbi të hyrat nga këto baza: 1.Tatimi në të ardhurat: o
Tatimi nga veprimtaritë e pavarura;
o o
Tatimi në të ardhurat personale; Tatimi në pasuri etj.
2. Tatimi në qarkullim të prodhimeve e shërbimeve në qarkullim (TVSH); 3. Tatimi në fitim të korporatave; 4. Kontributet; 5. Doganat dhe akcizat; 6. Të hyrat parafiskale dhe jofiskale. Struktura e mundshme e të hyrave fiskale në Kosovë në pesë vitet e para Format e tatimit Dy vitet Viti i Viti i Viti i e para tretë katërt pestë Tatimi në të hyrat e qytetarëve 20 23 28 30 Tatimi në fitim të korporatave 3.5 3.5 5 8 Kontributet 23.5 20 15 15 Tatimi në pasuri 8 10.5 12 12
Tatimi në qarkullim (TVSH) 30 29 25 20 Akcizat dhe doganat 10 9 9 9 Të hyrat tjera fiskale 5 5 6 6 Tatimi në fitim të korporatave, për fillim, do të ketë pjesëmarrje simbolike, ngase përmes lehtësimeve tatimore do t'i jipet përparësi nxitjes së investimeve të kapitalit të vendit dhe sidomos atij të huaj në veprimtarinë prodhuese. Kjo bëhet duke pasur parasysh faktin se veprimtaritë prodhuese marrin pjesë me vetëm 22.8% në strukturën e veprimtarive të ndërmarrjeve private (Anketa e RIINVEST-it). Parashihet se në periudhë afatgjate raportet në strukturën e të hyrave fiskale do të ndryshojnë në favor të të ardhurave sipas bazës së tatimeve që ndikojnë në standardin e popullatës. Pjesëmarrja e tatimit në të ardhurat e qytetarëve mund të ketë shkallë më të lartë, po qe se me mekanizma adekuatë e stimulojmë zhvillimin e veprimtarive të pavarura prodhuese e shërbyese. Pjesëmarrja e të ardhurave sipas kësaj baze do t'i afrohej shkallës në vendet e OECD-së. Krahas zhvillimit ekonomik, dhe me këtë edhe të rritjes së numrit të të punësuarve, do të vijë deri te rritja e shkallës së pjesëmarrjes së tatimit në të ardhurat e qytetarëve sipas bazës së tatimit në të ardhurat personale dhe kontributeve. Tatimi në qarkullim i prodhimeve dhe shërbimeve në qarkullim, sa për fillim, do të paraqesë burimin kryesor të të hyrave fiskale me pjesëmarrje prej 30% dhe këtë, duke pasur parasysh potencialin e konsumit personal në Kosovë. Për shkak të aftësive të kufizuara blerëse të popullatës dhe për faktin se në strukturën e shpenzimeve në buxhetin familjar dominojnë artikujt elementarë të ekzistencës, si ushqimi e veshëmbathja, tarifat tatimore në tatimin në qarkullim të këtyre prodhimeve duhet të jenë më të ulëta, së paku për 2 herë në krahasim me ato që konsiderohen prodhime luksoze. Tatimi në qarkullim të shërbimeve do të ketë një pjesëmarrje solide në strukturën e të hyrave nga tatimi në qarkullim në përgjithësi, meqenëse veprimtaritë shërbyese në sektorin privat marrin pjesë me 72,3% (Anketa). Tatimi në vlerën e shtuar në ekonomitë e tregut të hapur është treguar si formë më e suksesshme në krahasim me tatimin klasik në qarkullim të prodhimeve, përveç të tjerash edhe në zvogëlimin e mundësive për evazion fiskal, në stabilitetin e çmimeve dhe në efektet e tij fiskale. Prandaj, nuk duhet të hezitojmë në aplikimin e tij në sistemin tonë tatimor. Kosova paraqet potencial tërheqës për vendet eksportuese të mallrave, për shkak të zhvillimit të pamjaftueshëm të ekonomisë përpunuese dhe të produkteve finale, kështu që orientimi kah importi i mallrave në dukje do të krijonte kushte për të hyra të konsiderueshme fiskale sipas bazës së doganave dhe akcizave. Mirëpo, konsiderojmë se orientimi afatmesëm e afatgjatë kah ekonomia e tregut të hapur ndaj botës do të aplikojë norma të doganave dhe akcizave identike me ekonomitë e tregut. Me mbështetje në të ardhurat parafiskale do të mund të analizohen mundësitë e participimit sidomos në shëndetësi dhe në arsimin superior dhe nevoja të theksuara publike ku mund të aplikohet instituti i vetëkontributit me destinim në zhvillimin e infrastrukturës publike sidomos në rajonet rurale, siç janë ndërtimi i rrugëve, ujësjellësit, objektet e kulturës, sportit. Në këtë aspekt do të ishte e nevojshme që të studiohen mundësitë e inkuadrimit të potencialit evident financiar të diasporës sonë, sidomos në fazën fillestare në funksionimin e sistemit të pavarur fiskal të Kosovës.
Me qëllim të konceptimit të një sistemi fiskal sa më efikas, është e nevojshme që në nismë të tij të ndërmerren edhe këto aktivitete: • • •
• •
Zgjerimi maksimal i bazës së ndërhyrjes fiskale; Eliminimi maksimal i ekonomisë joformale dhe futja e saj në rrjedha legale, dhe këtë duke i dhënë përparësi politikës stimuluese tatimore ndaj asaj represive; Rregullativa ligjore të jetë në funksion të efikasitetit, duke thjeshtësuar procedurën për caktimin dhe inkasimin e të hyrave fiskale, duke siguruar zbatimin e parimit të barazisë së obliguesve fiskal; Aktiviteti ligjdhënës duhet të përcillet me udhëzimet përkatëse për zbatimin e tyre sa më të plotë dhe efikas; Lehtësimet nga tatimi në fitim të korporatave të aplikohen me përparësi për investimet që sigurojnë produktivitet të lartë dhe punësim dinamik; Në caktimin e tatimit në qarkullim të pasurisë së paluajtshme, të aplikohen norma më të larta për bazën tatimore e cila nuk është rezultat direkt i punës së pronarit. 5.2.5. SISTEMI BUXHETOR I KOSOVËS
Me aprovimin e Kushtetutës së vitit 1974 u përkufizua definitivisht pavarësia e sistemit buxhetor të Kosovës. Buxhetin e fundit, mbi bazat e sistemit vetanak buxhetor, Kosova e aprovoi për vitin 1990. Buxhetet i aprovuan edhe komunat, në bazë të kompetencave të veta. Përpos buxhetit të Kosovës, konsumi publik sendërtohej edhe nëpërmjet fondeve shoqërore (Bashkësive Vetëqeverisëse të Interesit), nëpërmjet të cilave, në pjesën më të madhe, financoheshin arsimi, kultura, shkenca, shëndetësia, pensionet, mbrojtja sociale, të cilat formoheshin me kontributet nga të ardhurat e ndërmarrjeve dhe nga të ardhurat e të të punësuarve. Në formimin e buxhetit dhe fondeve të konsumit publik, përpos mjeteve nga burimet vetiake merrnin pjesë edhe mjetet plotësuese apo buxheti i federatës me rreth 24,71%. Nga bilanci i konsumit publik del se 79,85% të konsumit ka të bëjë me konsumin kolektiv (fondet shoqërore), 17,81% konsumi i përgjithshëm, kurse 2,34% intervenimet në ekonomi. Sistemi i ri buxhetor duhet të jetë tërësi konzistente dhe i bazuar në parimet themelore të buxhetit, siç janë: vëllimi, përmbajtja, autorizimet dhe procedura që e sigurojnë funksionimin racional të buxhetit në të gjitha fazat e saj siç janë: hartimi, aprovimi, ekzekutimi dhe kontrolli i tij. Gjatë përcaktimit të këtij sistemi duhet gjithsesi të respektohen parimet kryesore të buxhetit, siç janë: 1. Parimi i unitetit buxhetor, i cili kërkon që të gjitha të hyrat që i takojnë një bashkësie shoqëroropolitike të jenë tërësi unike për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të saj. Ky parim e eliminon mundësinë për lidhshmëri të të hyrave të caktuara për konsum të caktuar, 2. Parimi i universalitetit buxhetor që kërkon që të gjitha të hyrat dhe të dalat të hyjnë në buxhet dhe të paraqiten në bruto shuma, 3. Parimi i baraspeshës buxhetore, 4. Parimi i paraqitjes publike të buxhetit, 5. Parimi i klasifikimit buxhetor,
6. Parimi i realitetit buxhetor, 7. Parimi i buxhetit njëvjeçar dhe 8. Parimi i lejimit paraprak. Parimi i organizimit sa më racional të organeve shtetërore dhe efikasiteti i tyre është i pazëvendësueshëm në periudhën e ardhme. Në krahasim me strukturën konsumuese të buxhetit të Kosovës së re, duhet të llogaritet, pos të tjerash, edhe në konsumatorët e rinj të cilët nuk kanë ekzistuar më parë. Gjithashtu, mund të bëhen edhe mjaft racionalizime në konsum, në krahasim me vëllimin e konsumit publik që ishte më 1990. Këtu, para së gjithash, fjala është edhe për ndryshimet në arsim, shëndetësi, sport, kulturë e sfera të tjera që nuk mund të mbesin ekskluzivisht brenda kompetencave të shtetit dhe fondeve të konsumit publik, përkatësisht për forma të ndryshme të participimit të popullatës dhe iniciativën private në këtë fushë. Me përcaktimin dhe zbatimin efikas të sistemit fiskal dhe buxhetor, me disiplinë të lartë fiskale e sidomos me zhvillimin ekonomik, Kosova me vështirësi të caktuara, të cilat gradualisht do t'i zbusë, mund të përmbushë obligimit e konsumit publik që do t'i përcaktojë me ligje. Problemi do të jetë i theksuar sidomos në një fazë kalimtare, deri në fillim të procesit të konsolidimit të ekonomisë dhe vënies në eficiencë të sistemit fiskal. Në këtë periudhë, duhet të vihet një gradualitet në krijimin e të ardhurave publike dhe në vëllimin e shpenzimeve publike. Gjithashtu, duhet siguruar një asistencë më e madhe financiare nga jashtë. Sipas vlerësimeve tona, bazuar në buxhetin e vitit 1990 dhe gjendjen ekonomike e sociale më 1997, konsumi buxhetor dhe publik në vitin e parë të tranzicionit do të merrte pjesë rreth 65% në GDP, kurse deficiti buxhetor do të ishte 38%. Bazuar në projekcionet tona do të ishte i mundshëm një konsolidim gradual, kështuqë në fund të periudhës tranzitore, pjesëmarrja e buxhetit dhe fondeve publike në GDP do të zvogëlohej në rreth 40%, kurse deficiti buxhetor në 10%. 5.2.6. EKONOMIA PUBLIKE Ndërmarrjet nga lëmi i veprimtarive publike kryejnë aktivitet ekonomik me interes të përgjithshëm shoqëror. Përfshirja dhe organizimi i këtyre projekteve dallohet nga vendi në vend, varësisht nga rregullimi legjislativ. Në literaturë dhe në praktikën e sotme të shteteve me ekonomi në parime të ekonomisë së tregut, përveç veprimtarive klasike publike, këtë karakter e marrin edhe siguria sociale, çështjet e përkujdesjes shëndetësore, arsimimi dhe edukimi fillor, një pjesë e arsimit të mesëm dhe studimeve universitare. Ndërmarrje publike të pakontestueshme, që kanë karakter të pastër ekonomik, janë: (1) Posta – telefoni – telegrafi (PTT) (2) Hekurudha (NTH) dhe (3) Elektroekonomia (EEK) Përveç këtyre ndërmarrjeve, ekzistojnë edhe disa lëmi që, në nivel komunal ose në nivel të Kosovës, mund të organizohen si ndërmarrje publike, siç janë: (4) Komunikacioni urban ose ndërurban, sidomos në disa vise të caktuara,
(5) Sistemi i ujitjes "Ibër-Lepenc" dhe "Radoniqi", (6) Sistemi i pylltarisë – ndërmarrjet pyjore, (7) Ndërmarrja për ndërtim dhe meremetim të rrugëve, (8) Ekonomia komunale. (1) Punët e komunikacionit postar, telegrafik dhe telefonik mund të ndahen në dy pjesë të veçanta dhe të formohen dy ndërmarrje të veçanta. Në kuadër të ndërmarrjes për komunikacion postar, e cila do të kishte karakter të ndërmarrjeve publike, me aksione kryesisht shtetërore, nën patronatin e shtetit. Kjo ndërmarrje do të quhej vetëm si Ndërmarrja Publike e Postave të Kosovës. Ndërsa, Ndërmarrja për komunikacion telegrafik dhe telefonik do të mund të formohej si shoqëri aksionare për telekomunikacionin, në pronësi të plotë private. Kjo ndërmarrje do të quhej Shoqëria Aksionare për Telekomunikacion e Kosovës ose Korporata për Telekomunikacion e Kosovës. Ky organizim është në harmoni me praktikën e vendeve të zhvilluara me ekonomi të tregut, ku komunikacioni postar zhvillohet përmes ndërmarrjes publike, e cila gjendet kryesisht në pronësi të shtetit, ndërsa komunikacioni telegrafik dhe telefonik organizohet dhe kryhet përmes kompanive të mëdha të telekomunikacionit, në shoqëri aksionare. (2) Pothuajse në të gjitha shtetet e Evropës, ndërmarrjet hekurudhore kanë status të dyfishtë: si ndërmarrje transportuese dhe si drejtori shtetërore për hekurudhë. Shteti, në shumicën e vendeve, është edhe pronari me mbi 50% të mjeteve, kurse zhvillimin zakonisht e mbulon shteti. Zgjidhjet e tilla bazohen në rëndësinë ekonomike që e kanë hekurudhat, në rëndësinë strategjike dhe sociale, e deri te ekologjia. Për këto arsye edhe definohen si ndërmarrje publike me interes të përgjithshëm. Përveç pjesës kapitale (aksioneve) që e ka shteti, ai hekurudhën e mbështet në forma të tjera: kompenzim, subvencione, dotacione etj., që kanë të bëjnë me kompenzime për transportim të udhëtarëve dhe mallrave. Për shkak të shumë specifiteteve që i ka NHT e Kosovës, ajo duhet të organizohet si Ndërmarrje Publike Hekurudhore, me kapital kryesisht shtetëror dhe me kompenzime në veprimtarinë e rregullt. Duke pasur parasysh se hekurudhat janë të lidhura në rrjetë të varur nga hekurudhat e vendeve fqinje, më afërsisht te ne në Ballkan dhe Evropë - NHT e Kosovës para vetes duhet shtrojë edhe këto qëllime: • •
•
të definohet dhe të organizohet si sistem unik tekniko-teknologjk; të bëhet transformimi pronësor i hekurudhës në drejtim: zhvillimi i i infrastrukturës hekurudhore të mbetet në përkujdesje publike të shtetit, kurse për pjesën komerciale (transporti i qytetarëve, mallrave, dhënia e shërbimeve të tjera logjistike në transport etj.) të aftësohet për menaxhim afarist si çdo subjekt në kushtet e tregut për punë profitabile; të bëhet rregullimi ligjor i ardhshëm i transportit hekurudhor në Kosovë, në harmoni të plotë me legjislacionin gjegjës të Unionit Europian (UE) dhe të UIC- Unionit Ndërkombëtar Hekurudhor.
(3) Në kompleksin e Elektroekonomisë, forma organizative e prodhimit të thëngjillit, energjisë elektrike dhe bartja e distribuimi është e imponuar nga natyra e zingjirit prodhues deri te konsumi final, që duhet të jetë sistem unik tekniko-teknologjik.
Mirëpo, problematika pronësore e EEK është mjaft e ndërlikuar, për shkak të gërshetimit të problemit të thëngjillit si resurs natyror, i cili duhet të jetë "e mirë e përgjithshme nacionaleshtetërore", energjisë elektrike, si prodhim me interes të përgjithshëm (publik) dhe kapitalit (aksioneve) të investuar. Organizimi dhe variantat e pronësisë së kapitalit në EEK mund të jenë të ndryshme, por sigurisht që duhet të jetë ndërmarrja publike me interes të përgjithshëm shoqëror-shtetëror, duke iu përmbajtur parimeve kryesore të ekonomisë së tregut dhe rrugës së privatizimit maksimal në suaza të kushteve konkrete në ekonomi të Kosovës. Në periudhën e ardhshme të zhvillimit të ekonomisë së tregut në Kosovë, është e nevojshme të përpunohen edhe lëmitë tjera të cilat duhet të organizohen si ndërmarrje (organizata) publike, duke pasur të qarta parimet kryesore të organizimit dhe funksionimit të ndërmarrjeve me karakter publik, lidhur me të cilat do të ketë interes të përgjithshëm edhe shteti (si organet komunale ose më të larta shtetërore) të investojë ose t'i blejë aksionet e tyre. Baza pronësore duhet të jetë private – pronësi private në të shumtën e rasteve minimum 50+1% kapital i vendit ose i jashtëm, pa përkufizime për persona juridikë apo fizikë. Pjesa tjetër e kapitalit, zakonisht në 49%, mund të jetë shtetëror, por i nominuar në aksione ose letra me vlerë, të cilat e ndajnë të njëjtin fat si edhe kapitali privat. Nganjëherë keqkuptohet se me ndërmarrje publike duhet të qeverisë shteti, gjegjësisht organet shtetërore- ministritë. Shteti duhet të marrë pjesë në qeverisjen e këtyre ndërmarrjeve proporcionalisht, aq sa ka kapital në pjesëmarrjen e tyre, e ajo pjesëmarrje duhet të jetë më pak se 50% , përveç në raste dhe veprimtari specifike, siç është hekurudha dhe pjesa e postës pa telekomunikime.